TRE LINDJET E KRISHTIT
TRE LINDJET E KRISHTIT
“Edhe të lindurit e Jisu Krishtit kështu ka qënë”
(Matthe 1:18)
Përsëri, të dashur vëllezër, n’a vlerësoi Zoti të dëgjojmë “Krishti lindet lavdërojeni…” Le të përpiqemi dhe ne t’i afrohemi sado pak misterit të madh të Krishtlindjes.
Me syrin e besimit dallojmë tre lindje të Krishtit.
-Tre lindje? Një a nuk është lindja e Krishtit?
Tre janë vëllezër lindjet të cilat rrethohen nga misteri i ekonomisë hyjnore. Lindjen e parë e trumpeton ungjillori Joan, të dytën ungjillori Matthe, dhe të tretën Apostoll Pavli.
1. Lindja e Parë e Zotit është jashtë kohës (pa fillim e mbarim). Sepse Krishti nuk është thjesht njeri, është dhe Perëndi. Secili prej nesh jeton për një farë kohe të shkurtër; dikur ishte një kohë kur nuk ekzistonim, dhe përsëri do të jetë një kohë kur nuk do të ekzitojmë trupërisht mbi dhe’. Por Zoti ynë Krisht përbën një përjashtim. Ne të krishterët orthodhoksë besojmë që nuk kishte kurrë kohë gjatë së cilës Krishti nuk ekzistonte. Shënoheni mirë këtë që po ju them. Kështu pikërisht në këtë pikë bëri betejë të ashpër shpirtërore Shën Thanasi i Madh kundër Ariosit, dhe akoma vazhdon edhe sot Kisha jonë të luftojë hiliastët dhe heretikët e tjerë të cilët thonë që Krishti është krijesë dhe dikur nuk ekzistonte. Këtu pikërisht është esenca e Krishtërimit. Nuk kishte kurrë moment apo kohë që Krishti të mos ekzistonte. Kurrë! Përpara se të krijohej dheu dhe njeriu, përpara se të krijoheshin galaksitë, përpara diellit dhe hënës, dhe duke vazhduar më tutje në të kaluarën e pafund – nëse ke mundësi të thellohesh në pafundësinë e të kaluarës – dhe nuk do t’ia gjesh dot anën – ekziston Zoti! Kur Ati, kur Biri.
Si ekziston? “U lind dhe nuk u bë”. Nuk u krijua, ashtu siç u krijuan ëngjëjt dhe gjithë krijesat e tjera, por lindi prej Atit. Kjo pra është lindja e pakohë prej Atit. Përpara krijimit të yllit të mëngjesit, përpara krijimit të botës, lindi Biri prej Atit. Lindjen e pakohë të Krishtit me madhështi e përshkruan edhe ungjillori Joan kur thotë: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi” (Joan 1:1).
2. Përveç lindjes së pakohë kemi edhe një lindje tjetër. Është lindja brenda kohës dhe në trup, lindja e dytë pra, përkujtimin e të cilës festojmë sot.
Këtë lindje të Krishtit përshkruan më tepër se të tjerët ungjillori Matthe kur thotë: “Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qënë…” (Matthe 1:18). Kështu pra Perëndia e pafillimtë dhe e pambarimtë u shfaq brenda kohës, duke u bërë pjesë e historisë. Hyri pra në histori që t’a ndajë historinë, që të krijojë një botë të re. U lind brenda kohës. U lind kur mbizotëronte perandori August Qesari. U lind në kohën e Irodhit të egër. U lind në Vithlehem të Judhesë. Hyri në botë si foshnjë. U lind prej Virgjëreshës. Por ndërkohë që ne predikojmë këto, vjen ateizmi dhe mosbesimi dhe çfarë n’a thotë?
-Si mundet që prej virgjëreshe të lindet njeri?
Hesht dhe mbylle gojën, pabesim! Do të të pyes, si u krijua njeriu i parë pa nënë e babë? Si? Dhe përderisa Zoti i Madh krijoji njeri pa prindër – dhe krijimi i njeriut pa prindër është mrekulli akoma më e madhe se lindja prej gruas – do të ishte pra akoma më e lehtë të lindej njeriu prej virgjëreshës.
Por mosbesimi këmbëngul.
-Si Perëndia i pakuptueshëm, i pambarim, i palëndëshëm dhe i pavdekshëm, si e preku tokën?
Temperatura e diellit arrin në mijëra gradë Celcius. E megjithatë dielli prek tokën me rrezet e tij duke mos e vënë atë në rrezik. Por më lart se ai diell është një diell tjetër, është Krishti. A e dëgjuat troparin? “…Ty të të falen diellit të drejtësisë…” Ashtu si dielli prek tokën dhe as toka digjet dhe as dielli nuk ndotet nga papastërtitë e tokës, kështu edhe Krishti, dielli shpirtëror, prek tokën. Dhe ashtu siç trupi e ndjen diellin, kështu dhe shpirti, kur beson, e ndjen diellin Krisht.
-Por, këmbëngul pabesimi, si mundet që Virgjëresha lindi djalë?
N’a shpjegon Shën Vasili i Madh: e shikoni dielllin? Rrezet e tij depërtojnë kristalin dhe ai nuk thyhet. Në të njëjtën mënyrë edhe Krishti kaloi në trupin e Virgjëreshës Mari, nëpërmjet membranave virgjërore, nëpërmjet membranave të xhamta, thotë Shën Vasili i Madh. Në këtë mënyrë pra kaloi edhe dielli Krisht nëpërmjet këtij kristali, dhe mbeti e paprekur virgjëria e Hyjlindëses së Përmbishënjtë.
Por deri ku shkon mosbesimi? Kur i thua atij që s’beson se Perëndia është lart përmbi qiejt, të thotë “kaq lart nuk e shikoj dot”. Kur të vijë përsëri Perëndia mbi tokë, përsëri do të dalin t’a presim…
3. Është edhe lindja e tretë. Një herë lindi Krishti prej Atit. Herën e dytë lindi prej Virgjërës Mari. Duhet edhe për herën e tretë të lindë. Nëse nuk lind përsëri, oh… më kot festat që festojmë dhe kot që rrojmë në këtë botë. Duhet pra të lindë edhe një herë. Ku të lindë?
Lindjen e tretë të Krishtit e psall Apostolli Pavël. Diku në një nga letrat e tij e dëgjoj Pavlin e shënjtë të thotë: kam dhimbje, mundohem dhe rroptohem. Përse mundohesh kaq shumë o Pavël? Për para, për fitime pasurish, për shtëpi, për çfarë? Mundohem kaq shumë, n’a përgjigjet Apostolli i shënjtë, që të lindë Krishti dhe të zerë vend në zemrat tuaja. (Let. Pav. Gallat. 4:19). Dhe Korinthianëve iu shkruan: “unë ju linda juve në Krishtin Jisu me anë të ungjillit” (Let.I. Pav. Korinth. 4:15) – dmth jam ati juaj shpirtëror.
Ekziston pra edhe lindja shpirtërore. Po. Atje ku ekziston besimi, shënjtërimi, ndjenjat fisnike, atje ka lindur dhe banon Krishti.
Nuk dua t’ju pikëlloj, nuk dua t’ju prish gëzimin e ditës së sotshme. Nuk jam profet, as linda prej profeti; njeri mëkatar jam edhe unë dhe nuk jam i denjë të puth as këmbët tuaja. Por kam frikë o vëllezër, sepse me një qime po mbahet bota. Ku t’a dimë që Krishtlindjet e sivjetshme nuk janë Krishtlindjet e fundit që do të festojë njerëzimi? A dimë nëse do të denjësohemi të festojmë edhe Krishtlindje të tjera? Ndaj me dorë në zemër po ju lutem, sonte kur të vini në shtëpitë tuaja pyesni zemrën “o zemra ime, kush banon brenda teje”? Kush është brenda zemrave tuaj o vëllezër? Çfarë sundon zemrat tuaja?
Nuk dua të përgjigjem. Nuk mundem të them kush është brenda zemrës së çdo njeriu. Sepse do të më duhej një kyç me anë të të cilit të çkyç zemrat e të vegjëlve dhe të mëdhenjve, zemrat e të varfërve dhe të pasurve, të analfabetëve dhe të shkolluarve, që të shoh se kush është brenda tyre. Është brenda tyre Krishti? Është brenda tyre ikona e tij e shënjtë, idetë e tij, dashuria e tij, shpresa e tij, ëndrrat e tij, yjet e tij, a rreh zemra për të? Përgjigjuni, vëllezërit e mij, kësaj pyetjeje. Kush është brenda zemrës suaj?
***
Të dashurit e mij! Zemrat tona kërkon Perëndia. Përveç panairëve, përveç festave, mbi të gjitha zemrat tona le t’i ngrehim tek Krishti. Nuk është mit Krishti ynë – është çudi dhe mrekulli, është jetë, është fuqi, është gjithçka që i duhet njeriut. Zemrën pra, jepia Krishtit!
Mbyllni në zemrat tuaja Krishtin dhe do të ndjeni çdo lloj madhështie! E Tij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.
† Episkop Avgustini
Predikim i mbajtur në
Kishën e Lindjes së Krishtit në
Athinë më 25 Dhjetor, 1961
Add A Comment
You must be logged in to post a comment.