Simboli i Kryqit
Nga veprat e Shën Joan Gojëartit
Simboli i Kryqit
…E shikon se sa fuqi ka Kryqi? Kur i dëgjon keto, i dashur, kurrë të mos dëshpërohesh, por duke menduar dhe kuptuar njeridashjen e pamasë të Perëndisë, shpejto dhe korrigjo gabimet e tua. Sepse ndërsa i dha kusarit tepër hir, duke qënë mbi kryq, shumë më tepër hir do të n’a jape neve, me njeridashjen e tij, në qoftë se duam të rrëfejmë mëkatat tona. Ndaj, që të shijojmë dhe ne njeridashjen e Tij, nuk duhet te kemi turp për të rrëfyer mëkatat tona, sepse ka forcë të madhe dhe shumë fuqi rrëfimi. Dhe vërtet, kusari mbi kryq u rrëfye dhe gjeti dyert e Parajsës të hapura. Ai që vidhte u rrëfye dhe gjeti guxim për të kërkuar mbretëri. Deri në atë moment të jetës së tij nuk kishte kërkuar kurrë mbretëri. Më thuaj, o kusar, çfarë të shtyu dhe u kujtove të kërkosh mbretëri? Çfarë sheh dhe tani flet? Ato që duken janë Kryqi, akuzat, talljet, përbuzjet dhe ngacmimet. Po, përgjigjet. Vetë Kryqi është symbol i mbretërisë. Ndaj e quaj mbret, sepse e shoh të kryqëzohet, dhe detyra e mbretit është të vdesë për ata që ka nën autoritetin e tij. Ai tha: “Bariu i mirë sakrifikon dhe shpirtin e vet për dhentë e tij”. E pra, mbreti i mirë sakrifikon dhe shpirtin e tij për ata që ka në vartësi. Dhe meqënëse sakrifikoi jetën e Tij e quaj Mbret dhe i them “Kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë tënde”.
Do pra të mësosh se si Kryqi është symbol i mbretërisë, dhe sa serioze është kjo çështje? Ja pra, nuk e la kryqin këtu mbi dhe’, por e mori dhe e ngriti deri në qiell. Ku duket kjo gjë? Me Kryqin do të vijë përsëri gjatë Ardhjes së Dytë! Por le të shohim si do të vijë. Dëgjo pra vetë Krishtin, çfarë tha për Ardhjen e Tij të Dytë, për krishtërit e rremë, për profetët e gënjeshtërt, për Antikrishtin: “nëse ju thonë, ja Krishti tek është atje tutje, ja Krishti tek është në shkretëtirë, mos shkoni”, që të mos mashtrohet asnjë prej jush dhe të bjerë në kurthin e tyre, sepse përpara Krishtit do të vijë Antikrishti, dhe kini kujdes se mos ndoshta duke kërkuar bariun bini në duart e ujkut. Për këtë arësye ju tregoj shënjat e Ardhjes se Bariut. Dhe meqënëse kur erdhi në botë herën e parë askush nuk i kushtoi vëmendje, mos mendoni se kështu do të ndodhë edhe në Ardhjen e Tij të Dytë. Natyrisht, herën e parë erdhi pa u kuptuar, sepse kërkonte delen e humbur. Por herën e dytë nuk do të jenë kështu gjërat. Po si do të jenë?! Tha Zoti këto, dhe thuaju dhe te tjerëve gjithashtu: “Ashtu siç ndodh vetëtima nga lindja deri në perëndim, kështu do të shfaqet dhe Biri i njeriut”. Të gjithë do t’a shohin dhe askush nuk do të ketë dyshim. Sepse ashtu siç nuk është e nevojshme të bejmë kërkime pasi bie vetëtima dhe t’a vemë në dyshim nëse ndodhi apo jo, kështu nuk do të jetë e nevojshme të ekzaminojmë nëse u shfaq Krishti apo jo. Deri këtu akoma nuk i jemi përgjigjur çështjes në fjalë, pra nëse do të vijë bashkë me Kryqin. Dëgjo pra edhe këtë që e thotë qartazi vetë Krishti: “Atëhere, pra kur të vij, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të jape më dritë”. Akoma dhe yjet më të ndritur do të humbin shkëlqimin. “Yjet do të bien, dhe shënja e Birit të Njeriut do të shfaqet në qiell”.
E shikon pra sa e madhe do të jetë shënja dhe çfarë shkëlqimi do të ketë? Dielli do të errësohet, hëna nuk do të japë më dritë, yjet do të bien nga qielli dhe vetëm shënja do të duket, mësoe pra se kjo shënjë do jetë më e ndritur se drita e hënës dhe më e shkëlqyer se dielli…
Po përse dhe për çfarë arësye do të vijë duke patur me vete kryqin? Ja pra kush është shkaku: që të kuptojnë kryqëzuesit maninë e tyre, dhe që t’i nënshtrojë ata për mëkatat e tyre. Dëgjo se ç’thotë ungjillori i tij “Atëherë do të duket shënja e Birit të njeriut në qiell dhe do të bjerë mbi të gjitha kombet e botës”, sepse kur të shohin akuzuesin do të kuptojnë mëkatat e tyre. Dhe pse çuditesh që do të vijë me Kryqin? Ashtu si veproi në rastin e Apostollit Thoma, që duke dashur t’a ndreqë për pabesimin e tij duke i treguar plagët e peronave dhe i tha “sille dorën tënde dhe ver gishtin tënd dhe shih se trupi im nuk ka më mish e kocka”, që t’i tregonte atij se vërtet u ngjall, kështu pra dhe atëherë do të sjellë me vehte plagët dhe kryqin, që të tregojë se është po Ai që u kryqëzua. Pra kryqi është prova e mirë, shpëtimtare dhe e sigurt e njeridashjes së Perëndisë.
Add A Comment
You must be logged in to post a comment.