Αυγουστίνος Καντιώτης



KU U LIND KRISHTI!

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

KU U LIND KRISHTI!

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”
(Ndenjësore e Krishtlindjes)

Festojmë, të dashur lexues, festojmë festën e madhe të Krishtlindjeve, prej së cilës rrjedhin të gjitha festat e tjera të vitit Kishëtar.  Kjo festë është rrënja e pemës gjigande të Kritshtërimit, të cilën e mbolli Trinia e Shënjtë me qëllim që të lulëzojë dhe të japë fruta në jetë të jetëve.  Në lidhje me këtë festë do të shprehim disa mendime për dobinë tonë shpirtërore.  Sepse mjerr ne, nëse gjatë kësaj feste nuk dëshirojmë të ngrehim lart zemrat tona, përtej botës materiale dhe të prekshme.

IA MBYLLËN DYERT

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! A mundet të dashur, a mundet të imagjinojmë se cilat ishin kushtet nën të cilat u lind Krishti?!  Ishte natë dimri.  Pemët e zhveshura krejt prej gjetheve.  Kafshët dhe shpendët të strukur nëpër foletë e tyre.  Dhe njerëzit nëpër shtëpitë e tyre rreth vatrës së ndezur që lëshonte ngrohtësi.  Askush nuk ishte i pastrehë.  Atëhere, në qytetin e vogël të Vithleemit filloi të vihet në dukje një trafik i jashtëzakonshëm njerëzish.  Trafik njerëzish, burra dhe gra, të cilët kishin lindur në Vithleem por jetonin larg qytetit të tyre, për shkak të urdhërit të Qesarit për kryerjen e regjistrimit të nënshtetasve të tij, shpejtonin të ktheheshin në vendlindjen e tyre.  Të gjithë gjendeshin në Vithleem.  Dyndje e madhe njerëzish.  Të gjitha shtëpitë e qytetit strehonin miq dhe të afërm.

Ndërkohë që Vithleemi paraqit një pamje të tillë, ja tek duket të arrijë me turmat e fundit të njerëzve dhe i drejti Josif së bashku me Virgjëreshën Mari, të cilës i ishin mbushur tashmë ditët për të lindur Birin e saj të vetëmlindur.  Të lodhur nga rruga e gjatë kërkojnë një shtëpi ku të qëndrojnë pak kohë.  Në shumë porta trokitën duke kërkuar të qëndronin disa ditë, por asnjë shtëpi nuk u tregua e gatshme t’i mirëpriste.  Dyert iu mbyllën dhe Mariama me Josifin mbetën përjashta.

Në këtë gjendje u detyruan të gjenin strehë në një shpellë, e cila ndodhej në të hyrë të qytetit Vithleem dhe përdorej si stallë bagëtish.
“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Sa shumë ngashërrohemi kur mendojmë që Ai që krijoi planetin tonë, në të cilin mijëra njerëz gjejnë strehë falas, shplodhje falas, dhe shijojnë falas të mira të panumërta si në një hotel tej mase të madh, Ai nuk gjeti strehë…  Ai që strehon të gjitha mbeti i pastrehë!  Lavdi o Zot zemërgjërësisë Sate!

Ekzistojnë shpirte besëmirë, të cilët duke lexuar historinë e shënjtë të Lindjes së Krishtit, do të dëshironin tepër të kishin jetuar gjatë asaj kohe, të kishin shtëpi në Vithleem dhe t’ia falnin krejt për strehim Shpëtimtarit Krisht, Nënës së Tij të Tërëshënjtë dhe mbrojtësit të tyre Josif.  Një prej poetëve tanë u pushtua aq shumë nga dëshira që të gjendej pranë Foshnjës së Shënjtë dhe të shijonte bekimet e Tij, sa në një nga poezitë e tij shkruan:

“Do desha të isha një fije kashtë
një diçka e varfër,
në kohën kur hapi syrin Krishti
nën qiellin e kaltër!”.

Le t’ia hapim ne dyert tona

”Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Ah sikur t’a shihnim dhe ne Krishtin!
Por, të dashur lexues, sa prej jush ushqeni në shpirtet tuaj këtë dëshirë të lartë, kini shpresë dhe merrni krahë.  Sepse Krishti vazhdimisht gjendet mbi dhe’, dhe përshkon të gjitha gjatësitë dhe gjërësitë e rruzullit tokësor.  I padukshmi i dukshëm! Si është e mundur?!  E tha dhe vetë: “Me të vërtetë po u them juve, sado që i bëtë njërit prej vëllezërve të mij më të vegjël, m’a kini bërë dhe mua” (Matth.25:40). Domethënë, kur bëni një të mirë ndaj dikujt që vuan dhe ka nevojë për ndihmën tuaj është njësoj sikur të m’a kini bërë mua.  A dëgjoni, të dashur lexues, a dëgjoni se çfarë thotë Krishti?   Ka uri tjetri? Ka etje? Ka ftohtë? Është i sëmurë? Është i huaj?  Është i pastrehë dhe nuk ka ku të futë kokën? Përderisa ti e ndihmon tjetrin në nevojë e sipër është njësoj sikur të kesh ndihmuar vetë Krishtin, i cili edhe në këtë jetë do të të shpërblejë, por veçanërisht do të të shpërblejë në kohën e gjyqit të fundit, ashtu si dhe gjithë ata që me punë dhe vepra treguan dashuri për të afërmit (sipas kuptimit të Ungjillit) e tyre.

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Në qoftë se besojmë tek Krishti dhe rrojmë sipas fjalëve të përjetëshme të Ungjillit të Tij të Shënjtë, do të përftojmë përpara syve tanë një vizion të ri sipas të cilit do të shohim Krishtin në fytyrën e të gjithë atyre që vuajnë.  Po, të dashur, pas fytyrës së të miturit jetim që troket në portën tonë, pas fytyrës së vejushës, pas fytyrës së të sëmurit, pas fytyrës së të pëndjekurit dhe të shkretuarti prej miqve dhe familjes, do të shohim vetë Krishtin dhe do të rendim t’i ndihmojmë, t’i ngushëllojmë, t’i përkrahim, t’i mirëprsim në shtëpitë tona.  Dhe atëhere nuk do t’u ngjasim banorëve zemër-ashpër Vithleemitas të cilët ia përplasën portat në fytyrë Zotit dhe e lanë në mes të katër rrugëve, të pastrehë, dhe të detyrohet të gjejë vendqëndrim në një haur me kafshë…

“Ejani o benikë të shohim ku lindi Krishti”! Nëse të gjithë kombet e botës do të besonin tek Krishti dhe do të zbatonin mësimet e Tij Hyjnore nuk do të ekzistonin probleme ekonomike pa zgjidhje.  Atëhere nuk do të ekzistonin të pastrehë, ndërsa tani disa jetojnë në gradaçela dhe të tjerë nëpër kolibe.  Atëherë nuk do të kishte të urritur dhe nuk do të vdisnin me mijëra fëmijë ndërkohë që të tjerë përlajnë me pangopje, sikur të kenë dhjetë gojë, ushqime të majme.  Një fatbardhësi për mbarë shoqërinë do të mbretëronte në tërë botën, ndërsa tani ekzistojnë beteja dhe revolucione, luftëra civile, lotë dhe zemra të copëtuara…

Ku është krishtërimi ynë?

Por le të mos shohim, të dashurit e mij, se çfarë do të ndodhte nëse do të zbatohej Ungjilli i Krishtit, dhe le të hedhim një sy tek vetja jonë, tek secili prej nesh.  Pyes: a e shikon secili prej nesh tjetrin si ikonë të Krishtit?  A interesohet secili prej nesh për nevojat e tjetrit ashtu siç interesohet për nevojat e tij?  A rend secili prej nesh shpejt të ndihmojë tjetrin në rast nevoje, apo përkundrazi mbyllet brenda vehtes së tij, si kërmilli brenda guackës, dhe nuk shikon asgjë tjetër përveç vehtes së tij dhe si e si të kalojë mirë e bukur jetën e tij?
O njeri, Krishti la qiellin lart dhe erdhi poshtë në tokë për ty, të të vizitojë dhe të të shpëtojë ty, ndërsa ti përton të bësh dy hapa më tutje dhe t’i afrohesh të afërmit tënd dhe t’i tregosh pak dashuri?  Ku është krishtërimi yt?
Dhe le të mos nxjerrim pretekst se nuk kemi çfarë t’iu ofrojmë të tjerëve.  Kemi.  Sa mijëra e mijëra shpenzojmë që të dukemi, dhe për gjëra të dëmshme dhe mëkatare?!  T’ju sjell shembuj?!
Për zakone të ndryshme festive, të cilat në shumicën e tyre janë pagane, dhe nuk bëhen për asgjë tjetër veçse për vallëzime, zbavitje dhe shthurrje, kemi dhe shpenzojmë mijërat e parave, ndërsa për të varfërit, të pastrehët, për ata që u dëmtuan nga tërmeti apo dëbora, dhe për gjithë vëllezërit tanë në nevojë nuk kemi?  Akoma dhe në fshatrat e vogla, me pak banorë, brenda një nate luhen me letra apo iu ofrohen të ashtuquajturve artistë në klube dëfrimi me mijëra para! Dhe kur pas pak ditësh del prifti për të mbledhur ndihma për të varfërit, atëhere qindarka vetëm mblidhen!  Mijëra para’ për djallin dhe qindarka vetëm për Krishtin!

Vithleemitas apo të Krishterë?

Të dashur lexues! Të gjithë ata që në zemrat e tyre nuk kanë Krishtin dhe nuk e duan Krishtin dhe nuk zbatojnë porositë e Tij të Shënjta, nuk mund të festojnë Krishtlindje.  Të tilla Krishtlindje, Krishtlinjde me shpërdorim parash, me dëfrime dhe shthurrje, janë Krishtlindje pa Krisht!

Jo, pra si Vithleemitas, por si të Krishterë besëtarë le t’a presim Krishtin në zemrat tona. Le të tregojmë dashurinë tonë ndaj Tij me vepra filanthropike, dhe atëhere do të ndjehim gëzimin që dikur ndjenë barinjtë e Vithleemit gjatë asaj nate të paharruar, kur panë Ëngjëlllin t’iu sjellë lajmin e gëzuar për mbarë botën: “mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve zë të mirë për një gëzim të madh, që do të jetë mbi gjithë kombet; sepse sot u lindi juve në qytet të Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht” (Lluk.2:10-11).

“Banove në shpellë o Krisht Perëndi, grazhdi të priti, barinj dhe magë t’u falën. Atëhere mbushej dhe lëçitja e Profetëve, dhe Ushtëritë e Ëngjëjve çuditeshin duke thirrur e duke thënë: Lavdi dënjimit Tënd i vetëm njeridashës.” (nga himnet e Mbrëmësores së Krishtlindjes)

Në mes të kafshëve

“Dy kafshë e njohën si Perëndi të vërtetë”

Në qoftë se, të dashur lexues, vështrojmë me vëmendje ikonën bizantine e cila paraqet lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht, do të shohim Foshnjën Hyjnore të shtrirë në një grazhd kuajsh, Hyjlindësen e Tërëshënjtë të qëndrojë pranë Tij, dhe të drejtin Josif të paraqitur me frikë Perëndie dhe lutje.  Por përveç personave të shënjtë do të shohim të pikturuar dhe dy kafshë, një ka’ dhe një gomar.

Profiti Avvakum

Prania e dy kafshëve në ikonën e Lindjes së Krishtit i ka bazat mbi traditën, e shkrojtur dhe gojore, të Kishës sonë.  Sipas Ungjillorit Lluka, i cili më tepër se Ungjillorët e tjerë përshkruan lindjen hyjnore, i drejti Josif, shoqëronte Virgjëreshën Mari, dhe kur pas një rruge të gjatë dhe lodhëse arritën në Vithleem, nuk gjenin dot strehë pasi asnjë shtëpi nuk ishte e gatshme të mirëpriste Nënën e shënjtë.  Për këtë arësye u detyrua të kërkojë gjetkë një vend për të kaluar natën.  Në të dalë të qytetit, rreth kodrave me argjilë, ishin disa shpella të cilat përdoreshin nga barinjtë si vathë për delet e tyre.  Një nga këto shpella, e cila ishte pak si më e gjërë se të tjerat përdorej dhe si han, në të cilin kalonin natën udhëtarët jabanxhinj.  Kjo shpellë-han ngjante tepër me shtëpitë e blegtorëve, e cila zakonisht ndahet në dy pjesë; njëra pjesë përdoret për familjen si vend ndënjeje dhe fjetje, kurse pjesa tjetër, përjashta në oborr, përdoret si stallë dhënsh.  Sa prej jush lindët, apo kaluat një natë, apo qëndruat për pak kohë në një shtëpi të tillë e dini shumë mirë se sa mbytëse është atmosfera për shkak të ndotjes nga vatha e dhënve.  Por shpella në të cilën u lind Krishti ishte akoma dhe më vajtuese se sa shtëpia më e zakonshme që mbante kafshë.

Në grazhd, atje ku fshatarët vendosin ushqimin e kafshëve, Virgjëresha vuri Foshnjën Hyjnore.  Ungjillori Lluka në përshkrimin e tij nuk bën fjalë për kafshë.  Por përderisa bëhet fjalë për grazhd, nuk mund të përjashohet fakti që në stallë kishte kafshë.  Sepse atje ku ka grazhd ka dhe kafshë.  Një traditë e herët e Kishës sonë përmend që atje ishin prezent dy kafshë, gomari dhe kau.  Kjo traditë e ka bazën në profetinë e profitit Avvakum.

Profeti Avvakum jetoi gjatë shekullit të 7-të përpara Krishtit, dhe profetizoi rreth mishërimit të Zotit.  Është e famshme lujta të cilën i drejtonte Perëndisë.  I ndriçuar prej Shpirtit të Shënjtë, ai e çan me sy perdhen e rëndë të shekujve dhe parashikon një ngjarje, një ngjarje e cila do të ishte më e madhe se gjithë ngjarjet e tjera historike të botës.  Do të zbresë nga qielli në tokë Perëndia.  Do të shfaqet si njeri mbi dhe’.  Do të lindet në kushte shumë të përulëta.  Njerëzit nuk do t’a përfillin.  Por kafshët do t’a njohin si Perëndi të vërtetë dhe do t’i falen… Profeti mbetet gojëhapur përpara madhështisë së fuqisë, përpara madhërisë, lartësisë dhe virtytit të Zotit.  Virtyti i Tij do të mbulojë qiejt.  Dhe do të vijë dita kur emri i Tij do të nderohet dhe lavdërohet në çdo qoshe të botës.  Fjala e Tij, më e ndritshme se rrezet e diellit, e fortë dhe e fuqishme sa asnjë tjetër, do të shpërndajë errësirën, do të dërmojë malet dhe do të përshkojë dheun me shpejtësi kuajsh vrapues.  Vizioni i tij është tepër mahnitës.  Fuqia e pamasë e Krishtit, si dhe dashuria e tij e pafund për njeriun krijojnë një forcë tërheqëse ndaj personit të Tij.  Profeti e adhuron Krishtin përpara se t’a shohë dhe njohë.  E himnon përpara se t’a shohë me sytë e tij fizikë.  I falet përpara se t’a vështrojë të varur në kryq.  E gjithë qënia e tij dridhet përpara figurës së Krishtit.  Profetia e tij në formë lutje fillon kështu: “O Zot i bëra bindje zërit Tënd dhe u frikësova! O Zot pashë punët e Tua dhe u mahnita.  U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë…”.

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Kjo profeti, sipas Etërve të Shënjtë të Kishës sonë u plotësua me lindjen e Krishtit.  Kau dhe gomari, përpara se të vijnë barinjtë dhe magët që t’i falen, këto dy kafshë u ndodhën përballë Foshnjës Hyjnore, iu falën Krijuesit të gjithësisë dhe me frymën e tyre ngrohnin atmosferën e ftohtë të asaj nate dimërore.
Kjo hollësi e këtyre dy kafshëve, ashtu si u profetizua nga profeti Avvakum dhe ashtu siç paraqitet madhërisht në ikonat bizantine përmban një forcë të madhe mësimdhënëse.  Pikërisht prej kësaj hollësie do të shtjellojmë më poshtë disa mësime.

Rruga e gabuar e adhurimit të kafshëve dhe idhulltarisë

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Bota e lashtë, përveç popullit të Israelit i cili përbënte një ishull të adhurimit të vërtetë të Perëndisë në mes të oqeanit të madh të idhulltarisë, bota pra e lashtë përpara Krishtit adhuronte përveç të tjerave dhe kafshët si perëndi.  Adhurues kafshësh ishin njerëzit e lashtë.  Disa adhuronin kafshët e egra, disa të tjerë krokodilin dhe gjarpërin, disa të tjerë macet, të tjerë adhuronin poshtërsinë dhe ndyrësinë e kafshëve.  Në gërmimet arkeologjike të kohëve të fundit në luginën e Nilit në Egjipt, u zbuluan disa varre me skeletë macesh, të cilat adhuroheshin prej Egjiptianëve të lashtë… Një nga perandorët e Romës së lashtë pasi fitoi një betejë të rëndësishme ngriti një statujë gjigande gomari, sepse duke marshuar drejt fushës së betejës pa një gomar dhe fitoren pra ia dedikoi atij…

Ishte aq e fuqishme rryma e idhulltarisë sa akoma dhe populli i zgjedhur i Israelit, për një farë kohe u rrëmbye nga kjo rrymë dhe duke braktisur adhurimin e Perëndisë së vërtetë iu falej kafshëve.  Siç e dimë, gjatë mungesës së Moisiut, kur ai ishte në malin Sina’, Isrealitët, burra dhe gra, u pushtuan nga idhulltaria dhe grumbulluan gjithë arin që kishin dhe pasi e shkrinë, derdhën në ar një statujë viçi, të cilin e adhuronin si perëndi.  Indinjimi i Moisiut ishte tepër i madh për këtë veprim të popullit të Israelit (Të Dalët 32:19).

Por akoma dhe sot, në vendet kur drita e Ungjillit nuk arriti, adhurohen kafshët.  Në Indi p.sh. lopët konsiderohen si kafshë të shënjta.  Mjerr ai që do të guxojë të therrë ndonjë lopë.  Por edhe në vendet kristiane, në të cilat njerëzit u edukuan me frymën e besës së vërtetë, a nuk ka mijëra burra e gra, të cilët adhurojnë me tërë kuptimin e fjalës macet dhe qentë, i ushqejnë dhe i veshin si jo më mirë, dhe kanë merak të madh mos iu sëmuren, dhe kur ngordhin vajtojnë dhe mbajnë zi’ për vdekjen e tyre?!…
Edhe në Greqi ka shoqata adhurues kafshësh, të cilët nuk preken aspak nga fatkeqësia e të afërmit të tyre, por gjithë dhembsurinë e tyre e përqëndrojnë tek katërkëmbëshit, prej të cilëve nuk ndahen ditë e natë.

Rrugën e gabuar të adhurimit të kafshëve, qoftë në lashtësi apo tani në kohët tona, e kritikojnë dhe dënojnë dy kafshët e pranishme në grazhd, kau dhe gomari, të cilët gjatë asaj nate të paharrueshme të Lindjes së Krishtit panë me sytë e tyre dhe njohën Krishtin si Zot të të gjithave.  Kur shikoj në ikonën e shënjtë këto kafshë të ulin kokën e tyre drejt Zotit, më duket sikur i dëgjoj të flasin e të thonë: o njerëz, nuk jemi ne perëndi, jemi krijesa të Perëndisë, Atij vetëm i përket nderimi dhe adhurimi në jetë të jetëve.  O njerëz mos n’a bëni idhuj!

Njeriu më poshtë se kafshët

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Njeriu ndryshon krejt nga kafsha.  Një humnerë e tërë e ndan njeriun nga kafshët.  Kafshët nuk kanë arësye, as llogjikë që të mund të demonstrojnë se mund të mësojnë dhe avancojnë.  Njeriut i ka falur Perëndia një fuqi të veçantë, atë të intelektit dhe të lirshmërisë së mendimit, dhe nëse i përdor këto ashtu siç duhet do të arrijë lartësi të mëdha, do të kalojë përtej lartësisë së yjeve, do t’u afrohet Ëngjëjve dhe Kryeëngjëjve dhe do t’i ngjasë Perëndisë.  Po, do t’i ngjasë Perëndisë, do të bëhet dhe ai një perëndi e vogël.

Por fatkeqësisht njeriu nuk i përdori siç duhet këto dhurata të paçmuara që i dha Perëndia.  I keq-përdori bekimet e të Lartit.  Njeriu u korruptua, u shtrembërua, dhe nga lartësia ku duhej të qëndronte ra deri në fund të thellësisë së ligësisë dhe prishjes.  Krijoi perëndi të turpshme në të cilat personifikoi ligësinë dhe mëkatin.  Nën ndikimin e demonëve, i cili mbizotëronte në botën e lashtë, njeriu kreu mëkata të mëdha, kreu vepra të turpshme dhe të pandreshme, krime të frikëshme, dhe të gjitha këto e ulën deri në nivelin e jetës shtazore.  U bë më i keq edhe se bishat e egra.  Një profit tjetër, përpara profetit Avvakum, duke vajtuar për rënien e njeriut thotë: “njeriu nuk mbeti në nder por tani u ngjan shtazëve pa llogjikë” (Psalm.48:13).

Në situatë të mjerë morale dhe fetare gjendej njeriu përpara se të lindej Krishti.  Dy kafshët që vemë re’ në ikonën e Lindjes së Krishtit simbolizojnë botën e asaj kohe dhe nivelin e saj të ulët.  Por erdhi Krishti dhe solli forcë të re në zemrën e njeriut mëkatar.  Vendosi tek ai ndjenja të forta dashurie për gjërat e larta dhe të mëdha dhe e kthehu vëmendjen e njeriut drejt qiellit të idealeve të pavdekshme.  Nga kopeja e njerëzve-kafshë krijoi grigjë të re, grigjën e deleve të llogjikshme, në krye të së cilës është Ai, Bariu i Mirë.

Nga kafshëria në të mbinatyrshmet

Të dashur lexuesit e mij!  Bota e sotme, megjithë përparimet dhe arritjet e saj, në art apo shkencë, ec drejt barbarizmit, drejt një barbarizmi që nuk mund të krahasohet me asnjë barbarizëm tjetër.  Barbarët e lashtësisë ishin të liq dhe të poshtër, por nuk kishin mjetet shfarrosëse që kanë barbarët e sotshëm.  Barbarët e sotshëm venë maska të bukura në fytyrat e tyre dhe gënjejnë edhe vehten edhe të tjerët, sepse poshtë maskave të tyre fshihet kafshëria e tyre.
Ashtu siç shënon dhe një fillozof bashkëkohor, në qoftë se çdo njeri do të merrte formë sipas ligësisë dhe korruptimit që ekziston brenda tij, oh atëhere! Shumica e njerëzve do të humbnin pamjen e tyre njerëzore, disa do të dukeshin si dhelpra për shkak të dinakërisë së tyre, disa si gamile për shkak të ndjenjës së fortë të hakmarrjes, të tjerë si tigra dhe luanë për shkak të agresivitetit dhe ashpërsisë të tyre, e kështu me rradhë.  Nuk do të kishte kopësht zoologjik që t’i nxinte njerëzit me format e tyre kafshërore, dhe kjo për shkak të dëshirave dhe prirjeve shtazore prej të cilave sundohen.

Por Krishti, i cili erdhi në këtë botë për të shpëtuar mëkatarët, është më i fuqishëm se të gjitha forcat e errëta, të cilat përpiqen për shtazërimin e njerëzimit.  Krishti, ashtu siç e ka treguar dhe historia, ka fuqi të drejtojë njerëzit nga jeta jashtë natyrës në jetën sipas natyrës, dhe jo vetëm aq por akoma t’i çojë njerëzit në jetën e mbinatyrshme, dhe nga qënie që nuk ndryshojnë shumë nga kafshët t’i shndërrojë në qënie që nuk ndryshojnë shumë nga ëngjëjt.  Jam i sigurt që historia e kohës së ardhme do të nxjerrë prova të reja të fuqisë hyjnore të Krishtit, për të cilën thurri himne profeti Avvakum: “O Zot i bëra bindje zërit Tënd dhe u frikësova! O Zot pashë punët e Tua dhe u mahnita.  U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë…”.

Në Stallë

Toka, kjo kokrrizë rrëre, në krahasim me shumicën dhe përmasat e yjeve që rrotullohen në hapësirat e pafund të qiellit, toka pra, ky planet mikroskopik, të cilin Urtësia Hyjnore e Krijuesit e caktoi si banesë të njeriut, nuk është një sferë e thatë, pa ujë, ashtu si sateliti i saj hëna.  Jo.  Toka nuk ka vetëm akullnajat dhe zonën tropikale.  Në të përfshihen dhe vende mahnitëse.  Ishujt, duken si mjelma të bukura nga shkumba e deteve dhe oqeaneve, dhe lagen dhe freskohen nga flladet dhe erërat perëndimore; toka ka liqene si pasqyrë në të cilat reflektohet natyra përreth dhe së larti; lugina të stolisura me gjelbërim, me pyje të virgjërta në të cilat s’ka vënë dorë druvari dhe në të cilat nuk është dëgjuar kërcitja e prerjes së pemëve; rrafshnalta dhe maja malesh të larta prej të cilave shfaqen panorama të tëra…
O Zot i tërëmirë, me çfarë dhe me sa bukurira e ke stolisur dheun!

Zbriti nga qiejt në grazhd

Në një nga këto vënde që sapo përshkrova më lart duhej të lindte Foshnja Hyjnore.  Ne, si njerëz që jemi, nuk e kemi në dorë të zgjedhim vendin e lindjes.  Por Foshjna Hyjnore, si Perëndi që është, Zot i qiellit dhe i dheut, prej të cilit “u bënë të gjitha, dhe pa të Cilin nuk u bë asgjë” (Ioan.1:3) do të mundej pra të zgjidhte si vend të lindjes së Tij vendin më të pastër dhe më të bukur të gjithë botës.  Por nuk e zgjodhi.  U shfaq mbi dhe’ si mbret i panjohur, i cili pa veshjen e purpurtë mbretërore udhëtoi nëpër vendin e shtetasve të tij.  U përul aq shumë sa ia la në dorë njeriut të zgjedhë vendin ku do të lindej.  Dhe njeriu, si vend për të mirëpritur këtë vizitor të lartë, që vizitoi dheun, zgjodhi… një stallë.

Në stallë pra u lind Krishti. Në stallë? Po, në stallë! Hapeni, ju lutem, Ungjillin e shënjtë dhe lexoni kapitullin e 2-të të Llukait, rreshtat 6-7, dhe do të shihni se si me pak fjalë por fjalë tepër shprehëse ungjillori përshkruan vendin dhe kushtet e Lindjes së Shpëtimtarit Krisht.
“Edhe tek ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë.  Edhe lindi djalin e saj të parëlindur, edhe e mbështolli me shpërgënj, edhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vënd tjetër për ata” (Lluk.2:6-7).

“Në grazhd” Krishti.  Grazhdi nuk është ndonjë mjedis i rrethuar me mure, i bukur dhe elegant, në kopshtet e oborreve mbretërore apo të shtëpive të pasura; grazhdi gjendet brenda mureve të ndërtesave të rrënuara të cilat përdoren si banesa për kafshët.  Brenda grazhdit, në një vënd të rrethuar me mur prej guri apo prej druri, mbahet ushqimi i kafshëve.  Nodfta e kini njohur nga eksperienca personale jetën e fshatit?  Kini parë ndonjëherë grazhd? Kini hyrë ndonjëherë brenda në stallë?  Në peripeci e sipër, të përndjekur, të kërcënuar prej përndjekësish të pamëshirshëm dhe vrasës mizorë – si Davidi nga Sauli – ndofta u detyruat të kërkoni strehim nëpër vrimat e dheut, nëpër shpella, u detyruat të fshiheni në ndërtesa të shkatërruara dhe të kaloni natën në kashtën e stallave?  Jetuat ndonjëherë dhe thithët atmosferën e rëndë dhe mbytëse të stallës?  Në qoftë se po, atëherë ju më shumë se kushdo tjetër mund t’i merrni me mënd ato që hoqi Hyjlindësja e Tërëshënjtë, e cila një natë të ftohtë dimri, duke mos u mirëpritur prej banorëve të Vithleemit, u detyrua të përikë në shpellat përreth qytezës, të cilat përdoreshin si stalla kafshësh, dhe atje të lindë Birin e saj të vetëmlindur, birin e saj të parëlindur, të quajtur Emanuel.

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”.  Që atëhere kaluan shumë shekuj, dhe rrjedha e historisë, e papërmbajtur ec drejt mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit.  Si kohë, u larguam shumë prej asaj nate.  Dhe ndërsa fantazia e piktorëve, poetëve dhe artistëve nëpërmjet penelit, fjalës dhe penës, e stolisi me shumëllojshmëri vendin e Lindjes së Krishtit, devocioni i besimtarëve ndaj Zotit bëri që të ndërtohet një Kishë madhështore mbi atë pikë të rruzullit tokësor ku u krye misteri i madh i Lindjes së Krishtit.  Vëndi nuk njihet më.  Asgjëkundi tashmë, as në ikonat as në vendin ku u lind Krishti nuk duket balta dhe lluca.  Çdo gjë ndrit dhe shkëlqen.  Por ajo stallë, jo stalla e fantazisë së poetëve dhe piktorëve, por stalla e atij hanit në vendet e Lindjes, atje ku udhëtarët linin bagëtitë për t’u çlodhur, ajo stalla e atëhershme paraqiet përpara syve tanë, dhe rreth kësaj stalle, si ngjarje e vërtetë dhe simbol, do të nxjerrim disa mësime.

Lugina e bukur qilim që shkelet nga kopetë

Ashtu siç thamë më sipër, lugina është nga peisazhet më mahnitëse të tokës.  Veçanërisht në pranverë.  Akoma dhe tapeti më i bukur persik, me push dhe plot ngjyra, e humb shkëlqimin dhe bukurinë përpara panoramës që paraqet lugina në ditët e lulëzimit.  Vetë lugina është një tapet që endi jo dora e njeriut por dora e padukshme e Krijuesit, një tapet i mbuluar me lule të shumëllojshme, të të gjitha ngjyrave dhe nuancave, tapet që çdo fije peri – desha të them çdo bisht dhe çdo gjethe, çdo petale – lëshon aroma të lehta dhe të padukshme dhe shpërndan erë të patregueshme.  Ky tapet natyror, kryevepër e artit hyjnor, mbulon sipërfaqen e luginës, e cila ngjan me një nuse të stolisur.  Ngazëlluese pamja e luginës.

Por mos ndofta do të qëndrojë për shumë kohë në këtë gjëndje lugina?  Ja tek vijnë kopetë.  Brenda pak kohe lugina pushtohet nga katërkëmbësha.  Gomerë, mushka, kuaj, buaj, dele, kope kafshësh të qelbura, kope derrash shkelin këtë tapet të këndëshëm.  Ky tapet mbi luginë me mijëra lule, nuk është për katërkëmbëshit temë letërsie dhe filosofie, por një vaft ngrënie.  Dhe e dini? Janë tepër të urritur. Me shputat e tyre shkelin barin e bukur.  E bëjnë copë-copë tapetin.  Pa mëshirë copëtojnë gjelbërimin dhe me babëzi përlajnë lulet njëra pas tjetrës.  Oh lulet e luginës!  Të bukura si yjet. Dhe ndërsa yjet vezullojnë atje lart në qiell, lulet këtu poshtë reflektojnë hirin e shënjtë, shkëlqimin e Krijuesit Hyjnor, nga duart e të cilit dalin kryevepra të tilla arti.
Ah lulet e arës!  Në qoftë se lulja do të kishte zë, do t’i thoshte katërkëmbëshit që e shkel: “Nuk më sheh? Nuk të vjen keq?  Jam akoma e mitur.  Sapo dola nga gjiri i tokës.  Dua të rritem. Dua të arrij deri në pjekuri që të paraqitem me gjithë madhështinë time.  Pse befas më këput?  Nuk të pëlqen të stolis luginën që të dëfrehen kalimtarët?…”
Por katërkëmbëshi nuk e le.  Nuk i jep afat për të jetuar as edhe një moment.  Drapër bëhen dhëmbët e kafshës.  I pret, i copëton dhe i përlan lulet.  Pastaj i varros në dhomëza të veçanta brenda stomahut të gjërë.  Atje funksionon një laborator, një laborator kimik i tërë.  Atje lulet pësojnë shndërrim.  Bëhen pure’, më pas gjak, gjaku pataj zhndërrohet në qumësht, mish, bumbrekë, kocka, lëkurë, qime, brirë…

Shndërrim i dobishëm, apo jo!  Por shumica e luleve do të shndërrohen në… bajga.  Dhe bajgat do të bien në stallë.  Çdo ditë do të bien njëra mbi tjetrën dhe do të formohet një shtresë e gjërë me lëndë të fëlliqur.  Kush guxon dhe hyn në stallë i ndjen këmbët t’i zhyten në bajga.  Një ndjenjë pakënaqësie dhe neverie të pushton dhe mezi pret të dalësh që atje, vetëm në qoftë se je mësuar me erën e qelbur të stallës dhe rri atje ashtu si djali prodig i paravolisë ungjillore, i cili “kishte si strehë stallën e derrave”…

“Ejani o bensikë të shohim se ku u lind Krishti”.
Brenda shpellës, brenda një stalle u lind Krishti.  Djep për të ishte grazhdi. Pse?!  Vetëm përmëndja më sipër e djalit prodig, i cili katandisi në mes të derrave dhe jetonte me ta në stallë, mjafton për të kuptuar ti i dashur lexues se çfarë simbolizonte ajo stalla e vërtetë e Vithleemit.  Por le të vazhdojmë më tutje t’a shtjellojmë këtë temë.

Lulet kundërmonjëse

Të bukura janë lulet e luginës.  Por nuk janë të vetmet lule.  Përveç këtyre luleve të përkohëshme, ekzistojnë dhe lule të tjera të një natyre tjetër.  Lule të cilat mbijnë jo në tokë materiale por në tokë shpirtërore.  Janë lule të cilat lëshojnë aromë hyjnore.  Lule të parajsës.  Cilat pra janë këto lule?  Është era kënaqëse dhe ndriçimi i shkëlqyer që zbukurojnë disa krijesa të caktuara.  Tek disa persona të caktuar, gjëra të caktuara, ide dhe ideale të caktuara ekziston një hir, një bukuri – e kam fjalën për bukurinë shpirtërore dhe jo për bukurinë trupore apo fizike – një bukuri që tërheq dhe bën për vehte, që deh dhe rrobëron njeriun, njeriun zemërmirë dhe të sjellshëm i cili e ka të thellë ndjenjën e të mirës, ndjenjën e së vërtetës dhe të së bukurës.

Lule shpirtërore!  Doni t’ju sjell shëmbuj? Sapo ti p.sh. përmend me besë të thellë emrin e Zotit Jisu Krisht, zemra tënde dhe mjedisi përreth mbushet plot me erë të kënaqshme shpirtërore, sikur të mbanje në dorë një tufë lulesh kundërmonjëse.
Ti, psall Kisha, Ti o Krisht je lulja, lulja e vetme, lulja e përjetëshme, “lulja e rrënjës Iesse’”.  Emri yt përhap erë të kënaqëshme më tepër se çdo emër tjetër.  Nga kjo lule, e cila lulëzon përjetë dhe nuk vyshket kurrë, prej kësaj lule merr erë të kënaqëshme çdo lule tjetër, çdo shënjt tjetër pra.  Shënjtorët bien erë të këndëshme për shkak të aromës së vityteve, sepse jetuan gjithmonë me atë lule (Krishtin pra) në gjoks.  Pas lules së parë, lulja e dytë e zgjedhur, e shkëlqyer, e pakrahasueshme me asnjë tjetër është Hyjlindësja e Tërëshënjtë.
Gjatë shërbesës së Hymnit Akathist Kisha jonë i psall asaj:
“Gëzohu o lindëse e të pafishkurit trëndafil, gëzohu se ti po rrit mollën e herëshme, lule e qiellshme e Zotit dhe Mbretit, lum ti o Hyjlindëse, zonjë shpëtonjëse…”.
Lule shumëgjyrëshe dhe me shumë aroma të kënaqëshme janë oshënarët, hyjprurësit, martirët, Etërit dhe mësonjësit e Kishës sonë.  Ata janë lulet kundërmonjëse të parajsës mendore.

Emrat e shënjtorëve dhe në veçanti emri i Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht duhen nderuar, duhen mbajtur lart, ashtu si i mbajnë lulet lart në kopsa zbukuruese luledashësit.  Po a nderohen ashtu siç duhet?  Fatkeqësisht emrat e shënjtorëve dhe të Zotit, merren nëpër gojë pa pikë frike nga shumë njerëz, të cilët hedhin baltë me fjalë turpe dhe të pahijshme, fjalë që nuk thuhen dot dhe të cilat ngjajnë me vëndin ku grumbullojnë bajgat. Kështu pra xhevairet hidhen poshtë në stallë.  Dhe ndërkohë që gurët e çmuar nuk e humbin vlerën e tyre, mjerr ata që i hedhin poshtë xhevairet në stallë…

Në bajga lulet

Në bajga hidhen dhe shndërrohen gjëra dhe persona të cilat duhej të mbeteshin përgjithmonë lule të pavyshkura.  Në bajga lulet?! Le të marrim një shembull.  Të pikturuarit është një lule, një lulëzim i shpirtit të njeriut.  Një ikonë e pikturuar me sukses është një libër i shkëlqyer për populliln.  Por ja tek vjen njeriu i pafe’ dhe e keq-përdor artin e pikturës duke paraqitur pamje të turpshme dhe skandalis, ngjall përbrenda dëshira të turpshme dhe mbush zemrën me llucë.  Kështu arti i të pikturuarit në duart e piktorëve të padenjë shndërrohet në stallë.  E njëjta gjë ndodh dhe me skulpturën, me këngën dhe me çdo art tjetër të bukur.  E njëjta gjë ndodh dhe me poezinë dhe me letërsinë.  E njëjta gjë ndodh dhe me shtypin.  Dhe përgjithësisht e njëjta gjë ndodh me çdo gjë tjetër që demonstron jetën njerëzore.  Kudo ku ka lule, vjen kafsha dy-këmbëshe që quhet njeri, dhe i katandisur në nivele më poshtë edhe se shtazët, i shkel lulet, i këput dhe i përlan.
Në librin e tij të bukur rreth jetës së Krishtit, Xhiovani Papini shënon: “Mos ndofta bota nuk është një stallë e madhe e pafund, ku njerëzit hanë dhe lëshojnë bajga? Gjërat më të bukura dhe më të pastra, gjërat më hyjnore, mos vallë nuk i shndërrojnë në bajga?”.  Dhe në këto male me bajga të bashkë-grumbulluara prej poetësh, piktorësh, shkrimtarësh, gazetarësh, fillozofësh, sociologësh, nga higjemonë dhe mbretër, shtrihen dhe flenë lumërisht njerëzit, dhe i quajnë këto male bajgash “shijimi i jetës”.

Shoqëria stallë

Ejani tani, të shohim o besnikë se ku dhe si festohet sot në ditët tona kjo ngjarje kaq e madhe dhe e rëndësishme e historisë botërore, lindja e Shpëtimtarit. Ku pra do t’a vendosim? A ka vënd të pastër nga çdo e keqe në këtë dhe’ ku t’a vendosim margaritin e paçmuar, Zotin tonë? Dini ju ndonjë vend të tillë të pastër? Pse e lini Foshnjën Hyjnore të endet andej e këtej? Përsëri në stallë do përfundojë, edhe pse është shekulli 21-të? Mjerr! Jeta shoqërore në të gjitha nivelet e saj qelb nga era e padurueshme, erë e ndyrë stallash. Çdo gjë është shnëdrruar në stallë. Brenda këtyre stallave të sotshme, ku kafshët dy-këmëbshe pëllasin dhe shqelmojnë, ku sulmojnë njëri-tjetrin dhe sillen në mënyrë të pahijshme, dhe nxjerrin ndyrësira nga zemrat e tyre festohet Lindja e Krishtit.

Vjen Krishti dhe pastron

Por le të mos n’a pushtojë dëshpërimi.  Me gjithë gjëndjen e mjeruar në të cilën gjendemi le të mos e humbim shpresën ngushëlluese që shoqëria jonë nuk do të jetë gjithmonë stallë.  Shoqëria jonë do të pastrohet.  Dhe këtë shpresë e mbështesim tek besimi ynë në fuqinë e mbinatyrshme që zotëron Foshnja Hyjnore e Vithleemit.  Ka shembuj të panumurt që vërtetojnë fuqinë pastruese të Tij.

Stallë a nuk ishte jeta e asaj lavires për të cilën në mënyrë aq prekëse bën fjalë Ungjilli?  Studioni atë fragment në Ungjillin pas Llukait 7:36-50).  Nëpërmjet besimit tek Ai dhe me lotët e nxehtë të pendimit ajo grua mëkatare u pastrua; zemra e saj e qelbur u pastrua, duke ndritur më tepër se kristalet, zemra e saj u bë sallon i përshtatshëm për të pritur Mbretin e të gjithave, sallon mistik brenda të cilit e pret dhe bashkëbisedon me Të, dhe ngazëllohet shpirtërisht dhe bindet që një moment i vetëm i shoqërimit të shënjtë me Jisuin vlen pa krahasim më tepër se mijëra vjet qëndrimi dhe dëfrimi nëpër sallat dhe pallatet e botës.  Kështu pra, stalla u pastrua dhe u shndërrua në banesë, në kishë, në shtëpi Perëndie.

Stallë ishte dhe ajo lavirja e madhe që korruptonte kombet, Roma e lashtë, ajo perandoria në të cilën ishin mbledhur gjithë pahijeshitë e botës dhe prej së cilës vinin gjithë paturpësitë.  Përpara se të lindej Krishti nuk ishte tjetër veçse një qendër ndërkombëtare e korrupsionit.  Nën pushtetin e higjemonëve, mbretërve dhe perandorëve të degjeneruar, Roma, me orgjitë e saj të patregueshme, ishte kalbur krejt.  Lexoni poetët dhe fillozofët e asaj kohe dhe do t’u kallet frikë.  Respekti kishte humbur. Pafajshmëria nuk ekzistonte.  Krimet bëheshin haptazi dhe duartrokiteshin. E qelbur ishte Roma!  Kush e pastroi? Krishtërimi, përgjigjet historia e paanëshme dhe e pakorruptuar.  Por që të pastrohej nga gjithë turpet e jetës idhulltare, sa mund e djersë, sa gjak u desh?!  O ju varre të panumurta të katakombeve, lumenj, shpella dhe vrima të dheut, që mbajtët brenda jush lipsanet e atyre luftëtarëve trima dhe zemërgjërë, flisni dhe n’a tregoni betejat e tyre… E kaluara e lavdishme e Krishtërimit n’a jep kurajo dhe guxim për të tashmen dhe për të ardhmen.

Shoqërinë e sotme e cila jeton në male bajgash vetëm një mund t’a pastrojë, KRISHTI.  Por pastrimi do të mund të bëhet vetëm nëpërmjet bashëkpunimit nga ana e vullnetit njerëzor.  Perëndia do që të n’a pastrojë. Por duhet të duam dhe ne.  Le të duam pra.  Le të besojmë tek Ai.  Le të luftojmë të gjithë së bashku.  Le të jemi gati për çdo lloj sakrifice.  Dhe atëhere vendi dhe shoqëria do të pastrohen nga të gjitha turpet dhe me gojë të pastër dhe zemër të qashtër do psallet me gëzim dhe hare’:

Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti,
Le të ndjekim pas yllin, bashkë me
Magët mbretërit e Lindjes.
Ëngjëj e përhymnojnë atje pa pushim
Barinjët i këndojnë me fyell këngë të vyeshme
Lavdi më të lartat duke thënë
Atij që lindi sot në shpellë prej
Virgjëreshë dhe Hyjlindëses në Vithleem të Judhesë.

Përktheu nga Greqishtja,        Fragmenti u shkëput nga libri
Aleksander P. Filip                  “KRISHTLINDJE” (faqe 237-269)
Krishtlindje 2007                    i episkop Avgustin Kantiotit
ish Mitropolit i Follorinës,
botim i vitit 1988 në Athinë

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.