Αυγουστίνος Καντιώτης



DITË GËZIMI DHE HAREJE

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

DITË GËZIMI DHE HAREJE

Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“U gëzuan nxënësit kur panë Zotin”
(Ioan. 2
0:20)

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht le të shkojmë në Tokën e Shënjtë, atje ku ndodhi drama e dramave.  Mëndërisht le të shkojmë në Golgotha.

Mishërimi i Dashurisë sakrifikohet

Është e Premjta e Madhe, ora 3 pasdite.  Një errësirë e dendur vazhdon të mbulojë tokën.  Dielli përpara pamjes së frikëshme të kryqëzimit të Birit të Perëndisë, fshehu rrezet e tij.  Jisu Krishti, Dashuria e mishëruar, ndodhet në momentet e fundit të jetës së tij mbi dhe’.  Pas pak prej buzëve të tij të hidhëruara dëgjohet dhe fjala e fundit “MBAROI”.  Dhe “duke ulur kryet dha shpirtin” (Ioan. 19:30).

Armiqtë e Krishtit, farisenjtë dhe shkronjësit, kryepriftërinjtë dhe priftërinjtë, dhe populli mosmirënjohës duke parë ndryshimet natyrore që po ndodhnin u frikësuan; po prisnin nga çasti në çast mos ndoshta Jisu Krishti zbriste nga kryqi dhe lëshonte rrufe dhe i shfarroste të gjithë ata nga faqia e dheut.  Por tani që dëgjuan fjalën e tij të fundit “MBAROI” u qetësuan.  Krishti tashmë është i vdekur!… “E çfarë mund të bëjë një i vdekur?  Kur ishte gjallë bëri shumë gjëra mahnitëse, por tani… kush i jep rëndësi një të vdekuri?  Krishti nuk ekziston më.  Skëterra e errët e përpiu, ashtu si dhe të gjithë të tjerët para tij”.  Këto pra duke menduar armiqtë e Krishtit u qetësuan.  Qëndruan dhe pak momente të tjera si spektatorë përpara pamjes së frikëshme dhe kur konstatuan që Jisui nuk jepte asnjë shënjë jete filluan të largohen prej atij vëndit të krimit dhe të kthehen në Jerusalem për të festuar festën e tyre të madhe judaike, pashkën e tyre, të cilën gjatë viteve të mëparshme kur jetonte Krishti e festonin me shqetësime dhe trazira.  Kryqëzuesit të mbytur nga protesta e ndërgjegjes së tyre për këtë kryevepër padrejetësie do të festonin me madhështi pashkën judaike.
Armiqtë e Krishtit gëzohen sepse Krishti nuk jeton më.  Po nxënësit e tij? Një  atmosferë e thellë keqardhjeje, melankolie dhe dëshpërimi ka pushtuar shpirtet e tyre.  Të gjithë shpresat e tyre i kishin mbështetur tek Krishti.  I lanë të gjitha pas dhe ndoqën Krishtin.  E ndoqën me besë dhe shpresë se Mësonjësi i tyre, më i fuqishëm se Davidi dhe Solomoni, do të mundte të gjithë armiqtë dhe do të shpallej mbret i Israelit.  Dhe ata duke qënë pranë tij do të kishin ndere dhe lavdi.
Por tani?  Tani me vdekjen e tij të vajtueshme të gjitha shpresat e tyre humbën.  Të dëshpëruar dhe të frikësuar diskutojnë midis tyre duke thënë: “ne shpresonim që ai ishte ai që do të shpërblente Israelin” (Luk.24:21).

U Ngjall Shpresa

Gëzohen armiqtë e Krishtit.  Dëshpërohen nxënësit e Krishtit.  Por papritur, oh çfarë shdërrimi!  Armiqtë e Krishtit dëshpërohen dhe dridhen, ndërsa nxënësit e Krishtit gëzohen dhe ngazëllohen me një gëzim dhe hare’ që nuk ka gjuhë t’a përshkruajë.  Lepujt dalin nga vrimat ku ishin fshehur dhe si luanë tani guximtarë dhe pa frikë janë gati të predikojnë kudo në botë Ungjillin e Krishtit.  O Perëndi, çfarë shndërrimi!
Por pyes: çfarë i bëri nxënësit të ndryshojnë krejt gjendjen e tyre shpirtërore, çfarë ndodhi dhe u ngjall shpresa e tyre e vdekur,  kush i armatosi ata me guxim dhe kurajo kaq të madhe dhe kush i dërgoi përpara mbretërve dhe perandorëve të predikojnë Krishtin duke qënë gjithmonë gati të pësojnë edhe ata të njëjtin kryqëzim si Krishti?!
Ky shndërrim nuk ka tjetër shpjegim përveç se një ngjarje.  Dhe kjo ngjarje, që është ngjarja më tronditëse në historinë e botës, është Ngjallja e Lavdishme e Krishtit.  Pa këtë ngjarje atmosfera melankolike do të bëhej akoma dhe më e keqe, dhe dishepujt, krejt të zhgënjyer do të vdisnin pranë rrjetave dhe varkave të tyre të peshkimit tek të cilat ishin kthyer pas kryqëzimit të Krishtit.  Po! Ngjallja e Krishtit nuk është mit.  Nuk është trillim i fantasisë së dishepujve, të cilët në gjendjen e tyre psikologjike që ndodheshin ishte e pamundur të mendonin ngjallje.  Dishepujt, keqbesues dhe mosbesues në fillim,  vetëm kur panë dhe dëgjuan Krishtin rrëfyen ngjalljen e tij dhe vetëm atëhere ajo reja e zezë e dëshpërimit u shpërnda dhe zemrat e tyre ndritën prej gëzimit të patreguar. “U gëzuan nxënësit kur panë Zotin” n’a thotë Ungjillori Joan (Ioan.20:20).  U gëzuan nxënësit.  Po vetëm nxënësit u gëzuan? U gëzuan dhe gratë mirofore, të cilat nga dashuria e flaktë për Krishtin u denjësuan të dëgjojnë ato të parat “KRISHTI U NGJALL”.  U gëzuan ëngjëjt dhe Kryeëngjëjt, të cilët që lartazi panë triumfin e së vërtetës mbi gënjeshtrën, triumfin e virtytit mbi të keqen, triumfin e dritës mbi errësirën.  Dhe më shumë se gjithë të tjerët u gëzua Hyjlindësja Mari, e cila gjatë kryqëzimit të Birit të saj ndjehu thikën me dy presa të përshkojë tej për tej zemrën e saj nënore.  O nxënës të Krishtit, KRISHTI U NGJALL!  Gëzohuni dhe ngazëllohuni!
Ngjallja e Krishtit është shkëmbi i patundur sipër të cilit do të valvitet në shekuj flamuri i të Kryqëzuarit.

Besimi i mund të gjitha

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht shkuam në vendin e kafkës ku pamë Krishtin të kryqëzuar dhe më pas të ngjallur së vdekurish.  Le të kthehemi tani në botën e sotme.  Pamja të cilën paraqet epoka jonë për nga ana e besimit, moralit, dhe nga ana shoqërore është për të vajtuar.  Kudo që të shkojmë mbi dhe’ të njëjtën pamje do të shohim, me ndryshime të vogla.  Kudo shikon vendin e kafkës.  Kudo sheh kryqe.  Jisu Krishti me mijëra mënyra kryqëzohet përsëri.  Figura e Tij e ëmbël fishkëllohet, tallet dhe përqeshet.  Jo vetëm të rinjtë, të cilët ndjekin ato programet anti-krishtërore të televizionit – ose më mirë të them të “televerbimit” jo të televizionit – por edhe pleqtë të cilët ndodhen në fund të jetës së tyre tallin dhe përqeshin të Kryqëzuarin.  Varavai është përsëri i lirë.  Krishti përsëri mbi kryq.  Mashtrimi dhe diplomacia mbizotërojnë kudo.  Gurë shahu janë të pafuqishmit në duart e të fortëve të botës.  “Armët tona janë fuqia dhe forca jonë, trembuni ju o popuj”.  “Kryqëzoje, kryqëzoje atë” – të varfrin, të paarmatosrurin, të pafuqishmin kudo në botë ku gjendet! Dëgjohen pra këto thirrje anembanë planetit tonë mëkatar, i cili mburret për civilizimin dhe teknologjinë e tij, për udhëtimet në hapësirë, por që në të vërtetë është në prag të vdekjes.  Errësirë përsëri mbi tokë, edhe pse kemi kaq shumë drita teknike…

Armiqtë e deklaruar të Krishtit gëzohen dhe dëfrejnë, mburren duke thënë që pas pak kohe emri i Jisu Krishtit nuk do të prekë më shpirtin e njerëzimit.  Besojnë se po afrohet fundi i Krishtërimit.  Ata pak besimtarë që kanë mbetur sot, besimtarë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, vuajnë nën atmosferën e rëndë që krijon mjegulla e tmerrëshme e mosbesimit, e pafesë, dhe e korruptimit.
Por kjo mjegull e pabesimit dhe prishjes nuk do të qëndrojë kështu përjetësisht.  Ngjallja e shpërbën këtë mjegull të dendur.  E shpërbën dhe e zhduk këtë mjegull nga zemrat e atyre që besojnë tek Krishti i Ngjallur.  Le të ulërijë pra mosbesimi.  Le të mobilizohen dhe le të luftojnë Kishën e Krishtit demonët e ferrit.  Brenda zemrës së besimtarëve ndrit dielli i gëzimit të Ngjalljes, i atij gëzimi që ndjenë në zemrat e tyre dishepjut “kur panë Zotin” (Joan 20:20).

Gëzimi mbretëron

Me këtë BESIM dhe ne, të dashur vëllezër, me këtë besim le të kremtojmë Ngjalljen e Krishtit.  Me besimin që të gjitha të dheshmet dhe të kalburat, të gjitha teoritë anti-kristiane, të gjitha sistemet ateiste që sot shquhen dhe magjepsin shumë njerëz, një ditë do të bien dhe do të zhduken prej faqes së Tij dhe një diell do të shkëlqejë përjetësisht.  O të pafe’, dëgjoni Kishën e Krishtit që marshon me himne triumfale:

“Le të ngrihet Perëndia dhe le të përndahen armiqtë e tij, le të ikin prej faqes së tij gjithë ata që i kanë mëri.  Do të humbasin si tymi në erë dhe do të shkrihen si dylli përpara zjarrit” (Psalm. 67:2-3).

Vëllezër dhe etër!  Gëzimi i Ngjalljes le të mbretërojë në zemrat tona.  Me gjithë shpirt pra le të thërresim fort KRISHTI U NGJALL!

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

(ΑΠΟ ΒΙΒΛΙΟ ΤΟΥ Π. ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΟΥ «ΠΑΣΧΑ», “ΗΜΕΡΑ ΧΑΡΑΣ”)

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.