Si do të ngushëllohemi ndër hidhërimet
Predikim i mbajtur nga atëhere arqimandrit at Avgustin Kantioti, para vitit 1967
në Kishën e Shënjtë të Shën Marenës – Iliupoli, Athinë
E diela e Samaritanes, në kuadrin e leximit të Apostullit-Vep.Apost.11:19-30
Të gjithë njerëzit, të dashur besimtarë, qoftë të bardhë, të zinj apo të verdhë, të çfarëdo ngjyre qofshin, kudo që banojnë, të gjithë njerëzit pra kërkojnë vetëm një gjë. Të gjithë pra dëshirojnë me zemër të flaktë, mundohen, djersijnë, dhe luftojnë duke patur synim të veprimeve dhe punëve të tyre një ideal: lumturinë. Të gjithë dëshirojnë lumturinë, të jenë të lumtur.
Çfarë do të thotë lumturi? Jetë pa dhimbje, jetë pa lotë, jetë e lumtur. Dhe ndërkohë që kjo është dëshira e gjallë, e pafund, e madhe, e papushim e zemrës njerëzore, ajo – lumturia pra – është si një zog i pakapshëm. Të gjithë e gjuajnë por nuk e zenë dot.
Ku gjendet lumturia?
Le të udhëtojmë mëndërisht në planetin tonë. Le të marrim udhën për në lindje, perëndim, veri dhe jug. Vazhdojmë duke udhëtuar mbi majat e larta të maleve me dëborë, më pas zbresim në fushat, në ishujt, në shkretëtirë, kudo ku jeton njeriu, qoftë në tokë apo në det, akoma dhe lart në distancat e largëta ajrore ku njeriu fluturon me anije kozmike.
Le të shkojmë pra të takojmë njeriun, i cili me zemër të flaktë kërkon të realizojë idealin e lumturisë së tij. Le t’i afrohemi pra dhe t’a pyesim e të shohim nëse është i lumtur?
Hyj në një barakë dhe shoh atje një njeri. “Kam uri” më thotë. Dal nga baraka dhe hyj në një pallat, hyj në shtëpitë e larta dhe të mëdha të pajisura me të gjitha komoditetet dhe rehatitë e mundshme. Dhe atje brenda, mbi një krevat shoh një njeri të sëmurë të pështyjë gjak në një legen të florinjtë. Më thotë “Jam i sëmurë. Akoma dhe këtë pallat e shes vetëm të gjej shëndetin tim. Preferoj të banoj në një çadër endacaku sesa të vuaj nga kjo sëmundje”.
I le pas shtëpitë përdhese, i le pas pallatet dhe has në rrugë dikë që më thotë “Jam i mërzitur dhe i shqetësuar. Shtëpi nuk ngrita, familje nuk kam, jam krejt vetë, kërkoj dikë të më bëjë shoqëri, ndjehem tepër fatkeq”.
Pak më poshtë takoj dikë që është i martuar dhe e pyes: ndjehesh i lumtur?
Më përgjigjet: “Mallkuar qoftë dita që u martova. Më është bërë jeta ferr…”.
Më pas takoj një çift, burrë e grua pa fëmijë, që rënkojnë. Rendin poshtë e lart nëpër doktorë dhe nëpër Kisha. Iu luten të gjithë shënjtorëve. Dhe meqënëse nuk bëjnë dot fëmijë e konsiderojnë veten e tyre tepër fatkeq.
Pak më poshtë takoj dikë tjetër që ka fëmijë. I mërzitur e i shqetësuar, qan dhe rënkon, sepse fëmijët e tij çdo ditë i shkaktojnë hidhërim.
Ku të shkoj, ku të vazhdoj më tutje? Të hyj brenda nëpër fabrikat dhe ndërmarjet ku psherëtijnë punëtorët? Të hyj nëpër anijet ku vuajnë detarët? Të shkoj nëpër spitalet, ku rënkojnë të sëmurët? Ku doni të shkoj më tutje?
Kudo që të shkoj, këdo që të takoj, qoftë me një tufë të hollash apo diploma në dorë, qoftë i varfër dhe analfabet, qoftë burrë apo grua, qoftë fëmijë apo i moshuar me thinjë, qoftë me kurorë mbretërore apo në mes të katër rrugëve – kudo pra që të shkoj do të has një fatkeqësi të papërshkrueshme, do të has dhimbje dhe hidhërim të padurueshëm.
Ja një i lumtur!
Tregojnë për një mbret, i cili kërkonte lumturinë dhe nuk e gjente dot. I tha dikujt që e kishte nën mbrojtjen e tij: “Unë, edhe pse jam i zhytur në kamje e pasuri nuk jam fare i lumtur. Do të shkosh kudo në gjithë mbretërinë time, nëpër fshatra e qytete. Në qoftë se gjen ndonjë njeri që është i lumtur, do t’ia marrësh këmishën dhe do m’a sjellësh këtu në pallat”.
Përshkon pra i dërguari i mbretit fshatra e qytete, takohet me të gjithë, por nga goja e askujt nuk dëgjoi fjalën “lumturi”. Nuk gjeti askënd që të ishte absolutisht i lumtur. Kudo vetëm ankesa dëgjoi. Vetëm diku, në një shtëpi përdhese, gjeti dikë që i tha se ndjehet i lumtur.
Kërcen nga gëzimi i dërguari i mbretitu duke thënë:
-Lavdi ty o Zot! Më jep këmishën tënde.
-Nuk kam këmishë, i përgjigjet i varfëri.
Mezi u gjënd një njeri në tërë mbretërinë që të jetë i lumtur por ai nuk ka këmishë. Çfarë gjëra të çuditëshme ka kjo jetë! Lakuriq dhe i lumtur, të tjerët të veshur me tajerë dhe kostume nga më të shtrenjtat por tepër fatkeqë. I varfër por i lumtur, i pasur por fatzi. Gjëra të çuditëshme nuk janë këto?
Lumturia pra dëshirohet dhe kërkohet nga të gjithë. E dëshirojnë të gjithë kudo që gjenden në botë. Por edhe pse nuk lenë vrimë pa e kërkuar nuk e gjejnë dot. Hidhërimi dhe fatkeqësia janë shokët e tyre të pandarë.
Pikërisht për këtë arësye, të dashurit e mij, dhe ne do të flasim për hidhërimet.
Askush nuk përjashtohet
Mos mendoni që hidhërimet janë dënim vetëm për mëkatarët. Jo. Nga hidhërimi nuk përjashtohen akoma dhe shënjtorët. Mund të arrish të bëhesh i shënjtë dhe çudibërës, por hidhërimi do të të bëjë gjithmonë të ndjesh dhimbje, hidhërimi pra gjithnjë do të cëmbithë shpirtin tënd. Provë dhe vërtetim për këtë që po them është jeta e Apostojve dhe të Krishterëve të parë, të atyre njerëzve të shënjtë, të cilët për shkak të përndjekjeve rronin gjithnjë me vendimin e vdekjes mbi kokat e tyre. Lexoni se çfarë thonë Veprat e Apostojve: “Ata që u shpërndanë nga përndjekjet që u bënë për Stefanin shkuan deri në Finikë, në Qyro dhe Antiohi, dhe asnjeriu nuk i flisnin veçse Judhenjve” (Vep.Apost. 11:19).
“Të përndarë nga ndjekjet…”. Në hidhërim pra ishin edhe ata apostuj. Çfarë hidhërimi? Në Jerusalem, Ebrenjtë pasi kryqëzuan Krishtin, Mësonjësin Hyjnor, me perona mbi dru, këta armiq të së vërtetës nuk e pushuan luftën e tyre edhe ndaj nxënësve të tij të vërtetë. Vazhduan të përndjekin edhe apostojtë. Disa i kapnin dhe i burgosnin, disa i kapnin dhe i tiranizonin, disave iu prisnin kokat, të tjerët i kryqëzonin, të tjerëve u vinin zjarr në banesat e tyre, të tjerëve iu mernin gjithçka kishin e nuk kishin. Për këtë arësye pra, ata pak të Krishterë që gjendeshin atje, nga presioni u detyruan të largoheshin prej Jerusalemit.
Thotë gjithashtu apostoll Llukai (që shkroi Veprat e Apostojve), që në ato ditë u shfaq një profet i cili parashikoi që do të bëhej një zi e madhe buke në botë, dhe njerëzit do të vuanin. Dhe vërtet zija e bukës ndodhi. Dhe për këtë arësye të Krishterët e Jerusalemit hoqën shumë dhe kishin nevojë për ndihmë (Vep.Apost. 11:27-30).
Hidhërime pra për shkak të përndjekjeve, hidhërime për shkak të zisë së bukës dhe deprivimit nga gjërat më të domosdoshme.
Hidhërimi është i dobishëm
Hidhërimi pra, e shoqëron njeriun kudo dhe përherë. Por do t’ju them diçka të çuditëshme, diçka që është mister dhe që del nga Ungjilli i Shënjtë, del nga historia, del nga vetë jeta jonë, nga jeta e çdo njeriu, dhe këtë e konstatojmë nëse e shohim këtë gjë me vëmendje. Çfarë është kjo gjë e çuditëshme?
Hidhërimi përveç të tjerave përmban dhe diçka të mirë. Hidhërimi fsheh përbrenda dhe dobira dhe përfitime të Perëndisë.
-Ç’është kjo që n’a thua atë, është e mundur që hidhërimi, dhimbja dhe lotët t’i ofrojnë njeriut ndonjë gjë të mirë?
Po, të dashurit e mij. Me gjithë dhimbjen, lotët dhe rënkimet që ndjejmë brenda hidhërimit Perëndia fsheh dhe diçka të mirë dhe të dobishme.
Doni shembuj? Të panumërt janë shembujt që do të mund të përmendja.
E bekuar është varfëria
E keqe është varfëria, shumë e keqe skamja. Kush mund të thotë se është e mirë? Kush mund të thotë që kur njeru punëtor, gjithë ditën vërtitet pshtë e lart duke kërkuar punë dhe nuk gjen dot, dhe në mbrëmje kthehet në shtëpi me duar bosh dhe nuk ka as bukë t’iu japë fëmijëve të tij të ciët i bërtasin “kemi uri”, kush pra mund të thotë që varfëria është diçka e mirë dhe e kënaqëshme?
E megjithëatë vëllzërit e mij, ka raste kur në shtëpitë e mëdha, me të cilat mahnitemi dhe i kemi zili, shtëpi që ashtu siç thamë më sipër janë të pajisura me të gjitha komoditetet dhe lehtësitë e fjalës së fundit të teknologjisë, dhe nuk iu mungon absolutisht asgjë përsa i përket mobiljeve, kostumeve dhe veshjeve, shtëpi që kanë brenda kinema e theatro, pishina e jahte private me të cilat udhëtojnë lart e poshtë, ka pra raste që këto shtëpi nuk janë tjetër veçse ferr; ndërsa shtëpitë e vogla dhe të varfëra mund të kenë brenda tyre shumë më tepër gëzim Perëndie. Po, ka raste pra që kur ka shumë para në një shtëpi ajo prishet e rënohet krejt.
Një i varfër, shumë i varfër, shkonte në të gjitha Kishat dhe i lutej Zotit t’i binte llotaria. Fitoi llotarinë dhe sapo mësoi që i kishte rënë llotaria u çmënd nga gëzimi, dhe tani gjendet në çmëndinë. Çfarë të mirë i sollën paratë e shumta?
Dhe në Amerikë, ku jetojnë të pasurit më të mëdhenj të botës, sipas gazetave dhe statistikave më të fundit, ata që kryejnë vetëvrasje, ata që i hedhin trutë në erë, ata që bien nga pallatet e larta dhe gradaçelat, ata që i japin fund të dhunshëm jetës së tyre, nuk janë njerëzit e varfër që punojnë nëpër fabrika. Nëntëdhjetë për qind (90%) e atyre që kryejnë vetëvrasje janë të pasurit, ata që jetojnë nëpër shtëpitë e mëdha e të pasura, ata që janë të “mëdhenjtë” dhe që kanë dollarët me thasë, ata që kanë në zotërimin e tyre milionat dhe bilionat e botës.
Pra varfëria ka brenda saj diçka mistike. Ka brenda saj diçka të dobishme nga Perëndia.
Shumë e keqe është varfëria; por kjo lloj varfërie është e bekuar. Shkoni në Kishë dhe hidhni një sy të shihni kush vjen në Kishë. Unë si predikues i Fjalës së Zotit shkoj nga kisha në kishë dhe dëshmoj që të shumtit e atyre që vijnë rregullisht në Kishë janë të varfër. Asnjë nga të pasurit, asnjë nga ata që rrojnë nëpër shtëpi të mëdha dhe kanë jahte private, nuk vjen në Kishë. Rrallë, shumë rrallë sheh ndonjë prej tyre të vijë në Kishë. Ndërkohë që Kisha psall hymne të shënjta ata shkojnë nëpër plazhe dhe dëfrejnë poshtë e lart. Të varfërit punëtorë vijnë në Kishë. Sepse më e preferuar është të jesh i varfër me Krishtin sesa i pasur por me djallin.
Pra dua të them që ndërsa varfëria, e cila është tepër e keqe dhe protestoj ndaj saj, ka raste që është e bekuar dhe ka brenda në thellësitë e saj një farë lumturie.
Sëmundja del për mirë
E keqe është dhe sëmundja. Kush thotë që sëmundja është diçka e mirë? E megjithatë ka raste që edhe sëmundja del për mirë.
-Del për mirë sëmundja?
Po, del për mirë. E shikon atë njeriun atje? Nuk i shkel këmba në Kishë. Ndoshta ka 10 apo 20 e 30 vjet që s’ka erdhur ndonjëherë në Kishë. Nuk do të dëgjojë priftin. Vlasfimon të gjithë, Perëndi e Shënjtorë bashkë. Por vjen momenti dhe shfaqet sëmundja si një predikues i madh, si një nga predikuesit më të mëdhenj në botë. Dhe më pas sheh atë që rinte larg Kishës, me veshët të vulosura me dyllë, dhe që nuk dëgjonte as kambanat as predikuesit e shënjtë kur thërrisnin për Fjalën e Zotit, të ndryshojë dhe të afrohet në Kishë. E sheh të zbresë nga kali i lartë ku kishte hipur dhe të përunjet. Kur ndodhet në karrocë spitali dhe e shpien për të bërë operacion, atëhere… s’ka më ateizëm. Përpara se t’a operojnë, bie në gjunjë dhe me lotë në sy i lutet Perëndisë dhe thotë: “o Zot, o Shën Mëri, më fal”.
Kështu pra sëmundja del për mirë. Mund t’ju sjell shumë shembuj. Ateist hyn në spital por besëtar i flaktë del. Hyn i pafe’ dhe del i Krishterë. Hyn korb i zi dhe del pëllumb i bardhë.
Qoftë pra e bekuar sëmundja që n’a sjell afër Zotit. Qoftë e bekuar çdo peripeci e jetës sonë që n’a bën t’i afrohemi Perëndisë. Sepse kur kemi shëndet dhe çdo gjë n’a shkon vaj nuk e mendojmë Perëndinë; atëherë ndodhemi larg Perëndisë.
Nga bodrumi në fron
E keqe varfëria, por n’a sjell afër Perëndisë. E keqe sëmundja, por dhe nga ajo përfitojmë. Të këqia janë edhe peripecitë e ndryshme të jetës sonë, sidomos shpifja dhe intriga. Lexoni në Dhjatën e Vjetër (Gjeneza 39:41) për shpifjen që bëri zonja e pasur. Shpifi për Josifin. Të gjithë i besuan shpifjet kundër të pafajshmit. E rrëmbyen dhe e plasën në bodrum.
Por ç’ndodhi atje brenda në bodrum? Misteret e Perëndisë janë të mëdha. Brenda burgut Josifi, viktimë e shpifjeve të paturpshme të një zonje të paskrupullt, takoi dikë që kishte lidhje me pallatin e faraoit. Ky njeri, kur doli nga burgu, pa një ditë mbretin të qajë – në këtë botë qajnë edhe mbretërit. Kur e pa mbretin ashtu të shqetësuar dhe të turbulluar për shkak të një ëndre që kishte parë të cilën nuk mund t’a interpretonte dot i thotë:
-Mbret dhe madhëri, mos u shqetëso. Brenda në burg është një njeri i shënjtë. Ai është i vetmi njeri që mund të interpretojë ëndrën e cila të shqetësoi natën e kaluar dhe të të ngushëllojë.
Kështu Josifi nga bodrumet arriti deri në oborrin mbretëror. Nëse nuk do të kishte hyrë në burg Josifi nuk do të kishte arritur në këtë vend të lartë. E mori dora e Perëndisë dhe e ngriti në gradat e larta, e vuri në fron dhe e bëri mbret.
Çfarë mistere fsheh kjo jetë! Dora e Perëndisë ndjehet në krevatin e dhimbjes. Dora e Perëndisë shtrihet deri në shtëpitë përdhese, shtrihet dhe arrin deri në varfërinë dhe dhimbjen e çdo njeriu. Dora e Perëndisë është dhe sipër të pafajshmëve që dergjen burgjeve. Kudo shrihet dora e Perëndisë.
Mos u nxito
E keqe varfëria, por të çon tek Perëndia. E keqe sëmundja por del për mirë. E keqe shpifja dhe intriga, por nëpërmjet tyre shkëlqen virtyti.
Atëhere, kudo pra, nga të gjitha të këqijat mund të dalë një e mirë! Çfarë mistere që ka kjo jetë! Diçka që ne e konsiderojmë fatkeqësi të madhe del si përfundim, një përfitim i madh.
Shkruanin gazetat, që në Kairo të Egjiptit, një i krishterë rendte si i çmëndur dhe kërkonte, në minutën e fundit, të priste një biletë aeroplani për të shkuar në një qytet tjetër; ishte tregëtar dhe kishte një çështje urgjente.
Por dokumentat e tij nuk ishin në rregull. Bileta nuk mund të pritej. Rendte gjithë ditën andej-këtej. Lutej nga njëra zyrë në tjetra, bënte presion, por më së fundi nuk ia arriti dot qëllimit të tij. Aeroplani iku dhe ai mbeti atje. U shqetësua tepër.
Pas pak kohe, pas ndonjë ore, ai që ishte aq i shqetësuar dhe sa nuk pëlciste nga e keqia dhe ishte gati të shante të gjithë sepse i nxorrën pengesa për udhëtimin e tij dhe nuk mundi të mbaronte dot punë, ai pra çfarë bën? Hyn në një Kishë dhe me lotë gëzimi dhe mirënjohje falenderon Krishtin.
Si ndryshoi kështu? Ajo që ai e konsideronte të keqe i doli e mirë. Aeroplani me të cilin do të udhëtonte ai, kur ndodhej në lartësi pësoi një anomali dhe u rrëzua duke u bërë copë e thërrime. Nuk shpëtoi asnjë nga të 120 pasagjerët.
Shpëtoi nga një vdekje e sigurtë, ai që kaq shumë kërkonte të udhëtonte.
Mos u nxito pra! Shpesh herë nxitimi shkakton të keqe. Shumë herë, pengesat që shfaqen në jetën tonë, dalin për të mirën tonë. Nuk vijnë nga njerëzit, por nga Perëndia që dëshiron të të mbrojë nga diçka e keqe.
Sigurisht që ateistët nuk ua venë veshin këtyre gjërave. Dhe kur i lexojnë mërziten dhe i flakin tutje. Por këto që po themi këtu janë të nxjerra nga vetë historia, nga vetë Shkrimi i Shënjtë, nga vetë jeta dhe eksperienca njerëzore.
Dashamirësia e Perëndisë
Kam edhe një ndodhi tjetër për t’ju treguar, e cila ndodhi gjatë kohës që Perëndia më vlerësoi të shërbej si prift ushtarak.
Atje pra në vijën e zjarrit, sipër në një kodër ku luftonim për atdhe’ – sipër në malet e larta, një natë kishim ngritur një çadër. Që herët në mëngjes pa lindur dielli, togeri hipi në majë të kodrës dhe pasi iu afrua çadrës filloi të thërriste një ushtar me emër.
-Jorgo!, i thërriti, dil pak se të dua për diçka.
U mërzit ushtari sepse e ngriti nga gjumi i ëmbël. I mërzitur thotë:
-Prapë mua më thërret për angari?…
E nxorri pra nga çadra dhe shpejt e shpejt e dërgoi diku tjetër ku ishte nevoja. Nuk kaluan as disa minuta dhe në vendin ekzakt ku po flinte ushtari bie një bombë dhe hap një vrimë të madhe.
Shpëtoi ushtari nga vdekja e sigurt. Ndaj këtë gjë e konsideroi si dashamirësi nga Perëndia.
Ajo pra, që disa do t’a konsideronin thjesht një koniçidencë të rastit, ishte me të vërtetë dashamirësia e Perëndisë për t’a shpëtuar.
Ëmbëlsi nga hidhërimi
Shumë gjëra të hidhura ndodhin në këtë botë. Por njeriu duhet të ketë sy dhe veshë që të shohë sinjalet dhe të perceptojë mesazhet që vijnë nga hidhërimet. Pastë në zemrën e tij mendimin e urtë që shumë herë në jetën e tij hidhërimet sjellin rezultate të mira dhe përfituese.
Edhe atëherë ne Jerusalem, kur i zbuan dhe persekutuan të krishterët e viteve të para, doli një rezultat i mirë. Shumë të krishterë, kur Romakët rrethuan dhe shkatërruan qytetin, nuk gjendeshin atje sepse kishin ikur për shkak të përndjekjeve, dhe në këtë mënyrë i shpëtuan rrezikut.
Nga kjo nxjerrim si mësim që njeriu nuk duhet të mërzitet tepër nga hidhërimet. Por të ketë gjithmonë besë të patundur tek Perëndia që t’iu bëjë ballë hidhërimeve.
Është fakt, të dashurit e mij, që Perëndia nga hidhërimi nxjerr ëmbëlsi. Ashtu si nga bajgat rritet trëndafili, kështu dhe nga ngjarjet e hidhura të jetës njerëzore vijnë rrjedhoja të gëzueshme dhe nga të cilat përfitojmë shumë.
Të gjithë ju që gjendeni në dhimbje, të gjithë ju që kini shqetësime dhe hidhërime, ju rekomandoj të lexoni Shkrimin e Shënjtë.
Hidhini në zjarr dhe digjini ato të shkreta gazeta që mbani nëpër duar dhe i thëthini ato që shkruajnë. Si një i babëzitur që e ha peshkun me gjithë hala, kështu i lexojnë sot njerëzit gazetat dhe revistat që nuk shkruajnë asnjë gjë mbresëlënëse, por janë plot gjëra të kota, plot turpe dhe gjëra që nuk thuhen dot.
E humbin kohën kot njerëzia. Kalojnë kot orë të tëra duke i lexuar. E zgjatin veshin nëpër radiot të dëgjojnë gënjeshtrat dhe marrëzitë e botës.
O njeri, mbylli ato radio dhe grisi ato revista. Dil nga shtëpia të Djelë dhe shko në Kishë. Merr në duart e tua Ungjillin e Shënjtë. Hape Shkrimin e Shënjtë dhe do të lexosh atje një histori që nuk e gjen dot askund tjetër. Duke e lexuar studioe, studioe me kujdes një herë, dy apo tri herë, dhe sado fatkeq që të ndjehesh, sado i mërzitur dhe i shqetësuar që të jesh, do të ndjesh brenda teje një freski, si ajo freskia që ndjen kur fryn flladi i Qershorit. Do të ndjesh ballsam në zemrën tënde.
Asgjë tjetër nuk mund të të ngushëllojë në këtë botë veçse Fjala e Perëndisë.
Kush është pra një nga historitë e Shkrimit të Shënjët?
Historia e Jovit
Është historia e Jovit. Lexoe Jovin! Çfarë i ndodhi Jovit? Brenda një ore i ndodhën njëmijë të këqia. E gjithë pasuria e tij u shkatërrua. Kusarët e plaçkitën dhe i vodhën kopetë me kafshët e tij, qe’ dhe gamile. Ra rufeja dhe ia dogji të gjitha dhentë. Ra tërmet dhe iu bë shtëpia pluhur. Të gjithë fëmijët që kishte i vdiqën në gërmadhat e shtëpisë që ra nga tërmeti. Dhe në fund atij vetë i ra lepra. Trupi iu mbush gjithë puçra. Mori qyramidhe dhe i kruante plagët. Tërë natën nuk mund të flinte për shkak të dhimbjeve, dhe rinte zgjuar tërë natën. Rronte mbi bajga. Dhe në gjithë këto vojtje nuk gjeti përkrahje apo ndihmë nga askush. Tre shokë të tij që erdhën nga larg t’a vizitonin dhe t’a ngushëllonin jo vetëm që nuk e ngushëlluan por e hidhëruan akoma më shumë. Akoma dhe gruaja e tij, e cila gjendej pranë tij për vite të tëra, shoqja e jetës së tij prej së cilës ai priste ngushëllim dhe përkrahje, kur e pa më ditë të hallit i tha: Si rron akoma? Vllasfimoe Zotin dhe vdis atje ku je që të shpëtosh (Iov.2:9).
Por ai, në gjithë këto dhimbje dhe hidhërime, që s’kishte as fëmijët pranë, as shtëpi e pasuri, as shokë, as shëndet, në këtë moment kulminant të hidhërimeve dhe dhimbjeve, i shkretë dhe i braktisur, hapi gojën dhe i tha gruas së tij: Pse fole si një grua e pamënd? Të mirat i pranuam nga dora e Perëndisë? Të këqiat pra nuk do t’i pranojmë? (Iov.2:10). Dhe në fund të vojtjeve të tij tha disa fjalë të paharruara: “Emri i Zotit qoftë i bekuar që tani e gjer në jetët” (Iov1:21).
Që atëherë kaluan 3000 vjet vëllezër të dashur. Dhe ato fjalë që tha Jovi kur gjendej mbi bajga, i braktisur, i shkretë dhe fatkeq, mbetën të pavdekshme. Këto fjalë të tij dëgjohen çdo herë që kryhet Liturgjia Hyjnore, dëgjohen çdo herë që prifti kryen Eukaristin Hyjnor. Por kush ka veshë t’i dëgjojë dhe kush ka vëmëndje t’iu kushtojë? Duke qënë prezent në Kishë gjatë orës së shënjtë të Liturgjisë, njëri hap gojën, tjetri shikon orën, tjetri pyet kur do mbarojë kisha… E megjithatë këto fjalë janë fjalë të florinjta. Nuk ka peshore që të mund t’i peshojë, janë fjalë të frymëzuara nga Perëndia. Këto fjalë që tha Jovi dhe që dëgjohen në fund të çdo Liturgjie Hyjnore, janë ngushëllim dhe ilaç shpirti për çdo njeri që vuan dhe që është në hidhërim. “Emri i Zotit qoftë i bekuar që tani e gjer në jetët”, dmth, qoftë i bekuar dhe i lavdëruar ermri i Perëndisë tani e përherë e në jetë të jetëve.
Këto fjalë të Jovit duhet të themi edhe ne. T’i themi si në gëzim ashtu dhe në hidhërim. T’i themi si në shëndet ashtu dhe në sëmundje. T’i themi si në jetë ashtu dhe në vdekje. T’i themi si në pasuri e kamje ashtu dhe në varfëri e skamje, t’i themi në çdo vështirësi që të gjendemi. Në çdo moment dhe kudo që të ndodhemi. Edhe kur ai zogu i zi, korbi i vdekjes, fluturon mbi shtëpinë tonë që të n’a marrë të dashurit tanë, edhe kur bien këmbanat e zisë, akoma edhe kur afron fundi i botës dhe dridhet dhe tundet dheu dhe gjithçka mbi të, mos kij frikë, nuk je vetë. Ka Zot. Ka Atë Qiellor. Është Trinia e Tërëshenjtë. Është Ai që të do dhe i dhimbsesh, dhe përkujdeset për ty.
Më thoni pra, ka ngushëllim më të madh se ky ndër hidhërime?!
Le t’a lavdërojmë dhe le t’a bekojmë Atë pra, Zotin dhe Perëndinë tonë. Dhe qoftë i bekuar, tri herë i bekuar, përjetë i bekuar dhe në jetë të jetëve. Amin.
Shërimi i Dhimbjes
(Predikim nga amvoni i Kishës së Shën Kostandinit dhe Elenës
në Amindeo, të Premten e Madhe të vitit 1976)
“Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”
(Pas Ioanit 16:33)
KËTO FJALË, të dashurit e mij, ishin fjalët përshëndoshëse që tha Zoti kur mbaroi Darka Mistike. Toni i zërit të Krishtit është melankolik. Pasi të iki unë, do të kini shumë hidhërime në këtë botë, por mos kini frikë, unë e munda botën.
Dhe me të vërtetë, nëse dikush vojti më shumë se çdo njeri tjetër, aq sa mund të quhet njeri i vojtjeve, dhimbjeve dhe hidhërimeve, ky është Biri i Virgjëreshës, Zoti ynë i Kryqëzuar. Dhe sado që vojti nuk u mund nga dhimbjet dhe hidhërimet, por thotë: kini kurajo dhe guxim, unë e munda botën.
Mbreti ynë në dhimbje
Jeta e Birit të Njeriut, që nga dita që lindi si njeri në stallë dhe deri në momentin që tha fjalët e fundit “Mbaroi” mbi kryq, ishte e brumosur me lotë, me dhimbje dhe hidhërim. Hidhni një sy, të dashur, hidhni një sy mbi të Kryqëzuarin.
Kur erdhi në këtë botë, pasi u lind në një shpellë të qelbur, e vuri Nëna e Tij e Shënjtë në një grazhd kuajsh. Akoma foshnjë dhe u dënua nga Irodhi, dhe kështu u detyrua të ikë si i persekutuar në Egjipt. Jetoi si më i varfëri nga të gjithë njerëzit. U përbuz nga klasat e larta të shoqërisë. U quajt i biri i një marangozi. U sha sa askush tjetër në botë, thanë fjalë shpifëse kundër tij sa për askënd tjetër në botë. Ai që ishte i papërlyer u quajt “shok i tagrambledhësve dhe mëkatarëve”. Ai që e deshi popullin e tij sa askush tjetër në botë, dhe Ai që përqafoi ata që ishin në dhimbje dhe që përbuzeshin u quajt mashtrues i popullit, kryengritës, demagog, gënjeshtar dhe kokëshkretë. Ai që ishte Mbreti i Ëngjëjve, u quajt prej farisenjve – o Perëndi më ndje’ – u quajt i demonizuar. Ai, mëndja e të cilit është diell që ndriçon tërë botën u quajt nga armiqtë e tij i marë. Për asnjë njeri tjetër nuk shpifën aq sa shpifën për Krishtin. Mund t’a imagjinoni dot hidhërimin që ndjente kur dëgjonte gënjeshtrat, mashtrimet, shpifjet dhe shtrembërimet prej armiqve të tij!…
Por nuk ishin këto të vetmet hidhërime që hoqi Krishti. Kishte dhe më të këqia akoma. Këto të fundit vinin nga rrethi i nxënësve të tij. Njëri e shiti për 30 argjënde. Tjetri, më i flakti, Petroja e mohoi përpara një shërbëtoreje, dhe bile me betim e stërbetim duke thënë “nuk e njoh këtë njeri”. Dhe në fund, në çastin kur e zunë u larguan të gjithë dhe mbeti vetëm, vetëm sa më s’bëhet, atje mbi shkëmbin e Golgothasë, mbeti vetëm Biri i Virgjëreshës.
Pësoi për ne
Krishti i pësoi të gjitha këto jo për mëkatat apo krimet e veta. E rrëfeu publikisht dhe Pillati, që ky njeri është i pafajshëm, nuk gjej dot asnjë gabim tek ai. Krishti pësoi për mëkatat tona.
Tetë shekuj më parë e parëtha profiti Isaia: “ky ngre mëkatat tona dhe për ne dorëzohet në duar armiqsh”. Të njëjtën gjë parëtha dhe Shën Joan Prodhromi, kur në breg të Jordhanit dëshmonte për Krishtin duke thënë “Ja qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës”. Pësoi për ne Krishti. Ofroi jetën e tij si “shpërblim” dhe veten e tij “theror” për gjithë njerëzimin. Sakrifica e tij është e vetme në botë. Është aq e madhe sa prek dhe yjet e qiellit.
Pra, kur i pamëkatëshmi pësoi dhe u kryqëzua, përse ju duket e çuditëshme kur neve vuajmë? Ashtu siç tha dhe vetë Krishti, bota i vuri zjarr drurit të njomë, që me vështirësi digjet; e përbuzi pra, e poshtëroi, e torturoi dhe e kryqëzoi të pamëkatëshmin Bir të Perëndisë, i cili jo vetëm që s’kishte faj për asgjë por iu bëri mirë të gjithëve. Çfarë pra presim të n’a bëjë ne mjeranëve dhe mëkatarëve, që jemi përgjegjës për gjithë ato krime, që jemi degë të thata dhe pemë pa fruta, që nuk kemi asnjë forcë jetësore dhe digjemi menjëherë? Bota që dogji drurin e njomë, akoma më tepër do të djegë degët e thata, do djegë mëkatarët.
Shembull durimi
Vojti Krishti. Dhe me durimin e tij u bë shembull durimi për të gjithë njerëzit. Sepse s’ka asnjeri që të mos provojë dhimbje, dhe të mos heqë hidhërime të vogla apo të mëdha. Iovi i shumë-mjerë thotë “zogjtë u lindën të fluturojnë lart, dhe njeriu u lind që të notojë në dhimbje”. Shekulli që jetojmë është shekull dhimbjesh dhe hidhërimesh të mëdha.
O ju që kini dhimbje të fshehta, plagë të fshehta, qoftë nga njerëzit tuaj apo të huajt, mos ia ndani sytë të Kryqëzuarit, prototipit të durimit, dhe merrni guxim dhe kurajo. “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”. O jetimë që vuani, ju që nuk keni nënë e babë, hidhni sytë mbi të Kryqëzuarin i Cili ju thërret nga Kryqi: “Kurajo, mos u tronditni!” O vejusha, ju që pitë kupën e hidhur të vejërisë dëgjoni të Kryqëzuarin që ju flet “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”. Baballarë të varfër, që përpiqeni që nga mëngjesi deri në darkë të nxirrni një copë bukë, kini kurajo, i Kryqëzuari ju bekon së lartazi. O ju gra, o ju nëna që u braktisët prej bashkëshortëve tuaj dhe tani mbetët vetëm në këtë botë, kini kurajo. O ju të sëmurë që rënkoni mbi krevat, duke qënë krevati kryqi i Golgothasë suaj, dëgjoni Krishtin që ju thotë: “Kini zemër; unë e munda botën”.
O ju vëllezërit tanë, të papunë, të pastrehë, të burgosur, vëllezër që gjendeni në gjyqe, vëllezërit tanë që gjendeni rrugëve të kurbetit, dëgjoni fjalët e Krishtit që ju drejton juve sot “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”.
Këto fjalë ua drejton Krishti të dëshpëruarve të të gjithë shekujve, por në fillim dhe veçanërisht ua drejton bijve të tij të zgjedhur. Nuk janë vetëm bijtë e natës së errët, nuk ka vetëm shkronjës dhe farisenj, nuk ka vetëm vlasfimtarë dhe shtrembësira të shoqërisë, janë dhe bijtë e zgjedhur të të Kryqëzuarit, bijtë e zgjedhur të dritës.
Ndaj dhe unë iu drejtohem grave, burrave dhe fëmijëve që kanë besë të patundur tek Jisu Krishti dhe ju them:
Kush duron fiton
O bij dhe bija të zgjedhur të të Kryqëzuarit, grigjë e shënjtë burrash, grash mirofore dhe fëmijë, që guxoni në këtë shekull ateizmi të bëni kryqin, të flisni për Krishtin dhe t’i rezistoni rrymës së mëkatit dhe që shkoni kondra me dëshirat e paturp të botës, juve veçanërisht ju drejtohet fjala e Zotit që thotë “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”.
Do vuani, bota do t’ju kryqëzojë. Por kini zemër dhe kurajo. Fitorja e fundit nuk iu përket të poshtërve, as të korruptuarve, as ateistëve dhe materialistëve. Fitorja është e të Kryqëzuarit. “Kini zemër se unë e munda botën”. Sa më afër të Kryqëzuarit të jini, sa më shumë të përpiqeni të jetoni sipas fjalëve të Krishtit, sa më shumë të përpiqeni të zbatoni porositë e kulluara të Tij, sa më shumë të përpiqeni t’i ngjani Atij, aq më shumë do kini hidhërim.
Pranë Kryqit të të Kryqëzuarit do të ngrihet dhe kryqi tuaj, së bashku me një shumicë kryqesh të tjerë. Por, “kini zemër se unë e munda botën”. Fitorja është e jona. Nga lotët do të dalë diçka madhështore. Dikush tha “Ai që nuk e lagu krevatin e tij me lotë, nuk e njohur Perëndinë”. Duhet të qajmë, duhet të vuajmë, duhet të kalojmë nëpër furrën e dhimbjeve dhe të hidhërimeve që të pastrohemi. Ashtu sikundër floriri pastrohet dhe bëhet safi’ në zjarr kështu dhe shpirtet e të zgjedhurve ndritin dhe llamburitin nga hidhërimet.
Shkolla më e lartë e botës është universiteti i dhimbjeve dhe hidhërimeve. Ata që kaluan nëpër furrën e nxehtë të dhimbjeve dhe hidhërimeve, ata që u dergjën burgjeve, ata që vuajtën nga shpifjet e botës, ata që u plagosën prej botës dhe qanë, vetëm këta e njohën thellësinë e jetës njerëzore. Dhe Krishti është shembulli dhe prototipi i tyre. Tek Ai i hedhin sytë, prej Tij marrin forcë, fuqi dhe durim.
Mjekësia arriti të nxjerrë ilaç shpëtues nga helmi i kobrës, nga ky gjarpër i hidhur farmaq. Po kështu dhe besa tek Kryqi nxjerr ilaçin shpëtimtar prej hidhërimeve, nxjerr ëmbëlsi nga hidhërimi.
Kini zemër pra, ju bij e bija të hidhërimeve të mëdha. Nuk jemi jetimë, të vobegët dhe në mes të katër rrugëve. Është me ne Krishti. Bashkë me Të do të ngjitim një nga një shkallët e Gollgothasë, që të arrijmë në lartësitë ku n’a thërret Ai.
Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
16 Tetor, 2007 – Kryeqindësi Longjin
Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe shpirti Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë Orthodhokse të Krishtit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të flaktë të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!