Αυγουστίνος Καντιώτης



Të painfluencuar nga mjedisi i keq që i rrethonte

date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Të painfluencuar nga mjedisi i keq që i rrethonte

Predikim gojor i mbajtur nga Mitropoliti i Follorinës Avgustin më 30 Janar, 1987 në Kishën e shënjtë të Shën Pandelimonit në Follorinë

Sot, të dashurit e mij, është e kremte e madhe, është e kremtja e arsimit.  Festojnë mësonjësit. Nuk e kam fjalën për mësuesit dhe profesorët e shkollave të sotshme.  Këta të sotshmit i japin mësim vetëm një brezi.  Pas disa vitesh mësimdhënie në arsim ikin dhe vijnë të tjerët, ikin dhe shkojnë në varrezat ose dalin në pension.  Ju pyes, a mund të më thoni se kush ishte drejtori i gjimnazit të qytetit tonë përpara 50 vjetësh?!  Kush ishin mësuesit dhe profesorët e qytetit tonë përpara 50 vjetësh?!  Ikën pra të gjithë dhe u zhytën në oqeanin e harresës.
Por mësonjësit që festojmë sot janë mësonjës jo të një brezi të vetëm, por të shumë brezave, janë mësonjës të shekujve të panumërt, të mijëvjeçarëve të tërë.  Janë Tri-arkondët, Tre Ierarkët e mëdhenj: Vasili i madh, Grigor Theollogu dhe Joan Gojëarti.  Këta nuk janë mësonjës vetëm të një brezi pra, sepse e mundën kohën; dhe për sa kohë që të lindë dielli e të ndriçojnë yjet, për sa kohë që të fryjnë erërat kujtimi i tyre do të jetë i përjetëshëm.  Dhe për t’i dalluar këta mësonjës nga mësuesit që shkojnë e vijnë, ata në gjuhën e shënjtë të Kishës quhen mësonjësit ekumenikë, mësonjës pra të të gjithë universit.  Dhe kjo nuk është një fjalë boshe por fakt.  Kudo që të shkojmë, në të gjitha gjërësitë dhe gjatësitë e rruzullit tokësor, në universitetet e huaja dhe kudo, mësohen Vasili i madh, Grigor Theollogu dhe Joan Gojëarti.
Dhe nuk quhen thjesht mësonjës ekumenikë.  Pranë këtij titulli kanë dhe një titull tjetër – quhen dhe Etër të shënjtë. Ashtu sikundër ati do fëmijët e tij, edhe ata i deshën fëmijët dhe të rinjtë me të gjithë flakën e zemrave të tyre.
Por përpara se të beheshin mësonjës, mësonjës ekumenikë, fiziognomira të shquara dhe të vetme në botën e arsimit, përpara pra se të bëheshin mësonjës ishin nxënës.  Dhe ashtu siç janë shembuj mësonjësish ashtu janë edhe shembuj nxënësish.  Në qoftë se do të kisha një kinema – do të desha një kinema të Perëndisë, jo të djallit – nëse do të kisha kinema do të krijoja një filmë me titull “Tre Ierarkët si nxënës”.  Oh!  Me mëndje po e ngre kinemanë përpara syve dhe po ju paraqes tani Tre Ierarkët e mëdhenj si nxënës, kur ishin në moshën 10 vjeç, 15 dhe më pas 20 vjeçarë.  U ulën në bankat e shkollës për vite të tëra, derisa ishin gati si mësonjës – në fillim pra ishin nxënës dhe më pas mësonjës.
Çfarë n’a thotë jeta dhe eksperienca e tyre?!

*****

Ishin fëmijë të rrallë, me talente dhe nga familje të nderuara.  Kishin etje të madhe për dije.  Për këtë arësye i lanë fshatrat dhe qytetet e tyre dhe ikën larg.  Dhe ku shkuan, në Paris apo Londër?!  Këto qëndra në atë kohë nuk ekzistonin.  Ato vënde ku sot ngrihen lart gradaçelat e qytetërimit dhe civilizimit fallco, ato vënde pra në ato kohë nuk ishin tjetër veçse pyje ku banonin bisha të egra.  Shkuan në Athinë, qëndra e lavdishme e asaj kohe që ishte qyteti i famshëm i arteve dhe shkencave.  Atje pra shkuan të plotësojnë njohuritë e tyre.
Dhe ndërsa Athineasit e asaj kohe shquheshin për artet dhe shkencat dhe ishin në kulmin e lavdisë, nga ana morale dhe fetare ishin në gjëndje të vajtueshme, ashtu siç përmendin dhe historianët e asaj epoke.  Kishin kaluar 3 shekuj që atëhere kur Apostoll Pavli predikoi besën e Krishtit në majë të shkëmbit të famshëm të Ariosit pranë Akro’polit – në Arios Pagos pra – e megjithatë rrënjët e idhololatrisë të paraardhësve tanë ishin akoma shumë të forta.  Athina e asaj kohe ishte në shumicën e popullsisë qytet pagan.  Në çdo njëqind banorë njëri ishte i Krishterë, dhe kishte vetëm një Kishëz të vogël kur vinin për nevojat e tyre të Krishterët.  Kudo shikonje idhuj, statujat e Athinës, Dhionisit, Artemisit dhe perëndive të tjera.  Dhe të rinjtë e asaj kohe?!  Ata gjendeshin në degjenerim të madh.  Kishin rënë fare përtokë.
Në mes të asaj shoqërie pra të korruptuar të Athinës jetuan dy miqtë dhe shokët e vërtetë, Vasili i madh dhe Grigor Theollogu.  Si jetuan?! A nuk u ndikuan nga mjedisi rrethues?!  Mjedisi rrethues ka forcë tepër të madhe influencuese.  Nëse hedhim dy pika uji të ëmbël në oqeanin Atlantik, a është e mundur që këto dy pika të ruajnë ëmbëlsinë e tyre?! Sigurisht që jo.  Kështu pra ishte shumë e vështirë edhe për këta dy të rinj të qëndronin të pastër dhe të kulluar.  Por fakti është që vërtet mbetën të tillë duke mos u ndikuar aspak prej atij ambjenti.
Dhe si shpëtuan?!  Ishin nxënës shembullorë, i deshin shumë shkronjat e shënjta, studionin Homerin, Thukidhidhin, Platonin dhe Aristotelin, të gjitha shkencat.  Ashtu si bleta fluturon nga lulja në lule për të mbledhur nektarin, kështu dhe ata u hodhën në livadhet e urtësisë së lashtë.  Studiuan ditë e natë shumë libra, por më tepër se të gjitha librat studiuan një dhe vetëm një libër – Shkrimin e Shënjtë.  E kishin këtë libër në kraharoret e tyre dhe i dinin përmendësh të gjitha librat e Shkrimit të Shënjtë.  Ja pra si shpëtuan, me studimin e Shkrimit të Shënjtë, kështu shpëtuan.  Ja pra si shpëtuan, me shoqërinë e tyre të fortë dhe të pathyeshme.  Ishin, ashtu siç thonë, “një shpirt në dy trupe”.  Ishin pra shembull i unitetit shpirtëror, që do të thotë bashkë-ekzistenca e të njëjta koncepteve, ndjenjave dhe dëshirave.  Ishin shembull i rrallë miqësie dhe shoqërie.  Si shpëtuan pra?!  N’a tregojnë vetë ata.  Athina kishte shumë rrugë, të cilat të çonin nëpër theatro apo qëndra të tjera zbavitëse dhe dëfrenjëse.  Nga të gjitha ato rrugë pra Vasili i madh dhe Grigor Theollogu njihnin vetëm dy: rrugën që të shpinte në Kishë dhe rrugën që të shpinte në shkollë.  Asnjë rrugë tjetër nuk njihnin.
Këto pak fjalë për këta të dy Ierarkë të mëdhenj.  Por çfarë do të themi për Joan Gojëartin?!  Edhe ai shkoi në shkollë.  Idhujtarë ishin bashkë-nxënësit e tij.  Idhulltar i madh ishte profesori i tij Livani, i cili në moshë pleqërie, kur e pyetën se kë do të linte pasardhës të katedrës të shkollës së ligjëratës dhe retorikës u përgjigj: “do të desha shumë Ioanin, nëse nuk do të m’a kishin marrë të Krishterët”.
Nuk u ndikuan pra askpak nga mjedisi rrethues i asaj kohe.  Vasili i madh dhe Grigor Theollogu kishin në klasën e tyre një idhulltar fanatik, fytyra e vërtetë e të cilit fshihej pas maskës së pseudo-kristianit.  Shtirej sikur ishte në anën e tyre, shkonte bashkë me ta në Kishë, lexonte Shkrimin e Shënjtë, por të gjitha këto i bënte me hipokrizi të madhe.  Ky pra ishte Juliani, i cili pas pak vitesh u bë perandor i perandorisë romake, dhe me tërbim të madh luftoi besën e Krishtit dhe përpiqej t’a çrrënjoste dhe t’a zhdukte.  Ekzistojnë shumë shkrime të Grigor Nazianzinoit – Grigor Theollogut pra – ndaj perandorit romak Julianit femohues.

*****

Dhe tani dua t’iu drejtohem fëmijëve dhe të rinjve tanë dhe t’iu them:
Tre Ierarkët e mëdhenj janë shembull pedagogu dhe mësonjësi, por përpara se të bëheshin shembuj mësonjësish ishin shembuj nxënësish.  Edhe ju o fëmijë dhe të rinj jetoni në mes të një mjedisi që është nga më të korruptuarit – e them dhe e pranoj – dhe rrezikoheni t’ju marrë lumi.
Rrezikoheni për shkak të shoqërive të këqia që bëni.  Para pak ditësh erdhi në dyert e Mitropolisë një nënë dhe qante:  dhespoti im, e humba fëmijën, më thoshte.  U përzie me shoqëri të këqia, më parë vetëm lexonte dhe studionte, ndërsa tani kthehet vonë në shtëpi dhe në gjendje të vajtueshme…
Një gazetë me emër e Athinës para pak kohësh publikoi statistika të cilat thoshin që brenda një viti humbën 400 vajza dhe 300 djem, dhe prindërit të merakosur dhe të shqetësuar i kërkojnë.  Rrezikoheni akoma edhe nga pamjet e ekraneve, të cilat reklamojnë punëra që nuk zihen dot në gojë.  Rrezikoheni nga shtypi, pasi botohen libra dhe revista ateiste, që ju ngjajnë farave të demonëve, dhe të cilat pa pasur asnjë lloj prove bindëse shkruajnë që njeriu e ka prejardhjen nga majmuni.  Rrezikoheni nga droga – një gazetë tjetër me emër e qytetit të Selanikut shkruante që droga tashmë ka hyrë dhe në shkollat fillore!  Por akoma më shumë rrezikoheni nga një lloj tjetër droge, jo drogë për trupin por drogë për shpirtin, dhe kjo drogë është shumë herë më e keqe – kjo drogë e ka emrin televizor, është “droga me prizë”.  Një ateist që përpara disa vitesh mori në dorë televizionin tha: “me një buton vetëm do të ndryshoj mëndjet e njerëzve”.
Rrezikoheni pra nga të gjitha këto, edhe pse mësuesit dhe profesorët e mirë përpqen jashtëzakonisht shumë nëpër shkolla, edhe pse prindërit dhe Kisha përkujdesen dhe përpiqen për ju që të mos rrezikoheni.  Atëhere ç’u pa puna kur njëri ndërton dhe tjetri prish e shkatërron?  Atë çka ndërton familja, shkolla dhe Kisha, brenda një nate e bëjnë gërmadhë…
Më dhimbset rinia, ndaj po flas kështu.  Por kam besim se do t’i qëndroni kondra dhe do t’i rezistoni rrymës së lumit.  Qëndroni të patundur dhe të paepur.  Poshtë yjeve dhe sipër yjeve nuk ka emër tjetër më të fuqishëm, nuk ka asnjë gjë tjetër më madhështore dhe më të lartë se Zoti ynë Jisu Krisht, të cilin bekoheni dhe përmbilartësoheni përherë e në jetë të jetëve. Amin!

Përktheu nga Greqishtja,
Aleksandër Filip
25 Janar, 2008-Kujtimi i Atit tonë ndër Shënjtorët Grigor Theollogut

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.