Αυγουστίνος Καντιώτης



Njohja me Shënjtorët – E Diela e Të Gjithë Shënjtorëve

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Episkop Avgustini Kantioti

Njohja me Shënjtorët – E Diela e Të Gjithë Shënjtorëve

Predikim i mbajtur nga Episkop Avgustini, ish-Mitropoliti i Follorinës,
në Kishën të Gjithë Shënjtorëve të Eordhesë më 21 Qershor, 1981.

Sot, të dashurit e mij, është festë e madhe dhe panair i shënjtë.  Festojnë sot, jo një apo dy shënjtorë por shumë shënjtorë – është festa e Të Gjithë Shënjtorëve.  Sa janë në total të Gjithë Shënjtorët? Miliona.  A mund të numurojmë dot yjet e qiellit?  E pra, sa mundësi kemi të numurojmë yjet po aq mundësi kemi të numurojmë të Gjithë Shënjtorët.  Ka Shënjtorë të njohur dhe të panjohur.

Shënjtorët janë të çdo lloj moshe.  Janë foshnja, si ato 14,000 foshnjat që therri Irodhi para se të lindej Krishti.  Janë fëmijë, si p.sh. Shën Kirikoja i cili martirizoi së bashku me ëmën e tij Shën Julitan.  Janë djem të rinj si ata 3 djelmoshat që preferuan të bien në kazanin që zjente sesa t’i faleshin idhullit të Navuhodhonosorit.  Janë virgjëresha, si zambakë të qashtër, si p.sh. Shën e Premtja apo Shën Parashqevija, Shën Irini, Shën Marena dhe plot e plot të tjera.  Dhe më së fundi janë burra, kryesisht shënjtorët janë burra në moshë të pjekur apo të avancuar.

Shënjtorët janë nga çdo lloj profesioni.  Janë barinj, si p.sh. Shën Spiridhoni që kishte kope me dele.  Janë bujqër që kultivonin tokën, që gërmonin dhe ujitnin dheun me djersën e tyre.  Janë edhe zanatçinj, si Shën Josifi, mbrojtësi i së Tërëshënjtës dhe Virgjëreshës Mari.  Janë edhe mësues, si p.sh. Tre Ierarhët, Shën Vasili, Shën Grigori dhe Shën Joan Gojëarti.  Janë gjithashtu edhe ushtarakë, si p.sh. 40 Shënjtorët që i hodhën në lumin e akullt të Sevastisë.  Janë edhe gjeneralë, si p.sh. Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri.  Janë akoma edhe mbretër, si p.sh. Shën Konstandini i Madh dhe nëna e tij e Shënjta Eleni.  Nuk janë pra vetëm priftërinj-kallogjerë-asketë, janë pra Shënjtorët nga çdo lloj profesioni.

Shënjtorët janë nga të gjitha vendet, nga të gjitha kombet dhe gjuhët e botës.  Por vendi që ka më shumë Shënjtorë është Greqia.  Ka Shënjtorë nga Peloponezi, nga sipërfaqia tokësore apo nga ishujt, Shënjtorë nga Thraka apo Maqedonia, Shënjtorë nga Kreta apo nga Qiproja, kudo Greqia ka Shënjtorë.  Por më tepër Shënjtorë nga të gjitha vendet ka Azia e Vogël – atje janë më të shumtët.  Kudo që të gërmojmë dheun, në Smirni, në Ikonio, në Qesari, në Sinopi, në Trapezundë, në çdo vend të Azisë së Vogël do të gjejmë lipsana Shënjtorësh dhe Martirësh.

Pse i nderojmë Shënjtorët?  Çfarë bënë Shënjtorët? Ata të gjithë bënë ato që nuk bëjmë ne të Krishterët e sotshëm.
1-Pikë së pari dhe mbi të gjitha besonin tek Krishti me zemër të flaktë, me të gjithë shpirtin e tyre kishin besim tek Krishti.
2-Nderonin dhe donin kryqin.  Kishin mbi shpinat e tyre kryq, bënin shënjën e kryqit pa frikë, dhe jetonin sipas kryqit që i kishte caktuar Perëndia secilit.
3-Atë që besonin dhe adhuronin nuk e fshihnin brenda tyre – rrëfenin Zotin përpara të gjithëve dhe me guxim.  Sot, të ashtu-quajturit të Krishterë kanë turp të rrëfejnë besën e tyre, akoma dhe kryqin iu vjen turp t’a bëjnë në publik.  Iu vjen turp t’a bëjnë kryqin edhe jashtë shtëpisë, në një mjet transporti, apo restorant apo hotel, por iu vjen turp të bëjnë kryqin edhe brenda në familje.  Hanë, pinë, bien të flenë, ngrihen, dalin nga shtëpia dhe askush nuk e bën kryqin.  Më keq se kafshët katandisëm.  Shënjtorët, të Gjithë Shënjtorët, flisnin për Krishtin, ndërsa ne që nga mëngjesi deri në darkë bëjmë fjalë për 1000 gjëra dhe vetëm për Krishtin nuk themi asgjë, sikur të mos ekzistonte Krishti.  Përkundrazi, sot nëse dëgjohet fjala KRISHT – oh mjerr, mjerr ne – dëgjohet vetëm për vlasfimi.
4-Të Gjithë Shënjtorët predikonin Ungjillin e Shënjtë, flisnin për Krishtin pa patur ndrojtje apo frikë nga rrjedhojat.  Arrestuan dikur një Shënjt, dhe e çuan në gjyq dhe i thanë: – nuk do të flasësh më për Krishtin.
-Unë do të flas, iu përgjigj Shënjti.
-Nuk do të flasësh, i thanë.
-Nuk mund të hesht për Krishtin, përgjigjet përsëri Shënjti.
E kapën, dhe ia këputën gjuhën me pinceta.  Dhe ai ç’bëri?!  Vuri gishtin në gojën plot gjak dhe shkruajti në mur me gjakun e tij emrin JISU KRISHTI!
5-Besonin tek Krishti pra të Gjithë Shënjtorët, adhuronin kryqin, rrëfenin Zotin, predikonin Ungjillin.  Dhe me çfarë force i bënin këto të gjitha?  Kishin dashuri në zemrat e tyre.  Kishin dashuri.  Dashuri për kë dhe për çfarë?  Për të gjithë botën, për pemët, për kafshët, për malet dhe luginat, liqenet dhe lumenjtë, kishin dashuri për njerëzit, për prindërit, për gratë e tyre, për miqtë dhe armiqtë e tyre.  Por mbi të gjitha gjërat dhe më shumë se të gjithë njerëzit kishin dashuri për KRISHTIN.  Çfarë thotë fragmenti i Ungjillit të sotshëm?  “Duaj Perëndinë më tepër se atin apo mëmën tënde, më tepër se birin apo bijën tënde (pas Mattheut 10:37).  A e zbatojmë këtë gjë neve sot?  Nuk e zbatojmë.  Dikush kishte një fëmijë të bukur që quhej Dhimitri – e mbante në krahë dhe kur dëgjoi që Ungjilli thotë që duhet të duam Krishtin më tepër se fëmijët tanë, si reagoi i mjerri? – “sa dua edhe thoin e vogël të Dhimtrit nuk dua Krishtin”!  Këta pra janë “të Krishterët” e sotshëm – kemi dashuri për fëmijët, për burrin apo gruan, për shtëpinë dhe për paratë tona.  Por Shënjtorët nuk vepruan kështu – brenda në zemrën e tyre vendin e parë e kishte Krishti.
6-Ishin gati të martirizonin për Krishtin, për dashurinë e tyre ndaj Krishtit preferonin të duronin vojtjet dhe pësimet më të mëdha.  Një Shënjt, i cili ishte i moshuar – 86 vjet, e kapën dhe i kërkonin të vlasfimonte Krishtin.  Ai u pëgjigj:  Kam 86 vjet që adhuroj Krishtin dhe s’më ka bërë asnjë të keqe – si mundem pra të vlasfimoj Mbretin tim, atë që më shpëtoi?  Edhe në ishulliln e Hios, në vitin 1821 Turqit zunë 20,000 banorë, gra dhe fëmijë, i shpunë në breg të detit, ngulën në rërë një Kryq, iu dhanë kohë 2 orë duke iu thënë: kush e mbështyn Kryqin do rrojë, kush nuk e mbështyn do të vdesë.  Asnjëri prej tyre nuk e bëri atë gjë dhe i therrën të gjithë të gjallë.  Këta pra ishin Shënjtorët.  Ndërsa ne, me zor vemë në Kishë, dhe nëse do të nxirrnin ndonjë ligj që do të ndalonte vajtjen në Kishë askush nuk do të kundërshtonte dhe askush nuk do të vinte në Kishë.  Ata duke vënë në rrezik jetën e tyre zbatonin vullnetin Hyjnor.  Dhe çfarë nuk hoqën!  Disave iu qitën sytë, të tjerëve iu nxorrën dhëmbët me gjithë rrënjë, të tjerëve iu prenë veshët, të tjerëve iu prenë gjuhën, të tjerë i hodhën në kazane që zienin, plot të tjerë iu rropën lëkurën të gjallë, të tjerë i hodhën në bishat e urritura, e plot e plot të tjerë…Një shumëllojshmëri torturash pra duruan…  Jo vetëm një jetë, por edhe mijëra jetë të kishin, të gjitha do t’i sakrifikonin për Jisu Krishtin.

I nderojmë pra të Gjithë Shënjtorët, sepse me sakrificat e tyre u bënë bamirësit më të mëdhenj të njerëzimit në mbarë botën.  Sot akoma dhe lipsanet e tyre burojnë dhe dhurojnë mirësi.  Ndërmjetimet e tyre shpëtojnë.  Në Kostandinopojë kur binte një tërmet i madh u gjunjëzuan të gjithë, iu lutën Shënjtorëve dhe tërmeti ndaloi.  Në një fushë të Thesalisë dikur kishin pllakosur keq karkalecat.  Nxorrën pra lipsanat e Shënjtorëve dhe si një re e madhe u ngritën insektet nga toka pjellore dhe shkuan në det dhe u mbytën.  Në një vend tjetër ra sëmundje epidemike dhe vdisnin njerëzit si miza.  Sollën lipsanet e shënjta, bënë litani dhe e keqia u largua.  Çudira dhe mrekullira bëjnë Shënjtorët, dhe kështu pra janë bamirësit më të mëdhenj të botës.  Nëse rrojmë dhe ekzistojmë neve sot, shkak për këtë gjë janë të Gjithë Shënjtorët, të cilët luten përpara Fronit të Perëndisë natë e ditë për ne.

Kur Zoti vendosi të shkatërrojë Sodhomën dhe Gomorën ia shfaqi vullnetin e Tij Avraamit (Të Bërët, Kapitulli 18-të).  Avraami iu lut Zotit që nëse midis të gjithë mëkatarëve gjendeshin deri në 10 njerëz të drejtë le t’i vinte keq dhe të mos i shkatërronte.  Zoti ia bëri nderin që i kërkoi Avraami, dhe do të shpëtonin për hir të Avraamit, por nuk u gjendën as 10 njerëz të drejtë dhe kështu u bënë pluhur e hi.

A ka sot Shënjtorë? Nëse ka një shënjtor, qoftë dhe një, në fshatin apo qytetin tuaj të jini të lumturit e dynjasë.  Sa vlen ai i vetëm nuk vlejnë të gjithë të mëdhenjtë, të pasurit dhe të fuqishmit e botës së tërë.
Ka pra sot Shënjtorë?  Aty-tek.  Dikur kisha shkuar në një varrim në një fshat.  Kishte vdekur një bari që kulloste dhentë.  Besonte më Perëndinë, lutej, të këqia s’kish bërë kurrë, kishte dashuri për të afërmin, bënte lëmoshë.  Kishte lindur 10 fëmijë, ja ai i varfëri me opinga me xhufka, kishte 30 nipër dhe mbesa, dhe 40 stërnipër dhe stërmbesa.  U mbush Kisha plot dhe e qanin…  Ja pra, ka akoma dhe sot Shënjtorë.  Nuk janë as mitropolitë as prfitërinj as kallogjerë – rrojnë dhe luftojnë në botë dhe duke qënë brenda botës.

Tani, ne… Oh mjerr ne, s’kemi asgjë të shënjtë!  Askush prej nesh nuk bën më përpjekje.  Ndërmjetojnë Shënjtorët për ne, por kjo nuk mjafton – duhet dhe ne vetë të përpiqemi.  Si mund t’a bëjmë këtë gjë?  Të kemi gjithmonë përpara syve ikonat e tyre të shënjta dhe t’iu përngjasim, të kemi dhe ne dashuri, të bëjmë dhe ne lutje tek Perëndia, të mbajmë dhe ne kreshmët që ka caktuar Kisha, të falim edhe ne.  Dhe nëse i bëjmë këto atëhere do të jetë me ne Hiri i Shënjtë i Perëndisë.
Dhe ne, secili prej nesh të bëhet shënjt.  Dhe kur të gjithë të bëhemi të shënjtë atëhere do të jemi të lumtur, do të kemi së bashku me ne Krishtin i Cili do të n’a bekojë në jetë të jetëve. Amin.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër P. Filip
Qershor 2008

Nga botimet mujore “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”

(ΤΩΝ ΑΓΙΩΝ ΠΑΝΤΩΝ, ΑΠΟ ΤΑ ΦΥΛΛΑΔΙΑ «ΚΥΡΙΑΚΗ», ΙΟΥΝΙΟΣ 2008. ΕΠΙΣΚΟΠΟΥ ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΟΥ ΚΑΝΤΙΩΤΟΥ)

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.