DITË DRITE
DITË DRITE
Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti
“Sot shkëlqen nga drita e gjithë bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr; le të festojë e gjithë krijesa Ngritjen e Krishtit që jetë n’a siguron.”
U NGJALL ZOTI! Edhe çfarë se rrojmë në kohët e distancimit të njerëzimit prej Perëndisë? Edhe çfarë se thërresin kundër ngjalljes saduqenjtë e rinj të kohëve të sotshme? Edhe çfarë se sulen si qenër të zgjidhur nga zinxhiri të pafetë dhe ateistët? Me të vërtetë u Ngjall Zoti! Duhen prova dhe vërtetime? A është e nevojshme të vërtetojmë që ekziston dielli? O njerëz, hapni dritaret e dhomave tuaja të errëta dhe lereni dritën e diellit pranveror të vërshojë brenda shtëpive tuaja. O të pafe’ hapni dritaret, hapni zemrat tuaja të kyçura, dhe do të shihni dhe do të ndjeni që gjatë natës së Ngjalljes me ngazëllim psall Kisha: “Sot shkëlqen nga drita bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr…”.
U Ngjall Zoti! Errësira u shpërnda. Dielli i paperënduar lindi. Me mijëra diej ndriçojnë botën. Drita e Ngjalljes ndrit qiellin, dheun dhe ferrin. Çdo gjë shkëlqen nga drita.
Dritë në të përmbiqiellshmet
U Ngjall Zoti. Ndriçohen nga Ngjallja e Tij në fillim qiejt. Nën Dritën e Ngjalljes ëngjëjt shohin më qartë dhe më kthjellët fytyrën e Jisuit. Sepse misteri që mbulonte Jisuin, Birin e Virgjëreshës, ishte i pafund, i madh dhe i pakapshëm, ishte i pakuptueshëm edhe nga intelekti i Ëngjëjve. A nuk shkruan himni i Tetë Tingujve “Nuk e dinin si more trup ëngjëjt e tu të patrup”? A nuk psallën ai krijuesi tjetër i Hymnit Akathist: “Gëzohu o lartësi ku nuk ngrihen dot mëndjet njerëzore; Gëzohu o thellësi e pakuptueshme nga sytë e ëngjëjve”? O lartësi dhe thellësi e misterit! Perëndia mori trup. Perëndia u lind në grazhd. Perëndia ec dhe shoqërohet së bashku me njerëzit në kushte shumë të përulëta. Pamje tepër e veçantë, e paparë në botë ndonjëherë. Ëngjëjt ndjekin hap pas hapi udhën e Jisu Krishtit, dhe nga momenti në moment habiten dhe çuditen. Ç’është kjo? Çuditen dhe habiten me fenomenet e ndryshme të Jetës së Tij. Perëndia që nuk e nxenë dot qiejt e nxe pa u ndryshuar ena virgjërore. Perëndia bëhet shërbëtor dhe lan këmbët e nxënësve të tij. Perëndia…kalon agoni në kopshtin e Gjethsemanisë! Dhe zëri tronditës “O Perëndia im, o Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”! Si do t’iu duken të gjitha këto ushtërive të Ëngjëjve?! Si të kuptohen këto gjëra nga qeruvimet dhe nga serafimet? Këto që po ndodhin e tejkalojnë akoma dhe aftësinë mendore të ëngjëjve. Por Ngjallja e Zotit hedh dritë. Dritë ndriçuese. Ëngjëjt tani nën këtë dritë shohin Jisuin të dalë nga cikli i përulësisë, të dalë nga retë e zeza të ligësisë njerëzore dhe të lëshojë dritë me gjithë shkëlqimin e Hyjnisë së Tij. Ngjallja përhap kudo Dritë, lëshon ngjyra të veçanta në të gjitha stadet e jetës së dheshme të Zotit, dhe tani ëngjëjt futen më thellë në misterin e madh.
Krishti u Ngjall. Shkëlqejnë qiejt!
Dritë mbi të dheshmet
Pse vetëm qielli ndriçohet? Edhe dheu ndriçohet nga drita e begatë e Ngjalljes. Sepse njerëzit, ata njerëz që e venë vehten e tyre nën dritën e Ngjalljes, e shohin dhe kuptojnë që gjërat njerëzore nuk drejtohen nga fati që nuk ekziston, nuk i qeverisin forca të errëta, shohin se gjërat njerëzore nuk përbëjnë një problem të pazgjidhshëm, nuk përfundojnë në varr, por shohin që jeta ka një vijë ndriçuese, ka një qëllim të caktuar, ka një destinacion. Nga çasti që u dëgjua dhe u besua që “Krishti u Ngjall”, dyshimi, dëshpërimi, mosbesimi, skepticizmi dhe çdo sistem tjetër që ka simbol ligësinë, dërmohen brenda shpirtit të atij që beson dhe ia lenë vendin Ngjalljes së Zotit. Dritë pra në zemrën e besimtarit.
Çfarë është jeta? Pasuri dhe thesare? Shfrytëzim? Shijim i kënaqësive trupore? Shndërrim në kafshë apo bishë? Adhurim i egos? Jo! Jeta tani merr kuptimin e saj të vërtetë. Jeta është sakfrificë, Golgotha, kryq, dhe pas kryqit është ngjallje, sipas modelit të jetës së Krishtit. Besimi i hedh hapat duke u ndriçuar nga Ngjallja e Zotit. Ec në rrugën e vështirësive, ec në rrugën e detyrës, ec në rrugën e kryqit, duke u gëzuar me një gëzim mistik dhe të patreguar. Dhe nuk është vetëm në këtë rrugë. Zoti i gjallë është shoqëruesi i tij i ëmbël. Kur gjendet në stuhi dhe furtunë nuk i ndalon hapat e tij, nuk dekurajohet nga pengesat, nga rëniet tragjike që pëson, nuk dekurajohet as nga fitoret e përkohëshme të të ligut. Pamja e Ngjalljes së Zotit është e gjallë përpara syve të tij. Gjatë natës së errët të jetës së tij, gjatë sulmeve të egra të ligësisë, gjatë tërbimit të hidhërimeve të njëpasnjëshme, besimtari sheh dritën e Ngjalljes, sheh shkëmbin ku mund të kapet dhe të mbahet i patundur, sheh spirancën prej ku mund të varret, dhe kjo spirancë e sigurt është premtimi i Zotit të Ngjallur, e cila ndër shekuj arrin deri në veshët e tij mistikë:
“O Zëri yt i ëmbël dhe hyjnor! Ashtu siç shpalle, me të vërtetë me ne je deri në mbarim të shekujve o Krisht, dhe ne besnikët gëzohemi dhe ngazëllohemi duke të patur Ty spirancë shprese.”
Drita e Ngjalljes ndriçon gjithë jetën e besimtarit. Kjo dritë e shoqëron edhe atje kur të gjithë e braktisin, edhe atje ku llampat dhe llambadhet e botës shuhen, edhe atje ku trimat dridhen, edhe atje ku filosofët shtrydhin trutë duke u çuditur, edhe atje ku shkencëtarët të zbehur mbyllin librat e tyre dhe nuk shohin asgjë tjetër përveç errësirës që shpon sytë, zymtësi. Zymtësi dhe errësirë e pamasë është varri. Por për kë? Për ata që nuk besojnë.
Por për atë që beson, për atë që mban në dorë lambadhen e Ngjalljes, varri ndriçohet, dhe duke qëndruar në varret e të dashurve ëmbëlsohet me vizionin e ngjalljes së përbashkët, e ngjalljes së të gjithëve, fillim i të cilës është Ngjallja e Zotit. “Por tashti Krishti u Ngjall së vdekurish dhe u bë fillimi i atyre që kanë fjetur.” (Let.I.Pav.Korinth.15:20).
Dritë edhe në Ferr
Krishti u Ngjall! Dheu ndriçohet. Po vetëm dheu ndriçohet? Drita e Ngjalljes depërton edhe në thellësitë e skëterrës dhe shpërndan atje dritën e ngushëllimit në shumicën e panumurt të të vdekurve. Sa të sigurt jini që këtu në tokë festohet Pashka, po aq të sigurt të jini që do të vijë çasti kur do të dëgjohet edhe atje trumpeta e ngjalljes së të vdekurve, dhe menjëherë hadi do të boshatiset dhe vdekja do të zhduket dhe gjithë ata që shpëtuan do të psallin himnet festive: “Ku është o vdekje thumbi yt? Ku është o had, fitorja jote?” (Let.I Pav.Korinth.15:55).
Krishti u Ngjall. Dritë u bënë qiejt! Krishti u Ngjall. Ndriçohet dheu i tërë! Krishti u Ngjall. Llamburit gjithë natyra! Krishi u Ngjall, akoma dhe skëterra ndriçohet.
Skëterra? Errësira ndriçohet? Cila skëterrë? Demonët! Demonët? Po, demonët. Edhe demonët ndriçohen nga Ngjallja. Por si ndriçohen? Drita e Ngjalljes nuk është për ta gëzim, por ngjall frikë tek ata dhe iu kall tmerrin ushtrive të tyre; ashtu siç hidhet dritë mbi errësirën për të zbuluar fajtorin, i cili në atë moment do të deshte të zhdukeshin të gjitha drita e botës, të gjitha dritat elektrike, të gjithë diejt, që të mos gjendet asnjë dëshmimtar i krimit të tij, në këtë mënyrë pra ndriçohen demonët. Dritën e Ngjalljes e panë edhe demonët dhe u drodhën nga frika. Po, e panë edhe ata! Ashtu siç thotë edhe Shën Ignat Hyjprurësi “Krishti i Ngjallur u pa edhe nga ëngjëjt, edhe nga njerëzit, edhe nga demonët”. Demonët, përpara Ngjalljes kishin një ide të turbullt për Jisu Krishtin. Dëgjonin dhe ndiqnin mësimet e tij. Shihnin mrekullitë e tij. Me vëmendje ndiqnin jetën e tij. E konsideronin Jisuin një personalitet të rrallë dhe të veçantë, dikur e quajtën dhe Bir Perëndie (Matth. 8:29, Mark.5:7,Lluk.8:28), por kurrë nuk e imagjinonin që brenda Tij kishte tërësi hyjnore. Personin e Krishtit vetëm e supozuan. Pikërisht për këtë arësye i lëshuan me tërbim organet e tyre deri në vdekje. Por varri, dhe pas varrosjes dhe ngjallja, vërtetuan misterin e madh. Perëndi ishte dhe jo thjesht vetëm një njeri. Skëterra nuk mund t’a nxinte, nuk mund t’a përfshinte dot Perëndi-njeriun. Ashtu siç shkëlqyeshëm thotë dhe Shën Joan Gojëarti në një nga fjalët e tij:
“Skëterra mori trup brenda saj por i doli Perëndi. Pranoi brenda tij dhe’ por u ndodh përballë qiellit. Mori një të burgosur por fajtor nuk ishte… U Ngjall Krishti dhe demonët u dërmuan”.
Dritë kudo dhe përgjithmonë
Me ngjalljen pra të Zotit çdo gjë u mbush plot dritë. Me këtë Dritë çfarë lloj drite tjetër, natyrale apo artificiale, do të mund të krahasohet? Dielli? Po dielli ndriçon dhe ngroh deri në një pikë të caktuar. Ka në hapësirë distanca të tilla që nuk i arrijnë dot rrezet e diellit. Por edhe pak metra poshtë sipërfaqes së detit dielli nuk depërton dot. Për thellësitë pra të oqeaneve dhe për lartësitë e qiejve dielli nuk ekziston. Një qiri pra i dobët ndriçon një qoshe të hapësirës së pamasë dhe të pafund. Por Ngjallja e Zotit është dritë e paperënduar, dritë që ndriçon qiellin, dheun dhe skëterrën. Rrezatimi që reflektohet nga Ngjallja e Krishtit nuk mund të kufizohet nga koha apo vëndi dhe distanca. Drita mistike depërton kudo. Edhe çfarë nëse dikush jeton në mes të Eskimezëve dhe një tjetër jeton në mes të Etiopianëve? Edhe çfarë se dikush jetoi 3 shekuj përpara Krishtit dhe tjetri jeton në shekullin e 21-të pas Krishtit, dhe dikush tjetër do të jetojë 500 vjet më pas? Drita e Ngjalljes depërton kudo pavarësisht pra nga koha dhe vëndi apo distanca. Ndriçohen djepat e foshnjave, por në të njëjtën kohë ndriçohen edhe varret e paraardhësve. Drita e Ngjalljes ndriçon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ndriçon shekujt e tërë.
Çfarë do të mund t’a shuajë atë Dritë? Ai që thotë se do të mund t’a shuajë Dritën e Ngjalljes ngjan me atë të marrin i cili hipi mbi një shtyllë telefonike dhe duke fryrë me tërbim mburrej se do të shuante diellin! Përpjekje të kota dhe demonstrim çmëndurie do të thoni. Por përpjekje vërtet të kota dhe çmënduri e vërtetë, themi ne, janë tentativat e të gjithë atyre të cilët me argumenta të marra të mëndjeve të tyre të luajtura vëndit mburren duke thënë se një ditë do të mund t’a shuajnë dritën që ndezi Ngjallja e Krishtit.
O të pabesë ndër shekuj! Përqëndroni sa të doni të gjitha forcat tuaja në këtë pikë. Flisni, mbani ligjërata, shkruani sa të doni, mprehni thikat sa të doni, ngjituni lart sa të doni. Çfarëdo që të bëni Krishti u Ngjall! Ky Diell gjithmonë do të ngjitet lart e më lart, do të shpërndajë retë, do t’a mposhtë gjithmonë errësirën dhe do të ftojë në shpëtim popuj dhe kombe të tërë.
“Ejani merrni dritë nga Drita që nuk perëndon”.
Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008
Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!
(ΑΠΟ ΤΟ ΒΙΒΛΙΟ ΤΟΥ Π. ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΟΥ “ΠΑΣΧΑ” ΚΕΦΑΛΑΙΟ “ΗΜΕΡΑ ΦΩΤΟΣ”
Add A Comment
You must be logged in to post a comment.