Αυγουστίνος Καντιώτης



Djalli dhe punët e tij

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian
“Trumpeta e Orthodhoksisë” (“ΣΑΛΠΙΓΞ ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ”)

Djalli dhe punët e tij

Shkruan arqimandrit +at Epifan Haxijangu

Ekziston djalli?

Shumë njerëz nuk besojnë që ka djall.  Por djalli është pjesë e realitetit.  Për këtë n’a siguron libri i Perëndisë, Shkrimi i Shënjtë.  Ekzistencën e tij e vërtetojnë po ashtu dhe fenomenet e përmbinatyrshme dhe të vërteta që kryen djalli me organet e tij të ndryshme.  Suksesin më të madh djalli e korr kur arrin të n’a bindë që nuk ekziston djalli.

Sipas Shkrimit të Shënjtë pra, djalli në fillim ishte ëngjëll i ndritur plot dritë, quhej Eosfor.  Në një moment deshi në mënyrë arrogante të bëhej dhe ai Perëndi dhe t’a ngrinte fronin e tij më lart se yjet.  Menjëherë ra poshtë si vetëtimë prej qiellit duke rrëmbyer me vehte dhe një nga ushtëritë e ëngjëjve.  Të gjithë këta ëngjëj u bënë “ëngjëj të pafundshmërisë/errësirës”, demonë.

Djalli, ose Satanai, është armiku më i madh i njeriut.  E urren për vdekje njeriun, ashtu si dhe gjithë krijesat e Perëndisë.  Djalli ishte shkaku që mëkatoi njeriu dhe të hidhej jashtë Parajsës.  Më tej bëri gjithçka të mundur që t’a çonte njeriun në mashtrim, në degjenerim moral, në prishje dhe shthurrje.

Por Perëndia si njeridashës që është, nuk e la krijesën e tij të torturohet dhe të vuajë.  Me mishërimin e Tij, me mrekullitë e Tij, me mësimet e Tij hyjnore, me vdekjen e Tij mbi Kryq dhe më pas Ngjalljen e Tij të lavdishme “dërrmoi prangat e punëve të djallit”, dhe shpëtoi njerëzit nga tirania e tij.

Me punën shpëtimtare të Krishtit, djalli nuk është më “sundues i botës”.  Fuqia e tij u kufizua, por nuk u zhduk tërësisht.  Vazdhon edhe pas ardhjes së Krishtit në tokë të veprojë me energjitë e tij nëpër botë, sa herë dhe me aq sa i lejon Zoti, dhe do të vazhdojë kështu deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit kur të bëhet dënimi i tij përfundimtar.

Si vepron djalli?

Në vazhdim do të përmendim disa nga punët e satanait të cilat dëshmojnë ekzistencën e tij si dhe urrejtjen e tij pa fund ndaj njeriut.

A) Të demonizuarit

Prova më bindëse e ekzistencës së djallit janë njerëzit e demonizuar.  Njerëzit e demonizuar janë njerëz brenda të cilëve, me lejimin e Perëndisë, jetojnë dhe veprojnë demonët.  Kur e zë kriza një të demonizuar, bën veprime të frikëshme dhe mbinjerëzore.  Fytyra  tij shndërrohet krejt duke u bërë e egër, tund me shpejtësi kokën dhe e kthen nga mbrapa, nxjerr thirrje të llahtarshme, shan dhe thotë fjalë turpe, nxjerr shkumbë nga goja, hidhet në zjarr, në ujë etj.

Këto fenomene bëhen zakonisht kur është hëna e plotë.  Dhe këtë gjë e bën djalli, pikërisht atëhere, me qëllim që të bindë njeriun që hëna ka fuqi mbinatyrore ndaj njeriut.

Kryen veprime të mbinatyrshme: njeriu i demonizuar i zgjidh prangat me të cilat e kanë lidhur sikur të ishin penjë, i thyen me dorë gurët prej çimentoje sikur të ishin shkarpa (karateja pra…) dhe të gjitha këto pa pësuar asgjë.

Zbulon të fshehta personale të njerëzve, apo mëkata që ka bërë dikush (zakonisht ato mëkatat që nuk janë rrëfyer), dhe e poshtëron tjetrin në publik.

Gjatë kohës së Liturgjisë Hyjnore, ose kur ndodhet përpara lipsanash shënjtorësh ndjen zjarr që e djeg.  Përpara Kryqit të Zotit ndjen që po therret.

Të gjitha këto nuk janë fenomene thjesht natyrore, as sëmundje nervash.  Janë veprime të mbinatyrshme të frymërave të ndyra të cilat ndodhen brenda njeriut të mjerrë.

Shkaqet e demonizimit

Nëse do t’a kishte në dorë djalli, do të hynte brenda të gjithë njerëzve dhe do t’i demonizonte të gjithë.  Por këtë gjë nuk ia lejon Perëndia.  Lejon vetëm në raste të veçanta të ndodhë një gjë e tillë, dhe këtë gjë e lejon për arësye të cilat i di vetëm Ai.

Zakonisht, lejon Perëndia djallin të hyjë në ndonjë njeri:
1) Në qoftë se ai njeri ka shkuar në magjistarë. 2) Në qofte se ka kryelartësi të madhe, dhe e lejon Zoti këtë gjë me qëlllim që të përulet. 3) E lejon Zoti djallin të hyjë në ndonjë njeri me qëllim që t’u japë mësim të mirë prindërve për ndonjë mëkatë të madhe që mund të kenë bërë. 4) Ka patur raste që janë demonizuar fëmijë kur i kanë mallkuar, ose kur nëna e tyre ju ka thënë “ju marrtë djalli”.

Se si shërohen të demonizuarit do t’a shtjellojmë më poshtë.  Por duhet të dini që mundet që për shkak të së keqes që ndodh të pendohet edhe i demonizuari edhe gjithë familja e tij, dhe kështu duke shkuar në Kishë, me lutjet, parakliset dhe kreshmët e tyre të shpëtojnë.

B) Magjitë

Shumë veta thonë që magjitë nuk janë të vërteta.  E megjithatë janë të vërteta.  Shpesh-herë dëgjojmë shumë njerëz të ankohen nga dhimbje koke apo sëmundje të tjera, pa patur ndonjë shkak natyror.  Gjithashtu vihen re shpesh-herë sherre dhe shamata pa asnjë shkak nëpër familje, prishje të fejesave apo martesave, dështime apo disfata të njëpasnjëshme në jetë etj.  Të gjitha këto mund të lidhen me objekte të ndryshme që mund t’i kenë lënë nëpër oborret e shtëpive të tyre, si përshembull qime, krërë, sapunë, kocka lakuriqë-nate, qirinj, kordele, thonj etj.

Si bëhen magjitë

Magjia në esencë nuk është tjetër gjë veçse adhurim i djallit, i satanait, i shejtanit, i qoftë largut.  Magjistarët dhe magjistaret janë “priftërinjtë” e djallit.  Me thirrje dhe lutje të ndryshme satanike derdhin energjinë e tyre demoniake mbi objekte të ndryshme.  Kjo energji demoniake më pas transferohet mbi atë i cili e merr atë objekt.
Kujdes të madh ju lutem!  Mund të dëgjojmë magjistarët t’i luten Perëndisë, Hyjlindëses Mari, apo shënjtorëve; mund të shohim që kanë edhe ikona, temjan etj.
Akoma më tepër, mund të përdorin dhe “ujin e nxehtë” që përdoret gjatë Liturgjisë Hyjnore, apo ujë të bekuar (ajazmo).  Le të mos e lemë djallin të n’a i hedhë.  Shkrimi i Shënjtë thotë që djalli me qëllim që të mashtrojë dhe të tërheqë në udhën e tij njeriun, akoma dhe në ëngjëll drite shndërrohet (Let. II-të e Pav. Korinth. 11:14).

Veprimi i magjisë

Magjistarët mund të veprojnë mbi natyrën e pallogjikshme.  Për shembull, mund të ndërhyjnë me energjinë e tyre dhe të shkaktojnë dëme në bujqësi, ose të ngordhin kafshë etj.  Por kryesisht veprojnë ndaj njeriut.
Paraqiten si njerëz të mirë dhe ju premtojnë viktimave të tyre që do t’iu japin çfarë të duan: pasuri, punë, bashkim në rastin e çifteve, shërim nga sëmundje të ndryshme etj. (magjia e bardhë në terminologjinë e tyre).  Disa nga këto gjëra dhe mundet edhe t’i realizojnë, me lejimin e Perëndisë sigurisht.  Por rezultati përfundimtar është e keqia që i shkaktohet njeriut nga këto punë.
Shën Joan Gojëarti thotë që “edhe sikur të të shërojë djalli, mos mendo se të bëri mirë. Ndofta i bëri mirë trupit por dëmtoi tepër rëndë shpirtin tënd.  Sepse djalli vetëm të keqen di të bëjë.  Unë do preferoja më mirë të vdes sesa të rend në armiqtë e Krishtit.”
Përveç këtyre pra, magjistarët dhe magjistaret kënaqin dhe pasionet hakmarrëse të njerëzve.  Kështu shkakton urrejtje dhe poterre me qëllim që të ndahen çiftet bashkëshortore, të ndodhin sëmundje të pashërueshme, të shkaktohen aksidente, vrasje, të kryhen krime makabre etj. (magjia e zezë sipas magjistarëve).
Dhe të gjitha këto bëhen me pagesë të madhe parash.  Shpesh-herë me mashtrime dhe premtime të gënjeshtërta marrin pasuri të tëra nga njerëz naivë.
Në mbledhjet e tyre adhuruese të magjisë së zezë bëhen gjëra të frikëshme dhe të llahtarshme.  Mblidhen në vende të izoluara, pyje, qilare apo vënde të tjera si këto.  Në këto vënde prania e gjakut është e domosdoshme.  Për këtë arësye vrasin njerëz – preferojnë fëmijë – ose vrasin kafshë dhe thithin gjakun e tyre.  Përveç këtyre bëjnë dhe orgji të turpshme.  Simbol të tyre kanë yllin hebraik me pesë cepa.

Mësyshja

Një lloj tjetër magjie që përdorin është dhe mësyshja – të marrët më sy.  Njerëz të liq shohin me sy demoniak tjetrin që është mirë (gëzon shëndet, është i lumtur, ka para, është i pashëm, ka suksese në jetë etj.) dhe me bashkë-energjinë e satanait i shkaktojnë të keqe.
Në këto raste duhet të rendim menjëherë në Kishë, dhe vetëm në Kishë, ku prifti n’a lexon një lutje/efqi të veçantë kundër mësyshjes.  Asnjëherë nuk duhet të shkojmë në gra që largojnë mësyshjen me “këndime”, gra kurbate/evgjite apo persona të tjerë, sepse mund të jenë magjistare apo magjistarë dhe mund të shkaktojnë probleme akoma më të mëdha.

Kë zenë magjitë
Magjitë zenë ata njerëz të cilët nuk jetojnë ndërgjegjshmërisht jetë kristiane.  Më konkretisht, magjitë zenë:
Gjithë ata që jetojnë në mëkatë (kurvëri, shkelje të kurorës bashkëshortore etj).  Gjithë ata që nuk venë në Kishë dhe nuk ndjekin Liturgjinë Hyjnore.  Liturgjia Hyjnore është zjarr që djeg të ligun.  Magjia ze gjithashtu edhe të gjithë ata që nuk shkojnë në rrëfim dhe nuk kungohen.

Armët kundër djallit dhe magjisë
Gjithmonë të varim kryq në qafë dhe t’a kemi gjithnjë me vehte.  Të bëjmë kryqin shumë herë gjatë ditës dhe natës. “O Zot, armë kundër djallit n’a dhe Kryqin Tënd” thuhet në një nga himnet e të Djelës së Kryqit.  “Shënja e Kryqit mposht çdo magji”, n’a thotë Shën Athanasi i Madh.  Lipsanet e shënjtorëve i bëjnë demonët të largohen me vrap.  Duhet të kemi Ungjill(*) në shtëpi dhe t’a studiojmë çdo ditë e çdo natë. “Shtëpisë që ka Ungjill (dhe e lexon) nuk i afrohet djalli” n’a thotë ati ynë ndër shënjtorët Shën Joan Gojëarti.
Lutja dhe kreshma. Krishti iu tha dishepujve të Tij kur shëroi një të ri të demonizuar: “ky komb demonësh nuk del përveç se me lutje dhe agjërim” (Matth.17:21).
Efqelia. Një magjistare pasi u bë një efqeli në një shtëpi thërriste: “dikush më lidhi duart”.
Ajazmo.  Ajazmoja është zjarr që djeg djallin.
Rrëfimi. I tha një djall dikur një asketi: “ia kam shumë frikën asaj banjës që bëjnë të Krishterët” dmth rrëfimit.
Kungata Hyjnore.  Është arma më e fortë kundër djallit.  Mjafton vetëm të kungohemi denjësisht, duke plotësuar pra të gjitha detyrat shpirtërore përpara kungimit “me frikë Perëndie, besë dhe dashuri”, me rrëfim dhe ndërgjegje të pastër. Veçanërisht për të demonizuarit ka lutje/efqi të veçanta që quhen eksorqizmi’.  Këto lutje bëhen në raste të veçanta dhe vetëm nga priftërinjtë.  Persona të tjerë (magjistarë, eksorqistë etj) jo vetëm që nuk mund të nxjerrin djajtë, por e keqësojnë gjendjen akoma më tepër.
E njëjta gjë edhe për mësyshjen.  Askush nuk ka të drejtën e largimit të syrit të lig përveç priftit.

______________________________

(*) Ungjillin nuk duhet dhe nuk mjafton vetëm t’a kemi në shtëpi; jo vetëm t’a kemi vendosur pra në ikonostasin e shtëpisë dhe t’a lemë atje të zerë pluhur, por duhet studiuar çdo ditë e çdo natë, ose çdo herë që kemi mundësi.  Përndryshe, vetëm të kesh Ungjill në shtëpi dhe kurrë të mos e hapësh është njësoj sikur të kesh një “pushkë” bosh pa plumba dhe t’a lesh të ndryshket e të pluhuroset.  Me armë bosh nuk mund t’a luftojmë armikun, të ligun pra.  Shën Joan Gojëarti thotë dhe diçka tjetër shumë të bukur: gjithë ata që nuk studiojnë Ungjillin e Krishtit (Shkrimin e Shënjtë dhe Librat e Shënjta në përgjithësi) janë si ata që shkojnë në luftë pa patur armë dhe pa u përgatitur.
Ndërsa ish-Mitropoliti i Follorinës Gjerond Avgustini iu thotë besimtarëve në një nga predikimet e tij të flakta: pa ngrënë darkë të bini të flini, por pa lexuar qoftë dhe një rrjesht nga Ungjilli i Shënjtë kurrë të mos bini të flini.

Shënim i përkthyesit

Dhe së fundi, duhet mbi të gjitha njeriu të përpiqet çdo ditë të bëjë jetë të Krishterë duke zbatuar porositë e Perëndisë.

Larg magjistarëve/magjistareve
Në ditët tona magjia bën kërdinë.  U mbushëm plot magjistarë dhe magjistare.  Kujdes pra!  Magjia është adhurim i djallit.  Qëndroni larg magjistarëve dhe gjithçka ka të bëjë me ta (astrologë, medium, ata që thërresin shpirtrat në komunikim, fallxhorë/fallxhore dhe ata/ato që shikojnë filxhanët e kafeve etj etj).
Gjithë ata që thërresin për ndihmë djallin duke shkuar në magjistarë, mohojnë dhe tradhëtojnë Krishtin. Pikërisht për këtë arësye Kisha ka caktuar dënime të rrepta ndaj këtyre njerëzve, deri në 6 vjet nuk lejohet të kungohen.  Kurrë të mos harrojmë që Krishti është shumë më i fortë dhe më i fuqishëm se djalli, dhe mundet me një të fryrë t’a bëjë të zhduket.  Brenda Kishës shpëtimtare njeriu është i sigurt dhe nuk mund t’a prekë vullneti i të ligut.
Po e mbyllim këtu me fjalët e Shën Nikodhimit Agjioritit (të Malit të Shënjtë): “Magjistarët, magjistaret dhe gjithë sa rendin tek ata nuk kanë vënd në Mbretërinë e Qiejve.  Humbin vëndin e tyre në Parajsë. Dhe ku venë?  O mjerr për ta! Shkojnë direkt në ferrin e përjetëshëm së bashku me të pafetë dhe idhujtarët (shih Apokalipsin Kr.21:8) dhe atje do të vuajnë më tepër se ata.
Për dashurinë e Krishtit pra, dhe për shpëtimin e shpirtit tuaj, ruajuni, vëllezërit e mij, ruajuni nga magjia.  Dhe përsëri ju them, RUAJUNI!  Mos shkoni në magjistarë dhe magjistare.  Për çdo gjë që të kini nevojë të kërkoni ndihmën e Perëndisë, të luteni që t’ju mbrojë Hyjlindësja e Përmbishënjtë dhe të luteni që të ndërmjetojnë gjithë shënjtorët.  Kështu, edhe nga sëmundjet dhe nevojat tuaja do të shpëtoni, por edhe nga ferri i përjetëshëm do të shpëtoni dhe Mbretërinë e Qiejve do të trashëgoni; qofshi pra të gjithë ju të denjë për Mbretërinë e Perëndisë me Hirin e Jisu Krishtit. Amin.”

Përktheu nga Greqishtja
Aleksander Filip
Kreshmë të Mëdha 2008

Ky tekst u shkëput nga revista dy-mujore
e Mitropolisë së Follorinës
“Trumpeta e Orthodhoksisë”
(“ΣΑΛΠΙΓΞ ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ”)

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.