Αυγουστίνος Καντιώτης



1) “SHPIRT DHE KRISHT JU DUHET”

date Μαρ 13th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Μετάφραση στα Αλβανικά του κείμενου του π. Αυγουστίνου ΨΥΧΗ ΚΑΙ ΧΡΙΣΤΟΣ ΣΑΣ ΧΡΕΙΑΖΕΤΑΙ Αλέξανδρος Φιλίππου
Aleksander Filip

Nga botimet “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”
“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Dielë dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumpete”
(Apokalipsi 1:10)

“SHPIRT DHE KRISHT JU DUHET”

(Shën Kosmai i Etolisë)

Sot të dashurit e mij është e Diela e 3-të e Kreshmëve të Mëdha.  Kemi arritur deri në mes të një rruge të vështirë dhe po zhvillojmë një betejë shpirtërore.  Ndiejmë nevojën të qëndrojmë diku të marrim frymë dhe të ripërtërijmë forcat për të vazhduar më tej.  Në luftë, kur beteja arrin një fazë të vështirë, luftëtarët marrin krahë kur shohin të shpaloset përpara tyre flamuri, sado frikacakë që të jenë në atë pikë marrin guxim për të luftuar.  Kështu pra dhe ne.  Marshojmë përpara dhe në mes të rrugës gjejmë pemën me gjethet që bëjnë hije, gjejmë Kryqin e Shënjtë.  Ushtarë të Krishtit jemi, dhe në një moment kritik të luftës sonë kundër mëkatit, kundër të dheshmeve të kësaj bote, kundër mishit dhe kundër djallit, Kisha e Shënjtë shpalos flamurin e saj të pamposhtur, Kryqin e Shënjtë.

Nën këtë flamur të të Kryqëzuarit luftuan ashpër mijëra shënjtorë.  Nën këtë flamur n’a thërret edhe ne sot Kisha nëpërmjet fjalëve të Krishtit që u lexuan në Ungjillin e sotshëm.  A e dëgjoni trumpetën? “Përpara marsh, jo në vend ndalo!”.
Trumpeta e parë është sinjal i lirisë.  Askush tjetër nuk e mbështeti në mënyrë kaq të theksuar sa Krishti të drejtën e njeriut për të qënë i lirë.  Çfarë trumpeton sot? “Kush të dojë le të vijë pas meje” (Mark 8:34).  Nuk detyron askënd – “kush të dojë” thotë.  Përpara teje gjendet edhe uji edhe zjarri, nëse zgjedh ujin do të freskohesh, nëse zgjedh zjarrin do të digjesh, zgjidh e merr pra (Shih Urtësia Sirah 15:16).  Krishti pra e le njeriun të lirë dhe kurrë nuk ushtron dhunë.  Kërkon vullnetarë të lirë e të gatshëm për t’iu bindur dhe për të zbatuar urdhërat e tij të shënjta.
Dhe proklamata e dytë e Krishtit n’a thotë: ju ftoj në betejë për të fituar jo gjëra të vogla dhe të parëndësishme por për një çështje tepër të lartë – dhe dalin prej gojës së Tij fjalë të paçmuara – “sepse ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?” (Mark 8:36-37).  Dhëntë Zoti të hapen zemrat tona të ashpra dhe t’i futim brenda në zemër këto fjalë të cilat kohë më përpara kur i dëgjonin njerëzit ndjenin brenda tyre tërmetin e shënjtë të pendimit.

“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”!  Ungjilli bën fjalë për shpirt.  Dhe ky është një subjekt i tërë më vehte.  Ose ekziston shpirti ose nuk ekziston – një nga të dyja.  Nëse nuk ka shpirt atëhere ka të drejtë Epikuri dhe ndjekësit e tij të sotshëm materialistë dhe të pafe’ që ngrehin lart parrullën “Le të hamë e pimë dhe të bëjmë qejf se nesër do të vdesim” (Shih Isaia 22:13, dhe Let. I. më Korinth.15:32).  Por nëse shpirti ekziston – dhe vërtet ekziston! –  atëherë duhet t’a shohim botën nga një këndvështrim tjetër dhe duhet të mendohemi mirë.  Sepse jeta nuk mbaron tek varri me një lopatë dhe’.  Varri është fillimi i jetës së re pambarim.
Por, do të thotë tjetri, unë jam shkencëtar, dua prova, dua prova bindëse që të besoj.  Një herë pra, një doktor ateist, duke bërë operacion përpara studentëve të tij, i trazoi të përbrëndëshmet e të sëmurit që operonte duke thënë “ku është shpirti?”…. Oh i marri!  Kërkonte të gjente shpirtin e njeriut në të përbrëndëshmet e tij.  Jo o vëllezër!  Shpirti ekziston.  Do të thuash “nuk e shoh”.
Mund të të numuroj një sërë gjërash të cilat nuk i sheh por që ekzistojnë.  Një kupë ujë përmban brenda saj me mijëra mikrobe, të cilat nëse do të mund t’i shikonim nuk do t’a pinim kurrë atë ujë.  Atmosfera është gjithashtu plot e përplot me mikrobe, të cilat i thithim.  Janë kaq të vogla sa nuk i shohim dot.  Vetë ajrin që thithim dhe n’a jep jetë a e shohim?  Kush e pa?  Nuk e shohim por e ndjejmë dhe jetojmë rezultatet e tij: e dëgjon që oshëtin, e ndjen të rrahë fytyrën tënde,  e sheh të tundë gjethet, të çrrënjosë pemët, të tërbojë detin.  Nga këto shfaqje të tij bindemi për ekzistencën e ajrit.
Në qiell ekzistojnë trupa qiellorë të panumurt të cilët syri i njeriut nuk mund t’i dallojë dot.  Doni edhe një shembull tjetër?  Jetojmë në kohën e energjisë elektrike.  Kush e pa rrymën elektrike?  Askush.  Por shohim një llambë e cila lëshon dritë, ose prekim një nga telat elektrikë dhe n’a godet duke n’a hedhur përtokë.  Të gjitha këto pra nuk i shohim por ato ekzistojnë.

Kështu është edhe me shpirtin.  Nuk duket por shfaqet me mënyra të ndryshme.  Si shfaqet shpirti?
Para së gjithash është mendimi – një mënyrë kryesore pra që vërteton ekzistencën e shpirtit.  Ndërsa ndodhesh në shtëpi me mëndje arrin nëpër vënde tepër të largëta.  Ke miq e të afërm në mërgim?  Përnjëherësh arrin atje dhe me mëndje ndodhesh pranë.  Ndërkohë që trupi yt ec këtu me shpirt gjendesh në Australi, në Nju Jork, në Çikago etj… Si? Me mendimet e tua, me shpirtin tënd.  Oh mendimi!  Kërruset Arkimedi i zhytur në planet e tij, çuditet dhe habitet, dhe ndërkohë që jeta e tij është në rrezik ai bërtet: “mos m’i trazoni rrathët”, e pra kështu bëhen zbulimet.  E gëdhin gjithë natën astronomi duke vrojtuar yjet, bën vlerësime, nxjerr përfundime.  Doktori studion thellë libra të tëra, mëson organizmin, kontrollon të sëmurin, nxjerr diagnozën, jep metodën e shërimit.  Tek të gjithë mendimi është burim frymëzimi, është krijimtari, poemë, këngë.  Kështu edhe besimtari ndërsa ndodhet me trup në Kishë me shpirt fluturon lart në Fronin e Trinisë së Shënjtë së bashku me ëngjëjt “Ne që simbolizojmë mistikërisht Qerubimet…” dhe dëgjon me shpirtin e tij “Shënjt Shënjt Shënjt Zoti Savaoth…” (Isaia 6:3, dhe Liturgjia Hyjnore).
Oh mendimi njerëzor!  A ka peshore t’a peshojë dot mendimin e njeriut?  Kush mund t’a peshojë?  Është diçka e palëndëshme por në të njëjtën kohë edhe e vëretetë.
Më i lartë se mendimi është ndjenja, më e lartë se mëndja është zemra.  E sheh infermieren që nga dashuria dhe altruizmi qëndron gjithë natën tek koka e të sëmurit?! A peshohet dot ndjenja sa e rëndë është? Është e palëndëshme por përbën realitet.
Do edhe diçka akoma më të lartë?  Është vullneti.  Vullneti i njeriut ngreh pesha tepër të rënda, thyen çdo ndalesë dhe çan tej për tej malet, kapërcen çdo pengesë dhe ia del mbanë me trimëri në arritje të larta përpara të cilave mbetemi gojëhapur.

Këto gjëra të palëndëshme pra, mendimi-ndjenja-vullneti, kanë një bazë, një qëndër, një burim.  Të lëndëshmet kanë burim trupin, ndërsa të palëndëshmet, gjërat shpirtërore pra të cilat e ngrehin njeriun më lart se kafshët kanë burim shpirtin.  N’a thonë disa të marrë nga mëdtë që e kemi prejardhjen nga majmuni, nga shimpazeja.  E pranoj që trupërisht edhe mund të ngjasojmë.  Por një humnerë e pakapërcyeshme n’a ndan prej tyre, shpirti.  Sepse ekziston edhe një diçka tjetër më e rëndësishme se ato që përmendëm më sipër.  Kush është kjo e rëndësishme?  Ujku pasi ha shqerat bëhet mënjanë në qetësi, luani pasi shqyen antilopën fle, skifteri rrëmben pulën dhe shplodhet.  Por a e sheh njeriun?  Njeriu – jo kur vret! Oh nëse vret! – por vetëm një fjalë të rëndë të thotë dhe ndjen një barrë të rëndë brenda tij.  Nuk është kafshë, nuk është bishë.  Përbrenda tij ka një thëngjill të ndezur flakë.  Kush është kjo?  Ndërgjegjia.  Preferoj më mirë të më pickojë akrepi sesa ndërgjegjia ime.
Të gjitha këto fenomene të cilat janë tërësisht të një natyre shpirtërore vërtetojnë që njeriu përbëhet prej një substance të palëndëshme dhe të pavdekshme, dhe kjo substsancë e palëndëshme quhet shpirt.  Por deri tani nuk ju kam thënë asgjë.  Është dhe diçka tjetër që vërteton në mënyrë të patundëshme, njëqind për qind, ekzistencën e shpirtit.  Është Golgothaja, është Kryqi i Shënjtë dhe i nderuar, është Krishti i cili nuk tha kurrë gënjeshtra.  Si një autoritet i lartë dhe superior n’a siguron që ekziston shpirti.  Në mënyrë të veçantë, sot në këtë ditë të Shënjtë, prej Kryqit të tij, me kurorën prej gjëmbash mbi krye, me buzët e vyshkura nga etja, me duart e shpuara prej peronave, me këmbët e tij të gjakosura, dhe me brinjën e shpuar prej shtizës, n’a thërret duke thënë:
“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”  A ka sigurim apo provë më të fortë se kjo?!

*****

Përpara se t’a mbyll fjalën të dashurit e mij, po ju kujtoj dhe diçka tjetër, një diçka për të cilën n’a siguron edhe shkenca.  Kush është kjo?  Vjen momenti dhe një kambanë e madhe, një kambanë e madhe që varet në yjet e qiellit do të ushtojë “Erdhi Fundi”!  Është e sigurt që po afron fundi i botës.  Kur do ndodhë kjo gjë nuk mund të themi, ashtu siç bëjnë heretikët dëshmimtarë të Jahovait duke dhënë data të caktuara.  Por një gjë është e sigurt, fundi po afron.
Dhe atëhere dy gjëra do të ekzistojnë vetëm shpirti dhe Krishti!  Shpirti do të gjykohet dhe Krishti do të gjykojë.  Këto të dyja n’a duhen vetëm, thekson Shën Kosmai i Etolisë, dhe sikur tërë bota të përmbyset dhe të gjithë demonët të sulen mbi ne nuk mund të n’a i marrin – shpirtin dhe Krishtin.  Të varfër dhe leckamanë, të dëbuar dhe të përndjekur, omologjitë dhe martirë të Krishtit, të Krishterë të vërtetë, të gjithë pra le t’i mbajmë, le t’i shtrëngojmë fort këto të dyja – shpirt dhe Krisht!  Jo, le t’i bërtasim djallit dhe demonëve të tij, këto të dyja kurrë nuk do t’i dorëzojmë!  Sepse e tha Krishti dhe fjala e tij mbetet e vërtetë në jetë të jetëve “Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?!”.

+Episkop Avgustini
Predikimi u mbajt gojarisht në Kishën e Shën Sostit
në lagjen e Nea Smirnit – Athinë
më datë 13 Mars, 1977.

********************************************

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.