Αυγουστίνος Καντιώτης



Ngizja e Shën Prodhromit

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Ngizja e Shën Prodhromit


“Gëzohu ti shterpë që nuk pjell; nxirr zë dhe thërrit ti që nuk ke të dhembura të pjelli, sepse djemtë e shkretëtirës janë më të shumtë se të asaj që ka burrë” (Let. Pav. Gall.4:27)

Jetojmë të dashurit e mij në një epokë ateizmi dhe mosbesimi tek Zoti.  Në çdo njëqind veta sot me pikëpyetje është nëse vetëm një prej tyre beson me gjithë zemër tek Perëndia.  Të tjerët, nëse nuk janë ateistë dhe mosbesues, për të justifikuar besën e tyre të pakët thonë: që të besoj dua të shoh çudira, nëse shoh çudira vetëm atëhere do të besoj.

Por në qoftë se ekziston në botë ndonjë fe që bën çudira kjo është feja që themeloi Zoti ynë Jisu Krisht me gjakun e Tij të çmuar.  Çuditë në fenë tonë nuk janë diçka e rrallë.  Besimi ynë është i brumosur me çudi dhe mrekulli, është plot çudi dhe mrekulli.  Kush mundet të numurojë çuditë dhe mrekullitë e fesë sonë?  Janë të panumërta.

Por nga të gjitha çuditë dhe mrekullitë, me rastin e festës së sotshme, do të flasim më poshtë vetëm për një prej tyre.

***

Çudi dhe mrekulli është festa e sotshme.  Kush feston sot?  Në vitet kur po afrohej koha e Krishti ishte – n’a thotë Shrimi i Shënjtë – një çift, Zaharia dhe Elisaveta.  Një çift që kishte frikë Perëndie dhe dashuri midis tyre.  Por diçka iu mungonte, dhe nëse kjo diçka konkrete mungon nga shtëpia atëhere shtëpia nuk është e plotë dhe e lumtur.  Iu mungonte një fëmijë.  Nuk ishin ato kohë si kohët e sotshme, kohët tona moderne, ku fëmija nuk konsiderohet më bekim së lartazi, por sot fëmija, dhe veçanërisht fëmijët e shumtë konsiderohen fatkeqësi.

Nënat dhe baballarët e sotshëm, me mjete të frikëshme dhe të tmerrëshme, me mjete djallëzore të cilat n’a vjen turp edhe t’i përmëndim, përpiqen të çrrënjosin nga gjoksi i tyre jetën.  Çdo fëmijë që mbin në barkun e nënës është zambak qiellor.  Nuk është ky zambak as i gruas as i burrit.  Nëse nuk do Zoti, fëmijë nuk bëhen.  E pra, çdo fëmijë që ngizet në barkun e nënës është zambak qiellor.  Dhe pikërisht atë zambak, nëna së bashku me doktorët ateistë dhe mosbesues dhe me atin duke qënë bashkëfajtor, e çrrënjosin prej brenda saj.  Nëse dikush shkon të këputë nga poçet me lule një borzilok, e zonja e shtëpisë t’a tregon mirë qejfin.  Ajde të çrrënjosësh një bimë nga poçet e fqinjës… Nuk guxon dot.  Por ajo vetë, ajo grua pra, e cila nuk guxon tjetri t’i prekë lulen e saj në poçe, shkon dhe me vetë duart e saj çrrënjos nga gjoksi i saj borzilokun dhe zambakun qiellor, vetë fëmijën e saj.  Kush?!  Vetë nëna!
Nuk di nëse ekziston ndonjë mëkat më i madh se ky në brezin tonë.  Dhe nëse do t’a shkatërrojë Zoti botën, pikërisht për shkak të këtij mëkati do t’a shkatërrojë.  Nëse dikush vjen dhe më thotë që prishi një Kishë të tërë, do t’a fal, sepse do t’i them “shko dhe ngrihe përsëri Kishën, merr gurë dhe llaç dhe ngrihe përsëri”.  Por nëse më vjen një grua dhe më thotë që mora ilaçe dhe çrrënjosa fëmijën prej mitrës sime nuk e di nëse ekziston pendesë për këtë.  Ku duhet të shkojë kjo grua? Cilin at shpirtëror të gjejë që të rrëfehet?!  Sa lutje, sa kombosqinia dhe kreshmë duhet të bëjë?!…  Nuk ka mëkatë më të madhe se kjo.

E megjithatë sot kjo gjë është modë.  Përpara se të martohen bëjnë marrëveshje: do të bëjmë vetëm një fëmijë, ndoshta dy, dhe më pas STOP!  Dhe kjo gjë ndodh jo vetëm në familjet e varfëra dhe që s’kanë mundësi, por edhe në familjet e atyre që janë të zhytur në para, që kanë para dhe kanë mundësi të ushqejnë dyzina të tërë fëmijësh, por në vend të fëmijëve ushqejnë qenër.  Familjet e varfëra deri para disa kohësh bënin nga shumë fëmijë, ndërsa sot edhe ata, të ndikuar nga moda e sotshme, nuk përpiqen më… kudo pra u përhap zgjebia…

Sigurisht kjo temë është tepër e gjerë.  Do të mund t’iu vërtetoja që vite më parë skamja dhe varfëria ishin shumë herë më të mëdha, ushqenin atëherë edhe pesë edhe dhjetë fëmijë.  Kur nuk ke bekimin e Zotit edhe një fëmijë të vetëm të kesh nuk ke për t’a gëzuar; por nëse ke bekimin e Zotit, edhe pesë edhe dhjetë dhe pesëmbëdhjetë dhe njëzet fëmijë do t’i rritësh – nuk janë përralla këto gjëra.  Por sot mosbesimi mbizotëron dhe bën ligjin: një fëmijë këtu një atje, dy aty-tek… të tjerat po zhduken.

Por nuk mendonin kështu Zaharia dhe Elisaveta.  Ata i luteshin Zotit t’iu jepte fëmijë.  Dhe Fuqimadhi Zot, iu dhuroi një fëmijë në moshë të kaluar.  Dhe ky fëmijë ishte Shën Joan Pararendësi, burri më i madh i Dhjatës së Vjetër.  Këtë ngjarje, zënien e këtij fëmije në barkun e nënës së tij Elisaveta, këtë çudi dhe mrekulli pra, Kisha jonë e Shënjtë e feston më 23 Shtator…

***

Por do të më thoni: tërë këto që thua ishin “në atë kohë”.  Ne duam çudira të ditëve të sotshme.

Ah, vëllezërit e mij!  Bëhen dhe sot çudira dhe mrekullira.  Por edhe sikur të gjitha çuditë dhe mrekullitë t’i shihnim, nëse nuk shohim një – vetëm një çudi dhe mrekulli – atëherë do të shkojmë drejt ferrit.  Dhe kush është kjo çudi dhe mrekulli?  Çudia dhe mrekullia më e madhe të cilën duhet secili prej nesh t’a shijojë është ndërrimi i zemrës.  Ah ato zemrat, që janë plot gjarpërinj dhe nepërka dhe akrepa helumues, që kanë përbrenda tyre shthurrje dhe prishje, që kanë përbrenda tyre lakminë dhe argjendashjen!  Këto zemra pra si do të ndryshojnë? “Krijo zemër të kthejllët tek unë o Perëndi dhe përsërit përbrenda meje frymë të drejtë” (Psallmi 50:12).  Si do të ndryshojë kjo zemër?  Është shumë e thjeshtë.  Të kemi besim tek Perëndia, vëllezër të dashur, jo pesë-përqind(5%) por njëqind-përqind(100%), të kemi besim të patundur që Krishti është Perëndia, Krishti është Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotëruesve, të kemi besim të patundur që Krishti është A(lfa) dhe Ω(mega), që Krishti është jeta e botës.  Tek ai të besojmë me gjithë shpirt.
Dhe diçka tjetër akoma.  Të pranojmë të gjithë ne faktin që jemi mëkatarë dhe që kemi nevojë për pendesë.  Dhe më pas, çfarë të bëjmë?  Të shkojmë të rrëfehemi.  Ka të Krishterë që kanë vite të tëra pa u rrëfyer.  Nga një mijë të Krishterë vetëm pesë rrëfehen.  Të gjithë të tjerët nuk shkojnë në rrëfim dhe kungohen me misteret e shënjta duke qënë të papërgatitur.  Do të dënohen me ferr të përjetëshëm…

Po, vëllezërit e mij!  Të besojmë ashtu siç besuan Zaharia dhe Elisaveta, ashtu siç besuan Avraami dhe Sara, ashtu siç besuan të gjithë Shënjtorët.

Besofshin pra të gjithë, burra e gra, tek Krishti.  Vulosini veshët me dyllë dhe mos dëgjoni se çfarë thonë të pabesët, ateistët dhe masonët…  Mbani në zemrat tuaja të ndezur flakën e besimit.  Dhe kështu të n’a denjësojë Perëndia që kur të arrijmë në momentin e fundit të jetës mbi dhe’, të bëjmë denjësisht shenjën e Kryqit dhe të themi dhe ne: “Kujtomë o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde” (Lluk.23:42). Amin.

Lindja e Joan Prodhromit
24 Qershor

Shën Joan Pararendësi ose Joan Prodhromi, është shënjti më i madh i Dhjatës së Vjetër.  Është ylli më i ndritshëm i botës së lashtë përpara se të vinte Krishti.  Nuk e themi ne këtë gjë, vetë Krishti e thotë.  Tha që “mes’atyre që janë lindur prej grash nuk është lindur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori” (Matthe 11:11).  E megjithatë, edhe Joan Pararendësi, përpara Krishtit e konsideronte vehten shumë të vogël dhe të përulur duke thënë që nuk është i denjë të përulet dhe të zgjidhë “rripin e shollëve”, dmth s’mund të zgjidhë as lidhëset e këpucëve të Krishtit (Ioan 1:27).
E gjithë jeta e Shën Joanit, që nga fillimi dhe deri në fund, ishte një jetë jo e zakonshme.  Nuk ishte pra si jeta e gjithë njerëzve të tjerë.  Ishte një jetë e cila ngjallte admirim prej të gjithëve.  Joani ishte me të vërtetë i madh.  Dhe vetëm lindja e tij mjafton të vërtetojë që Joani ishte i madh.  Sepse, ashtu siç thotë dhe Ungjilli i shënjtë, erdhi në jetë mrekullisht.  Cila ishte kjo mrekulli?  Për t’ju dhënë një farë ideje për këtë çudi dhe mrekulli që u bë gjatë lindjes së tij do të përmend shembullin e mëposhtëm.

Në qoftë se ju tregoj një gur prej mermeri dhe ju them që nga ky mermer do të mbijë një lule e bukur kush do të më besojë?  Lulet, që të mbijnë duan dhe’ të zgjedhur.  Mbijnë nëpër poçe, për të cilat përkujdesen nikoqiret e shtëpive.  Nuk mbijnë mbi mermer ku nuk ka dhe’ fare.  E pra, ajo që nuk bëhet në mermer pikërisht u bë në rastin e Shën Joan Prodhromit.  U lind prej një gruaje e cila jo vetëm kishte një burrë të shkuar në moshë por dhe vetë ishte shterpë.  Dhe jo vetëm shterpë por edhe e kaluar në moshë.  Si një copë mermer ishte përsa i përket fëmijë-bërjes.  Ashtu si në mermer nuk mbin lulja kështu edhe fëmijë-bërja është e pamundur për një grua shterpë dhe të kaluar në moshë.  A kini dëgjuar ndonjëherë të lindë ndonjë grua 70 vjeç, e cila gjatë moshës së rinisë ishte edhe shterpë?  E megjithatë kjo grua shterpë dhe e kaluar në moshë, Elisaveta, lindi fëmijë – lindi Shën Joan Prodhromin.  Ja pra çudia dhe mrekullia.

Ati i shën Joanit, prifti Zaharia, kur dëgjoi prej ëngjëllit që gruaja e tij Elisaveta, e cila në moshën e rinisë nuk bëri dot fëmijë, do të lindte tani në pleqëri një fëmijë, nuk deshi të besonte se vërtet do të ndodhte një gjë e tillë, dhe për shkak të mosbesimit të tij u dënua dhe mbeti i pagojë.  Iu zgjidh gjuha dhe foli ditën që do t’i jepej emri fëmijës.
-Si do që t’a quajmë fëmijën?, e pyesnin të afërmit e tij.
Dhe Zaharia mori një copë dërrasë dhe shkruajti mbi të emrin JOANI.  Dhe menjëherë sapo e shkrojti i erdhi goja dhe foli.  Dhe jo vetëm që foli por edhe shkrojti një poemë, jo si poemat e botës që kanë fjalë që rimojnë, por poemë plot kuptim hyjnor, poemë e frymëzuar nga Perëndia, poemë-lutje, poemë-profeci.  Zaharia profetizoi se çfarë kishte për t’u bërë fëmija (Lluk. 1:68-79).
Çudi dhe mrekulli ishte lindja e Shën Joanit, por çudi dhe mrekulli ishte dhe jeta e tij e mëpasme.  Joani, kur afroi koha, u largua nga shtëpia dhe shkoi larg, shumë larg, në shkretëtirë e cila ishte përtej lumit Jordhan, dhe atje ndenjti për shumë vite duke bërë një jetë tepër të vështirë.  Banesa e tij ishin shpellat.  Pija e tij ishte uji i Jordhanit.  Ushqimi i tij ishin karkalecat.  Veshja e tij ishte e ashpër, e punuar me qime gamileje.  Shoqëri kishte kafshët e egra.  Libër i tij të cilin e studionte çdo ditë ishte natyra – gjithçka krijoi Perëndia.  Gëzimi i tij ishte lutja.  Shpresa e tij, e cila mbushte zemrën plot, ishte lajmi që po vjen Krishti dhe ai (Joani pra) duhej të parapërgatitte popullin për të pranuar Shpëtimtarin e botës.
Dhe kur erdhi ora e duhur Joani filloi të lëçitë në popull.  Predikimi i tij ishte PENDIMI – PENDOHUNI!  Me fjalë tepër të ngrohta, fjalë që dilnin prej zemrës së tij dhe bënin akoma dhe zemrat më të akullta të shkrinin dhe të ndjenin dashurinë e Perëndisë, me këto fjalë pra iu bënte thirrje njerëzve të linin pas jetën mëkatare, të pagëzoheshin në ujrat e Jordhanit dhe të merrnin vendimin për të bërë një jetë tjetër, një jetë të re tani që do të vinte Krishti për të themeluar Mbretërinë e Tij, dmth Kishën e Tij.  Një parapërgatitje pra për një jetë të Krishterë ishte predikimi i Joanit.  Ashtu si një fëmijë i vogël që shkon në fillim në kopësht dhe mëson shkronjat e para, kështu dhe njerëzit, përpara se të bëheshin nxënës të Krishtit duhej në fillim të kalonin nëpër duart e Joan Pararendësit.  Shkolla e Joanit ishte si një çerdhe/kopësht.  Shkolla e përsosur është mësimi i Jisu Krishtit.  Pikërisht për këtë arësye të gjithë nxënësit e Joanit u bënë më pas nxënës të Krishtit.
I admirueshëm pra Joani për lindjen e tij të çuditëshme.  I admirueshëm për asketizmin e tij.  I admirueshëm edhe për mësimet e tij.  I admirueshëm akoma edhe sepse u vlerësua të pagëzojë Krishtin në ujrat e Jordhanit.  Dhe së fundi, i admirueshëm për vdekjen e tij martirike.  Kur mori vesh se mbreti la gruan e tij dhe jetonte me një grua tjetër, me gruan e vëllait të tij, Joani me guxim u paraqit në oborret mbretërore dhe kritikoi mbretin në sy të të gjithë të pranishmëve.  Dhe pikërisht këtë kritikë e pagoi me jetën e tij.  U arrestua, u burgos, dhe në fund iu pre koka.

***

Të dashur të Krishterë!  Edhe dy fjalë të tjera do të themi për emrin që iu vu, sipas porosisë së Perëndisë, birit të vetëm dhe të shumë-dashur të Zaharisë dhe Elisavetës.  U quajt JOANI.  Emri Joani është me origjinë hebraike, dhe do të thotë dhuratë nga Perëndia.  Dhe vërtet që Joani u tregua dhuratë Perëndie, ishte një mirësi për mbarë njerëzimin.  Pyes: a janë të gjithë fëmijët që vijnë në këtë botë dhurata Perëndie?  Po, të gjithë fëmijët janë dhuratë nga Perëndia.  Perëndia, nëpërmjet prindërve i sjell në botë, i sjell në botë që të bëjnë të mira, të falenderojnë prindërit dhe të bëjnë punë të vlefshme për njerëzimin.  Por fatkeqësisht, shumë prej fëmijëve, meqënëse nuk kanë prindër të mirë, të mirë si prindërit e Joanit, dhe meqënëse shoqëria jonë e sotshme është shumë e korruptuar dhe çdo ditë jep shembuj të këqinj tek fëmijët, për këtë arësye pra shumë fëmijë dalin nga udha e Perëndisë, dalin nga udha që gdhëndi Krishti, dhe prishen dhe çthurren, dhe me krimet dhe keqbërjet e tyre bëhen fatkeqësia e njerëzimit.

O prindër, nëna dhe baballarë!  KINI KUJDES FËMIJËT TUAJ – SI SYTË E BALLIT!  Ushqejini me “mësimet dhe këshillat e Zotit”.  Futni brenda tyre frikën e Perëndisë.  Ruajini nga shoqëritë e këqia.  Dhe atëhere fëmijët tuaj do të jenë për ju dhe për shoqërinë DHURATA PERËNDIE.

Përktheu nga Greqishtja

Aleksandër P. Filip
24 Qershor, 2008
+Lindja e Shën Joan Pagëzorit

Kapitujt u shkëputën nga libri
“Shën Joan Prodhromi – Misioni dhe punët e tij”
Nëpër shkrimet dhe predikimet e episkop Avgustin Kantiotit

Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri, mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!

Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi.

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.