Αυγουστίνος Καντιώτης



“Faltorja Orthodhokse” (ΟΡΘΟΔΟΞΟΣ ΝΑΟΣ)/KRYQI I SHËNJTË

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

KRYQI I SHËNJTË

Shkruan ish-Mitropoliti i Follorinës, Greqi
+Episkopi i nderuar Avgustin Kantioti

Përkthyesi ia dedikon autorit me nderim dhe respekt
Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi

Në predikimin e sotshëm, të dashur dëgjues, do të flasim për Kryqin.

Përpara se të vinte Krishti në botë, në lashtësi pra, ekzistonte kryqi. Por çfarë kryqi ishte ky?!  Kryqi i asaj kohe ishte i njohur si një mjet mizor ekzekutimi për njerëzit.  Ai që kryente ndonjë krim të tmerrshëm dënohej me kryqëzim.  Prisnin dy pemë nga pylli dhe i bënin dru.  Njërin dru, atë më të shkurtrin, e siguronin mirë duke e lidhur mbi drurin tjetër dhe duke formuar kështu kryq.  Hapnin një gropë të thellë në tokë dhe atje ngrinin kryqin.  Gozhdonin të dënuarin, dhe ashtu siç ishte me duar dhe këmbë të gozhduara e linin të vdiste ngadalë duke u torturuar për shumë orë, madje dhe ditë, sipas rezistencës së organizmit, dhe në dhimbje të forta e sipër, të shkaktuara nga copëtimi i trupit, i dënuari jepte shpirt.  Mos ndoshta e zbrisnin më pas nga kryqi që t’a varrosnin?!  Jo! E linin sipër në kryq dhe vinin ujqërit dhe çakejtë dhe hanin mishrat e tij.  Pamje vërtet e tmerrëshme.  Vdekje vërtet e frikëshme.  Me këtë vdekje pra dënoheshin njerëzit më kriminelë të shoqërisë, që të frikësoheshin të tjerët dhe të mos ndiqnin shembullin e tyre.

*****

Me këtë vdekje të panderuar kërkuan Hebrejtë të dënohej edhe Krishti.  Donin që me këtë lloj ekzekutimi t’a poshtëronin përpara syve të atyre që e nderonin dhe admironin.  Krishti, nëse donte, mund t’a shmangte këtë vdekje.  Sepse nëse deshte Ai askush s’do të mund t’i afrohej jo më shumë t’a prekte.  Vetëm gishtin të lëvizte Krishti dhe të gjithë armiqtë e tij mund të bëheshin hi’ dhe pluhur.  Sepse a mundet ndokush të prekë diellin?!  Prush do katandiset nëse e prek.  E pra, aq më shumë nuk mund t’a preknin Hebrenjtë Krishtin dhe as mund t’i bënin keq.  Por Krishti me vullnetin e Tij donte të vdiste në kryq dhe të poshtërohej për hir të dashurisë së tij për njeriun, me qëllim që t’a shpëtonte njeriun nga mëkati dhe djalli.  Vetëm me sakrificën e tij, me gjakun e tij të qashtër dhe të nderuar, njeriu mëkatar shpëtoi.  Pa therroren e Krishtit mbi Kryq ishte e pamundur të shpëtonte njeriu.  O Krisht Perëndia jonë të falenderojmë nga thellësitë e zemrës sonë, sepse u kryqëzove për shpëtimin tonë!

Që atëherë kur u kryqëzua Krishti në Golgotha, që atëherë pra, kryqi për ata që besojnë tek sakrifica shpëtimtare mori një kuptim dhe domethënie tjetër.  Për besnikët pra nuk përbën më atë organin mizor me të cilin ekzekutoheshin të dënuarit me vdekje në lashtësi, por u bë mjet shpëtimi, u bë mënyra e shpëtimit të njerëzimit.  Dhe pikërisht, zhndërrimi i kuptimit të kryqit nga organ dënimi në mjet shpëtimi përbën një nga çuditë mahnitëse të Krishtërimit.  Kryqi, që përpara se të vinte Krishti kallte tmerr dhe frikë, kryqi pra, që në atë moment kur Krishti shtrihu mbi të trupin e tij të qashtër dhe ofroi vehten e tij si theror të pastër dhe të panjollë, tashmë ngjall ndjenja të një mirënjohje të paanë ndaj Atij i cili për hir të njeriut zbriti të gjitha shkallët e përulësisë.

Asnjë gjë tjetër në botë nuk shfaq më tepër dashurinë e Perëndisë ndaj njeriut sesa kryqi i Krishtit.  Përmbi kryq me gjakun e Krishtit u shkruajt “Perëndia është dashuri” (Let. I Ioanit Kr.4 vargjet 8 dhe 16).  Ndaj dhe kryqi u bë simboli më i shënjtë për besimin e Krishterë.  Duke patur kryqin Krishtërimi dallon nga të gjitha fetë e tjera.  Por dhe asgjë tjetër nuk urrejnë më tepër sesa kryqin armiqtë e Krishtërimit.  Hebrenjtë të cilët kryqëzuan Krishtin e hodhën kryqin në një gropë me pleh.  Mbretërit dhe perandorët paganë e urrenin shumë kryqin ndaj dhe vazhdonin të kryqëzonin njerëzit.

Ky persekutim i egër dhe dënim vazhdoi për katërqind vjet, derisa erdhi në fuqi Konstandini i Madh i cili e nderoi kryqin.  Sipas vizionit të mrekullueshëm që pa në qiell, në flamurin e tij vendosi menjëherë kryqin.  Shën Elena, nëna e tij, udhëtoi deri në Jerusalem, gërmoi dhe gjeti Kryqin e nderuar.  Në Kostandinopojë, në Romën e re, Kostandini i Madh ngriti lart një shtyllë të lartë dhe në majë të saj vuri Kryqin, i cili ndriçonte natën dhe dukej nga çdo pikë e qytetit.  Mbi të vendosi mbishkrimin “Një është Shënjt, Një është Zot Jisu Krishti për lavdi të Perëndisë Atit. Amin”.  Akoma më tepër, Kostandini i Madh ndaloi me ligj kryqëzimin e njerëzve dhe nxorri urdhër që të dënohej rreptë çdo njeri që vlasfimonte Kryqin.  Të gjitha simbolet e idhulltarisë u shfarosën dhe mbeti Kryqi simbol i besës së vërtetë.

Kryqi pra kudo.  Kryqi në flamurët e ushtrive të Krishtera, kryqi në vulat zyrtare, kryqi në gradat dhe emblemat e mbretërve dhe perandorëve, kryqi në majë të kupolave të Kishave, kryqi në rrobat meshëtare të priftërinjve, kryqi në varrezat, kryqi pra kudo.  Kisha ndaloi vetëm formimin e kryqit nëpër rrugë dhe sheshe ku kalojnë njerëzit, si dhe thurrjen e tij në qilima dhe tapete të cilat shtrohen në dysheme, dhe këtë e bëri që të mos shkelet me këmbë dhe të përbuzet në këtë mënyrë kryqi nga njerëzit.  Është mëkat dhe paudhësi të shkelet kryqi me këmbë.  Ndaj dhe priftërinjtë dhe epitropët e Kishave duhet të kenë kujdes të mos shtrojnë nëpër Kishat qilima me kryq; gjithashtu dhe nikoqiret e shtëpive të mos shtrojnë nëpër sallonat shtëpive qilima me kryq sipër tyre.  Disa të pafe’ arritën deri atje sa të bëjnë kryqe në grykët e kanaleve të ujrave të zeza dhe në tualetet e banjave.  Duhet të kenë kujdes të madh të Krishterët, sepse në kohët tona masonia dhe ateizmi përdorin mënyra nga më të ndryshmet për të fëlliqur gjithçka të shënjtë që ka feja jonë.  Në ditët tona kiliastët dhe adventistët, këta antikrishtë, si demonët e ferrit, tërbohen dhe shkumbëzojnë nga inati kur shohin Kryqin.  Preferojnë më mirë t’iu pritet dora sesa të bëjnë shënjën e kryqit.

******

Por ne të Krishterët Orthodhoksë, ashtu siç n’a mësojnë dhe Etërit e Shënjtë të Kishës sonë, duhet t’a nderojmë Kryqin e shënjtë.  Dhe e nderojmë kryqin pikë së pari duke e bërë të rregullt shënjën e tij.  E them këtë sepse disa të krishterë modernë kanë turp të bëjnë kryqin, dhe kurdoherë që paraqitet nevoja për të bërë kryqin nuk e bëjnë ashtu siç duhet, ashtu siç n’a mëson Kisha t’a bëjmë kryqin, por bëjnë vetëm një lëvizje të shpejtë të dorës së tyre gjë që nuk është kryq por tallje dhe përqeshje.  E bëjnë pra kryqin sikur t’i binin violinës.
O i Krishterë Orthodhoks, kryqi i rregullt bëhet duke: bashkuar tre gishtat e dorës së djathtë, dhe në këtë moment duhet të lutemi me mëndje – O Trini e shënjtë mëshiroe botën tënde – , më pas t’a sjellësh dorën me tre gishtat në ballë, dhe pastaj t’a zbresësh tek barku duke u lutur me mëndje – O Kirsht të falenderojmë që zbrite nga qielli mbi dhe’ dhe more trup njeriu prej së Tërëshenjtës – më pas t’a sjellësh dorën në supin e djathtë dhe në fund në të majtin duke u lutur me mëndje – O Zot, mos më hidh në ferr, por kujtomë kur të vish në mbretërinë tënde.
Me mendime dhe ndjenja të tilla të shënjta t’a bësh kryqin o i Krishterë Orthodhoks.  Dhe të kesh kujdes të madh në jetën tënde që të rrosh sipas mësimeve të Kryqit të Zotit.  Kryqi n’a mëson të vërtetën, n’a mëson drejtësinë, lirinë, vetëmohimin, zemërgjerësinë, paqen, faljen dhe dashurinë.  A i ke këto?!  Beson tek i Kryqëzuari?!  A u bindesh porosive të Tij?!  Bën dhe ti një jetë të kryqëzuar, ku të kryqëzosh egon tënde mëkatare dhe paudhësitë e tua?!  Nëse po, atëhere kryqi që bën, qoftë edhe sikur vetëm një herë t’a bësh, do të sjellë çudira të mëdha.  Por në qoftë se nuk jeton si i Krishterë por si mëkatar dhe i paudhë, me gënjeshtra dhe mashtrime, me urrejtje dhe ligësi, atëhere edhe sikur njëmijë kryqe të bësh nuk shpëton dot.  Dhe nëse dëshiron të mësosh se çfarë force dhe fuqie ka Kryqi i një të Krishteri të vërtetë lexo librin e Shën Kosmait të Etolisë, të këtij shënjti i cili ishte nga të paktët e kësaj bote që deshi Kryqin e Zotit dhe e predikoi atë gjatë gjithë jetës së tij martirike.

Kapitulli u shkëput nga libri “Faltorja Orthodhokse” (ΟΡΘΟΔΟΞΟΣ ΝΑΟΣ)
Përktheu nga Greqishtja
Aleksander Filip
27 Janar, 2008
Transferimi i Lipsanave të
Shën Joan Gojëartit
në Kostandinopojë

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.