F Ë M I J Ë T
F Ë M I J Ë T
(Matth.19:13-15; Mark 10:13-16; Luka 18:15-17)
“Lerini fëmijët dhe mos i ndaloni të vijnë tek unë”
(Matth.19:14)
Një nga skenat magjepsëse të jetës së Krishtit mbi tokë përshkruajnë të tre Ungjillorët e Shënjtë Mattheu, Marku, dhe Llukai. Është momenti i bekimit të fëmijëve. Le të përpiqemi t’a ri-krijojmë këtë skenë kaq tërheqëse, që përbën në të njëjtën kohë dhe një nga veprat e fundit të Zotit, e cila ndodhi kur Krishti po largohej nga Galilea dhe po iu afrohej kodrave të Judhesë.
Turma njerëzish “e ndiqnin Atë”. Gjatë udhës, dikush e pyeti nëse ekzistonte një arësye e fortë që dikush të divorcojë gruan e vet, dhe Zoti duke iu përgjigjur kësaj pyetje kaq shqetësuese për shoqërinë, bëri fjalë për martesën dhe virgjërinë. Martesa, theksoi Ai, ka qënë gjithmonë një institucion hyjnor i lashtë të cilën vetë Zoti e themeloi, dhe askush nuk ka të drejtë të shpërbëjë bashkimin midis burrit dhe gruas, vetëm në qoftë se besa bashkëshortore shkelet dhe cënohet. Vetëm në rast kurvërie pra mundet burri t’a divorcojë gruan. Ndërsa përsa i përket virgjërisë Krishti theksoi gjendjen e saj të shkëlqyer, gjendjen superiore të ekzistencës së saj, një jetë ëngjëllore duke qënë me trup, por në të njëjtën kohë është dhe e vështirë për t’ia dalë mbanë, sepse virgjëria kërkon një dhuratë të veçantë, duhet thirrja së lartazi dhe ndihma supernatyrore (Matth.19:1-12). Shumë pak njerëz e arrijnë këtë gjëndje.
Sapo Krishti mbaroi fjalën, ja përpara Tij shfaqen lulet dhe frutat e martesës ligjore – foshnja dhe fëmijë të cilët nënat e Galilesë, pasi u shkëputën nga turmat, ia sollën Atij. Ato nëna besonin që Jisui kishte një fuqi hyjnore, dhe për këtë arësye donin që Ai t’iu jepte bekimin e Tij fëmijëve të tyre. Oh t’i bekonte Krishti fëmijët e tyre! Çfarë tjetër më tepër mund të donin? Këta fëmijë do të vazhdonin jetën e tyre duke qënë në mbrojtjen e Zotit. Bekimi i Tij do të ishte thesari më i çmuar që do të kishin. Prandaj dhe nënat, me pasion i sollën fëmijët tek Krishti. Por duke u afruar u ndeshën me zërin e ashpër të dishepujve, të cilët po iu thoshin nënave të ktheheshin mbrapsht. Fatkeqësisht, nuk mund t’a kuptonin dhe vlerësonin atë që nënat e Galilesë po bënin në atë moment. Sipas mëndjes së tyre Zoti Krisht nuk duhej të humbte kohën e Tij të çmuar duke u marrë me foshnja dhe fëmijë.
Jisui thërret pranë fëmijët
Zoti i sheh dishepujt e Tij që po i largojnë nënat, dhe njëkohësisht dëgjon dhe ankesat e nënave të cilat nuk mund t’i afrohen Atij. Pengesë e nënave janë dishepujt. Për shkak të kësaj sjellje të ashpër të dishepujve ndaj nënave – të cilat i kishin sjellë fëmijët kushedi prej sa larg – Zoti jo vetëm thjesht trishtohet, por ashtu siç n’a i përshkruan dhe Ungjillori Lluka, indinjohet ndaj dishepujve. Dhe duke dashur t’iu mësojë se çfarë vlerë kanë fëmijët e vegjël iu thotë: “Lerini fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek Unë, sepse e të tillëve është Mbretëria e Qiejve”. Pas kësaj vërrejtje nënat morën guxim. Ecin përpara. Dhe ja Krishti midis fëmijëve. I përqafon. I bekon. Dhe vetëm i përqafon dhe i bekon? Si mund t’a vemë në dyshim që Zoti, i cili mësoi të gjithë njerëzit, nuk do t’iu thoshte dhe fëmijëve diçka të thjeshtë por tepër kuptimplotë? Dhe këto fjalë do të mbeteshin të paharruara, dhe deri në frymën e tyre të fundit fëmijët do të mbanin në kujtesën e tyre momentin kur Jisui i bekoi dhe i mësoi ata.
Siç shohim pra, të dashur, sjellja e dishepujve ishte e ashpër dhe me mëndjemadhësi ndaj fëmijëve të nënave të Galilesë. Por duhet të kuptojmë që dishepujt ishin bij që i përkisnin brezit dhe shoqërisë së atëherëshme, e cila nuk i vlerësonte aspak foshnjat dhe fëmijët. Në botën e idhulltarisë gjendja e fëmijëve ishte aq e keqe sa nuk përshkruhet dot. Nuk kishte asnjë lloj ligji që të mbronte foshnjat dhe fëmijët. Fëmijët konsideroheshin pronë, të cilën mund t’a përdrornin prindërit ashtu siç deshin. A nuk keni lexuar që me mijëra foshnja dhe fëmijë ofroheshin si therror në altarin e perëndive të lashtësisë? Në situata të tjera përdoreshin për punëra të rënda dhe të vështira si qetë që tërheqin parmëdën. Në Spartën e lashtë p.sh., kur lindej fëmija, ati kishte të drejtë, në qoftë se nuk i pëlqente foshnja, t’a hidhte në det ose nëpër shkëmbinjët e tmerrshëm të malit të Taigjetos. Në Atikë, baballarët ishin kaq zemërgur ndaj fëmijëve të tyre saqë poeti i lashtë Aristofani, duke e portretizuar vetvehten si një fëmijë, shprehet se do të dëshironte të ishte më mirë biri i një derri sesa biri i një njeriu… kafshët që sillnin përfitime trajtoheshin shumë më mirë sesa fëmijët të cilët përdoreshin si shërbëtorë mjeranë të kafshëve. Gjatë rënies së Perandorisë Romake, disa etër të Romës ishin kaq mizorë sa i linin foshnjat jashtë në rrugë gjatë natës të cilat shqyheshin prej ujqërve që zbrisnin nga Apeninet.
Fëmijët shembull për të rriturit
Fëmija pra, që përbuzej kaq shumë gjatë lashtësisë, u nderua dhe u ngrit lart prej Krishtit, dhe u bë shembull për të rriturit. Fëmija shembull për të mëdhenjtë? Mos u çuditni. Sepse një ditë Jisui mori një nga fëmijët dhe e vendosi në mes të dishepujve të Tij duke thënë: “Me të vërtetë po ju them juve, nëse nuk ktheheni dhe bëheni porsi fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretëri të qiejve” (Matth. 18:3).
“Të bëheni porsi fëmijët”. Ku është kuptimi i këtyre fjalëve? Jo të kthehemi në moshën fëmijnore duke u shndërruar me një farë mënyre të çuditëshme nga pleq në foshnja dhe fëmijë. Jo! Por të përpiqemi ne të mëdhenjtë, dhe të synojmë ne të rriturit që ato virtyte natyrore që kanë fëmijët e vegjël t’i fitojmë brenda nesh nëpërmjet ushtrimit shpirtëror, dhe nga virtyte natyrore të bëhen virtyte objektive si rezultat i vullnetit të lirë të secilit prej nesh.
Dhe cilat janë këto virtyte që kanë fëmijët e vegjël dhe që janë shembuj të denjë për imitim nga ana e të rriturve?
Fëmijët kanë përulësi, janë të pafajshëm, të thjeshtë dhe pa ligësi. Është një i vogël fëmijë mbreti? Ky fëmijë nuk ka atë krenarinë që kanë të mëdhenjtë në raste të tilla. Nuk bën dallime fëmija midis tij dhe fëmijëve të tjerë të varfër. E sheh të shoqërohet lehtazi me bashkë-moshatarët e tij dhe të luajë së bashku me ta. Ku është kjo përulësi tek të mëdhenjtë në moshë? Një ushtar i thjeshtë p.sh. ngrihet në gradë dhe bëhet gjeneral duke shtuar një vijë në gradën sipër supeve të tij, dhe ditën e nesërme me një ton prej Napoleoni e sheh të paraqitet përpara shokëve të djeshëm ushatarakë. Dhe sa më shumë që të ngrihet në pozitë krenaria e tij do të shndërrohet në kamxhik për të tjerët.
Fëmijët nuk pushtohen pra nga lavdi-dashja e cila e korrupton njeriun. Nëse fëmija ka një nënë të varfër, të veshur me rrecka, prapëseprapë nuk e përbuz atë. Edhe sikur një mbretëreshë të dilte përpara fëmijës dhe të kërkonte t’a merrte në oborret e saj mbretërore dhe t’a adoptonte atë, fëmija nuk do të pranonte, nuk do të preferonte mbretëreshën por nënën e tij të rreckosur. Dhe nëse dikush me forcë e shkëput fëmijën nga gjoksi i nënës, fëmija do të qajë dhe thërresë “Nëna ime, mama ku je?…”. Por nesër pasnesër, kur të rritet dhe të ngjitet lart në pozita, dhe të bëhet mëndjemadh, krenar dhe lavdi-dashës, do t’i shmanget paraqitjes së prindërve të tij të varfër përpara njerëzve. Do t’i vijë turp për kë? Do t’a konsiderojë turp, kë?! Kë?! Atë që dikur e kishte gjënë më të çmuar në botë.
Fëmija nuk ka ligësi, nuk pushtohet nga ndjenja të thella hakmarrjeje. Nëna e rreh. I dhemb dhe qan. Në atë moment duket si qielli me rre të zeza gati të lëshojë vetëtima dhe bubullima. Por pasi kalojnë disa minuta ai qiell kthjellohet dhe dielli i pafajshmërisë fëmijnore shndrit përsëri në fytyrën e tij dhe përhap gaz dhe hare’ në të gjithë ambjentin rrethues. Dhe ndërsa akoma nuk janë tharë lotët në fytyrën e tij, sapo dëgjon zërin e nënës t’a thërresë, harron dënimin që pësoi dhe rend me vrap dhe bie në krahët e saj.
Fëmija është i pafajshëm, është naiv. Nuk dallohet nga ligësia dhe poshtërsia e të rriturve, të cilët dyshojnë të gjithë dhe të gjitha dhe paraqiten përpara të tjerëve me lloj-lloj fytyrash dhe gjuhësh. Fëmija njeh vetëm një gjuhë, atë të sinqeritetit absolut. Nuk thotë kurrë gënjeshtra. Do të fillojë të gënjejë në momentin kur të kuptojë që sinqeriteti nuk vlerësohet nga bota. Do të fillojë të gënjejë në momentin kur të kuptojë që me gënjeshtra, në një botë plot gënjeshtra dhe gënjeshtarë, mund të fitojë shumë më tepër sesa me të vërtetën. Fëmija është i thjeshtë dhe i beson çdo fjale që i thonë të mëdhenjtë.
Mosha fëmijnore, megjithë prishjen dhe të metat që shkakton mëkati i paraardhësit Adham, ruan dhe plot të mira, të cilat, ashtu siç është vrojtuar dhe me plot të drejtë, nëse kultivohen ashtu siç duhet mund t’a shfaqin fëmijën si një shënjt. Është e mundur pra që nëpërmjet ushtrimit të duhur virtytet natyrore të fëmijëve të bëhen virtyte të qëllimshme dhe të paramenduara për ne të rriturit. Ja pra pse Zoti, duke njohur më shumë se kushdo tjetër shpirtin fëmijnor, sjell fëmijën si shembull dhe model të denjë imitimi përpara apostojve të Tij, dhe në përgjithësi përpara të gjithë njerëzve, të cilët synojnë rangje, vende të larta dhe pozita.
Jo pra të vegjëlit të ecin në rrugën e të mëdhenjve, por të mëdhenjtë të drejtohen drejt të vëgjëlve*. Ja pra fryma e re e Jisuit. A kanë besim fëmijët tek prindërit e tyre? I ndjekin ata me besnikëri? E konsiderojnë vehten e tyre të sigurt kur janë pranë prindërve të tyre? Le të ndjekim shembullin e tyre pra. Le t’ia besojmë vehten tonë dhe ne me shpirt fëmijnor Jisu Krishtit. Le t’i shkojmë pas Atij me besnikëri. Le t’a konsiderojmë vehten jashtë çdo rreziku nën krahët e plotfuqishëm të mbrojtjes Hyjnore. Ah sikur të kishim atë thjeshtësinë dhe pastërtinë fëmijnore e cila është nëna e besimit. Vetëm ata njerëz të cilët ruajnë në shpirtin e tyre freskinë e viteve fëmijnore, vetëm shpirtet e përulura dhe të thjeshta mund të besojnë me tërë kuptimin e fjalës tek Jisu Krishti. Ndërsa shpirtet e tjera, të vyshkura nga ligësia e krenarisë dhe mendjemadhësisë, nga ambicjet dhe lavdi-dashja, të cilët për shkak të pasioneve mëkatare janë gati të kryejnë krime nga më të mëdhatë, këto shpirte njerëzish pra është e pamundur t’i afrohen Jisu Krishtit dhe t’i besojnë Atij. Provë e kësaj gjëje janë farisenjtë, ligësia e të cilëve shkaktoi zemëratën e Perëndisë.
“Të bëheni porsi fëmijët”. Kjo pra është thirrja drejt të cilës i nxit Jisui nxënësit e tij dhe të gjithë ne. Le të bëhemi, thotë Shën Joan Gojëarti, dhe ne si fëmijët, “foshnja më të ligën”, ashtu siç n’a këshillon dhe Apostoll Pavli (Let.I.Korinth.14:20). “Për të parë qiellin asgjë tjetër nuk duhet përveçse të hedhim mashtrimin dhe ligësinë në Gjehenë”.
Mbajtja e fëmijëve larg Jisuit është një zakon satanik
Thirrja dhe nxitja e Zotit “Lerini fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek Unë” ndër shekuj arrin deri në ditët e sotme. Sepse dhe sot, në shekullin e 21-të, fatkeqësisht ka plot nga ata të cilët të influencuar jo nga ai shpirti i dishepujve që nuk i lanë fëmijët e Galilesë t’i afroheshin Jisuit, por të nisur nga një shpirt armiqësor kundrejt Jisuit nuk duan fëmijët dhe të rinjtë t’i afrohen Krishtit dhe Kishës së Tij të Shënjtë. Me shumë mënyra bëjnë çmos dhe i pengojnë. Në rregjimet totalitariane, me aspirata materialiste dhe ateiste, fëmijët dhe të rinjtë nuk lejohen t’iu afrohen Kishave. Një i ri i cili i afrohet një prifti dënohet nga partia dhe shpallet i padenjë për botëkuptimin e ri me të cilin duan të qeverisin botën këta shpëtimtarë dhe mesira të porsa-shfaqur, këta ungjillorë të një parajse pa Krisht. Në rregjime të tjera, të cilat konsiderohen si shoqëri e lirë dhe pushtet demokratik, nuk pengohen direkt fëmijët dhe të rinjtë t’i afrohen Jisu Krishtit, por indirekt, me mënyra të ndryshme përpiqen dhe luftojnë për t’i mbajtur larg krahut të Tij. Krahu i Jisuit, nën të cilën prehen fëmijët është Kisha e Tij e Shënjtë. Prindër pa frikë Perëndie dhe ateistë kërcënojnë fëmijët e tyre kur shohin që ata duan të studiojnë në Shkollat Fetare të Katekizmit të cilat Kisha i ka themeluar për hir të edukimit fetar dhe moral të rinisë. Shkollat teknike nga ana tjetër, gjatë orëve të mëngjesit të së Djelave, në kohën kur kryhet Liturgjia Hyjnore, ua zenë duart studentëve me mësimet e tyre akademike. Akoma dhe në një vënd të Krishterë Orthodhoks si Greqia vihet re spektakli i tmerrshëm i mëngjeseve të së Dielës: mijëra të rinj të Athinës dhe Pierasit me vizore dhe perigjelë në dorë drejtohen drejt shkollave. Aktivitete sportive dhe ekskursione të planifikuara gjatë gjithë ditës së Djelë, nga mëngjesi deri në perëndim të diellit, preokupojnë të rinjtë – dhe asnjë fjalë nuk bëhet për të shkuar në Kishë dhe për të plotësuar detyrimin e shënjtë të së Djelës. Profesorë universitetesh caktojnë provime të Djelave në mëngjes. Këta zotërinj nuk shkojnë në Kishë, dhe nuk lejojnë as të rinjtë të shkojnë në Kishë. Kryetarë partish politike bëjnë fushatat e tyre elektorale dhe ngrehin zërin që nga ballkonet për fenë dhe familjen dhe pas kësaj marrin aeroplanet dhe udhëtojnë të Dielave që në mëngjes; të rinjtë që iu përkasin partive të ndryshme shkojnë nëpër aerodrome të mirëpresin kryetarët e partive të tyre ndërkohë që në Kishë me madhështi psallet hymni qieruvik: … Mbretin e të gjithave le të presim… Gazetarë të pafe’ që nuk besojnë në jetën e amëshuar dhe që urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me Qiellin dhe botën metafizike pikojnë me penat e tyre farmaq në zemrat e të rinjve duke shkruajtur artikuj urrejtës kundër shkollave të Katekizmit me tema të tilla si: “Priftërinjtë të heqin dorë nga edukimi i rinisë”. Dëshira e tyre e zjarrtë është themelimi i një edukimi të pafe’ ku ata dhe të rinjtë të mos kenë asnjë lloj lidhje me Kishën, e cila nëpërmjet mistereve të shënjta dhe jetës mësim-dhënëse të punëtorëve të Ungjillit vazdhon edhe në epokën tonë punën e Krishtit dhe i thërret fëmijët dhe të rinjtë drejt asaj jete.
Le të tërbohen pra armiqtë e Krishtit. Le të luftojnë me mjetet e tyre satanike. Le të kenë moton e tyre “asnjë fëmijë, asnjë i ri pranë Krishtit dhe Kishës së Tij të Shënjtë!”. Por t’a dinë mirë që sado pengesa që të sjellin midis të rinjve dhe Krishtit, afrimiteti i shpirtit fëmijnor ndaj Krishtit dhe tërheqja e shpirtit fëmijnor prej Krishtit është kaq e madhe saqë edhe në epokat e shthurrjes dhe korruptimit më të madh, edhe në epokat e ateizmit dhe mosbesimit më të madh do të ketë gjithmonë shpirte fëmijësh dhe të rinjsh të cilët do të gjejnë një mënyrë apo një tjetër për t’iu afruar Jisu Krishtit dhe t’i psallin me zërat e tyre “hosana më të lartat”. Por mjerr! mjerr ata që me mësimet e tyre kundër Perëndisë dhe nëpërmjet jetës së tyre të pafe’ skandalisin fëmijët dhe të rinjtë. Do të japin llogari sepse përgjegjësia e tyre është e madhe. Zoti tha – dhe fjala e Tij është e vërtetë – “Kush të skandalisë një nga këta të vegjëlit që më besojnë, është më mirë për atë të varë një gur mulliri në qafë dhe të hidhet në fund të detit. Mjerr bota nga skandalet; sepse është nevojë të vijnë skandalet, por mjerr ai njeri prej të cilit vijnë skandalet” (Matthe 18:6-7).
Kapitulli u shkëput nga Libri “EJA PAS MEJE – ΑΚΟΛΟΥΘΕΙ ΜΟΙ – FOLLOW ME”
i Ish-Mitropolitit të Follorinës +At Avgustin Kantiotit
Përktheu nga Anglishtja
Aleksandër P. Filip
1 Korrik, 2008
Anargjëndët Kozma dhe Damjan
Përktheu (nga origjinali Greqisht) në Anglisht
+At Asterios Gjerostergjios
Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri,
mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!
Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi!
(ΑΚΟΛΟΥΘΕΙ ΜΟΙ ΣΕΛ. 164-172, ΚΕΦ. “ΤΑ ΠΑΙΔΙΑ”)
Add A Comment
You must be logged in to post a comment.