Αυγουστίνος Καντιώτης



Kuptimi i Festës (Në mëngjes)

date Απρ 10th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Nga botimet “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”
“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Dielë dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumpete” (Apokalipsi 1:10)

E Diela e Dafinave (Ioan.12:1-8)

Kuptimi i Festës (Në mëngjes)

“Osana i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Israelit” (Ioan.12:13)

Sot, të dashurit e mij, kremtojmë një festë të lavdishme, kremtojmë të Dielën e Dafinave.  Dhe nuk duhet thjesht të vijmë në Kishë, por edhe të jemi në gjendje të kuptojmë thelbin e atyre që festojmë.

Zoti ynë Jisu Krishti, ashtu siç përshkruhet dhe në Ungjijtë e Shënjtë, bëri çudi dhe mrekulli të panumurta.  E bekoi ujin dhe u shndërrua në verë gjatë dasmës në Kana’.  Mori në duart e Tij të shënjta pesë bukë dhe dy peshq dhe i shumoi duke ngopur pesëmijë e ca njerëz “veç grave dhe fëmijëve” (Matthe 12:21, 15:38).  Eci mbi dallgët e detit.  Urdhëroi erërat të pushonin dhe të qetësoheshin, dhe i tha detit “hesht, zbutu!”. (Mark 4:39).  Nxorri demonë nga njerëzit.  E bëri të verbërin të shohë, të shurdhin të dëgjojë, memecin të flasë.  Shëroi leprozët, bëri të paralizuarit të ecin.  Çudira dhe mrekullira të panumurta.

Por nëse do të më pyesnit se cila është çudia më e madhe që bëri Zoti gjatë jetë së Tij mbi dhe’ do t’ju përgjigjesha që çudia më e madhe që bëri është ajo që lidhet me festën e sotshme.  Cila është kjo çudi?

Pak ditë përpara vuajtjeve të Tij Hyjnore arriti në një fshat të vogël, i cili ekziston edhe sot e kësaj dite, dhe ndodhet në një distancë prej 5 kilometrash larg Jerusalemit dhe e ka emrin Vithani.  Shkoi tek varrezat, qëndroi përpara varrit të Llazarit i cili ishte varrosur atje para katër ditëve dhe i tha “Llazar, dil prej varrit!” (Ioan.11:14).  Dhe i vdekuri u ngjall!  Çudi dhe mrekulli mahnitëse e cila nuk ndodhi gjatë natës, por u bë gjatë ditës dhe në praninë e shumë njerëzve.

Kjo mrekulli është një sigurim i ngjalljes së të gjithë të vdekurve gjatë ditës së Gjyqit të Fundit, ashtu siç psall dhe Kisha jonë e Shënjtë, që Krishti pra ashtu siç ngjalli Llazarin në të njëjtën mënyrë do të n’a ngjallë të gjithëve ne.  Duhet të jemi të sigurt dhe të mos kemi ansjë lloj dyshimi për këtë gjë; dhe të jemi të sigurt jo pesë përqind, as dhjetë përqind, as edhe njëzet apo nëntëdhjetëenëntë përqind, por të jemi të sigurt njëqind përqind.  Një “në qoftë se” të shkon ndërmend atëhere nuk je besimtar, nuk beson.  Besa duhet të jetë e plotë dhe e pacënuar.  Të besoni çfarë?  Që do të vijë dita, “dita e madhe dhe e dukshme”, kur Krishti do të ushtojë me trumbetat e qiellit dhe do të dëgjohet deri në varret zëri i Tij “o të vdekur ngrihuni së vdekurish!” dhe të vdekurit do të ngjallen.

Kur u bë çudia e ngjalljes së Llazarit,  lajmi u përhap menjëherë si vetëtimë.  Në atë kohë nuk ekzistonin mjetet e sotshme të komunikimit.  Por edhe atëhere, ashtu si dhe sot akoma, mjeti numur një i komunikimit dhe lajmërimit janë veshët dhe gjuha e njeriut.  Nga goja në gojë pra u dha lajmi në të gjithë zonën përreth Judhesë, lajmi pra që Krishti kishte ngjallur së vdekurësh Llazarin i cili kishte katër ditë që kishte vdekur.  Lajmi arriti edhe në Jerusalem ku ato ditë ishin mbledhur një shumicë e madhe Judenjsh.  Kishin ardhur nga vënde të ndryshme, nga anët e Mesdheut, për të festuar Pashkën në Tempullin e Sollomonit.  Të gjithë ata njerëz që ishin mbledhur atje dëgjuan rreth kësaj çudie të madhe.

Për këtë arësye, sapo morën vesh që Krishti po vinte në Jerusalem, ndodhi diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.  I tërë populli u mblodh atje.  Fëmijët e vegjël lanë lojrat e tyre dhe erdhën atje, gratë lanë shtëpitë e tyre dhe rendën me vrap atje, burrat lanë punërat e tyre dhe nxituan drejt atje, pleqtë flokëbardhë që mezi lëviznin këmbët, të gjithë u mblodhën atje.  U bë si një miting spontan dhe një det i madh njerëzish vërshoi për të pritur Mbretin e lavdisë.

“Po vjen Krishti!”, “po vjen, po vjen!”, qarkulloi lajmi nga goja në gojë.  Dhe Ai si erdhi?  Erdhi tepër i përulur.  Historia tregon për mbretër dhe gjeneralë që kur ktheheshin triumfalë nga lutërat festonin triumfin e tyre të ulur mbi karroca që njëherë i tërhiqnin drerë, njëherë tjetër tërhiqeshin prej kuajsh apo elefantë, dhe herë tjetër prej tigrash apo luanësh.  Krishti, përkundrazi, hyri në Jerusalem me përulje – i përulur krejt.  Ishte i ulur, siç thotë dhe Ungjilli “mbi pulishtë”, mbi një gomar pra. (Zaharia 9:9, Joan 12:15).

Populli kur e pa u elektrizua.  Nga entusiazmi i tyre disa hoqën rrobat dhe ia shtronin në rrugë Krishtit për të baritur me këmbët e Tij të shënjta, të tjerë u ngjitën nëpër pemë dhe prenë degë dafinash për t’a përshendetur duke i valvitur lart në ajër, dhe të gjithë, në mënyrë të veçantë fëmijët, thërrisnin “Osana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Israelit” (Joan 12:13).

* * *

Që prej asaj kohe të dashur, kanë kaluar dymijë e ca vjet.  Dhe Krishti vazhdon të adhurohet si Perëndi.  Emri i Tij nuk u shojt, vazhdon njerëzimi t’i falet emrit të Tij.  Dhe sonte do të rrahin kambanat e Kishave Orthodhokse për të n’a ftuar që t’a presim Atë.  Duhet pra të jemi patjetër prezent në Kishë.  Dhe si do t’a presim Krishtin?  Si Judhenjtë?  Jo, akoma më me madhështi dhe më mirë se Judhenjtë.  Si pra?

•    Ata nxorrën rrobat dhe ia shtruan Krishtit mbi udhë.  Ndërsa ne veçanërisht gjatë këtyre ditëve le të nxjerrim një tjetër rrobë të qelbur dhe të fëlliqur.  Rrobat e trupit i nxjerrim dhe i pastrojmë çdo javë.  Të gjithë duan pastërtinë dhe lahen.  Por ashtu si trupi ka veshjen e tij po ashtu edhe shpirti ka veshjen e tij.  Dhe veshja e shpirtit tonë është e qelbur dhe e fëlliqur.  Katandisi në një veshje të rreckosur dhe zhele, leckë e qelbur krejt.  Dhe tani që po hyjmë në Javën e Madhe dhe të Shënjtë, le t’a nxjerrim veshtjen e papastër të shpirtit, dhe le t’a lajmë dhe t’a pastrojmë në ujrat e Jordhanit që kështu shpirti të stoliset me veshje të pastër.  Çdo mbrëmje gjatë kësaj jave do të dëgjojmë të psallet nga Kisha jonë “…ndriçoma pra stolinë e shpirtit Dritëdhënës dhe shpëtomë” (Dërgimësore e Shërbesës së Dhëndrit).  Në Nusëroren e Krishtit vijnë ata “që u zhveshën nga njeriu i vjetër dhe u veshën me njeriun e ri” sipas fjalës së Apostoll Pavlit në letrën drejtuar Kolosianëve (Kr.3:9-10).  Le të zhvishemi pra nga mëkatat dhe ligësitë të cilat janë të ngjitura në qënien tonë ashtu si rroba me trupin, ashtu si guacka dhe breshka, dhe le të veshim Krishtin.  “Sa u pagëzuat më Krishtin me Krishtin u veshët” (Galat.3:27).  Kjo është pritja që do Krishti prej nesh.
•    Çfarë tjetër bënë Judhenjtë? Mbanin në duar degë dafinash.  Çfarë janë dafinat?  Simbol.  Ashtu si Grekët e lashtë kishin simbol fitoreje dafinat dhe me dafina i prisnin fitimtarët, kështu edhe Judhenjtë kishin si simbol triumfi dhe fitoreje dafinat, ndaj dhe me degë dafinash e pritën Krishtin.  Edhe ne le t’a presim me dafina, duke shprehur adhurimin tonë për Të si mbret tropeprurës, i cili mposhti armikun më të tmerrëshëm të njerëzimit, vdekjen e cila i nënshtron të gjithë.
•    Çfarë tjetër bënë Judhenjtë gjatë pritjes së Krishtit?  Thërrisnin “Osana”.  Ç’do të thotë “Osana”?  Kjo është një fjalë hebraike dhe do të thotë “Rroftë”.  Ashtu si dhe ne në raste të ndryshme thërresim dhe bërtasim “rroftë”, kështu dhe ata me “Osana” i thërrisnin Krishtit.  Le t’i themi pra dhe ne Krishtit “Osana”.  Le t’i themi përherë, edhe në ditë të gëzuara edhe në ditë të vështira, edhe në fëmijëri edhe kur jemi të rritur.  Le të mos bëhemi si Judhenjtë, “osanaja” e të cilëve zgjati vetëm pesë ditë (Të Dielë, të Hënë, të Martë, të Mërkurë dhe të Enjte).  Të Premte në mëngjes – si ndryshon mëndje njeriu kaq lehtazi! – nuk dëgjohej më “Osana”, por ai popull, i njëjti popull që i kishte thërritur “Osana”, të Premte i thërriste “Kryqëzohe, kryqëzohe atë” (Joan. 19:6)!  Ne le t’i themi Zotit “Osana” edhe në ditë të trishtuara, në ditë të vështira provash.  Një autor i shkëlqyer, të cilit i referohem shpesh, shpirti i madh rus Dostojevksi, pas një jete plot mundime dhe vështirësi tha “ “Osanaja” ime nuk mund të jetë si ajo e Hebrenjve, “osanaja” ime nuk del për shkak të rehatisë dhe lumturisë, por del nga zjarri dhe furra e hidhërimeve.

* * *

Të dashurit e mij.  Si të Krishterë që jemi duhet jo t’i imitojmë por t’i tejkalojmë Judhenjtë që pritën Krishtin në Jerusalem.  Le t’a heqim prej shpirtit tonë rrobën e pistë dhe të rreckosur të mëkatit.  Le të rendim tek petrahili i prifitit dhe t’a lajmë vehten tonë në “makinën larëse” të Shpirtit të Shënjtë.  Le t’a pastrojmë vehten tonë, “qënien tonë të brendëshme” (Rom.7:22, II Korinth. 4:16, Efes.3:16).  “Krijo zemër të kthjellët tek unë o Perëndi dhe përsërit përbrenda meje frymë të drejtë” (Psallm 50:12).  Le të mbajmë në duart tona dafina si simbol të fitores sonë ndaj mëkatit.  Le të psallim dhe ne “Osana” si të Krishterë të vërtetë dhe të ndërgjegjshëm dhe jo si të Krishterë prej gjoje apo të shtirur.  Deri në fund të jetës sonë le të themi “Osana i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Israelit”.

+Episkop Avgustini
15 Prill, 1984 në Kishën e Shën Pandelimonit-Follorinë

*******

E Diela e Dafinave
(në mbrëmje)

Pësimet e Tij

“Pësimet e Tua Hyjnore porsi dritë shkëlqimi lind dita e sotme”

Sonte, të dashurit e mij, në të gjitha Kishat Orthodhokse në mbarë botën fillon një javë e veçantë, e cila në gjuhën e Kishës sonë quhet Java e Madhe.  Emërohet e Madhe jo nga mosha apo vitet por e Madhe shpirtërisht.  Sepse gjatë kësaj jave përpara syve tanë – nëse besojmë vërtet – shpaloset drama e dramave.  Gjatë kësaj jave njerëzimi përkujton Atë i Cili pësoi për ne, u kryqëzua dhe më pas u ngjall për ne.  Nuk ka në historinë botërore ngjarje më të shënjta se këto.  Ndaj dhe kjo javë quhet Java e Madhe.
Midis hymneve të tjera dëgjuam edhe këtë tropar që fillon kështu: Pësimet e Tua Hyjnore porsi dritë shkëlqimi n’a lind dita e sotme – e dëgjuam pra në dërgimësoret e të Hënës së Madhe.  Më lejoni pra sonte mua episkopin e moshuar të them disa fjalë rreth këtyre vargjeve, edhe pse jam i padenjë dhe mëkatar.

Ky tropar i famshëm flet për “pësimet”.  Cilat pësime?  Ka dy lloj pësimesh, pësimet apo vuajtjet tona dhe pësimet apo vuajtjet e Krishtit.  Pësimet tona janë ato që shkaktohen prej sëmundjeve tona shpirtëorore.  Sëmundjet tona shpirtërore janë ligësia e zemrës dhe shpirtit dhe të tjera të meta që kemi.  Të gjitha këto përbëjnë një lloj lidhje apo marrëdhënie – po përdor këtë term i cili mbizotëron sot nëpër shkolla.  Pësimet njerëzore sigurisht që nuk janë “vuajtje hyjnore apo të shënjta”, por janë sëmundje shpirtërore eosforike, janë mëkata që shkaktojnë vëllavrasje, janë sëmundje fatale.  Cilën prej tyre të përmendim më parë?

Po veçoj vetëm tre prej tyre, të cilat tronditin mbarë njerëzimin.  Një prej tyre është argjendashja, urria dhe pangopësia për tridhjet monedhat e argjëndta.  Mëkat i madh pra, “rrënja e gjithë të këqijave” n’a thotë Apostoll Pavli (I. Tim. 6:10).  E dyta është lavdidashja, ambicja, dëshira e madhe për lavdi, mentaliteti që të vrasim tjetrin dhe të shkelim sipër kufomës së tij për t’u bërë të mëdhenj në pozitë dhe me influencë.  Dhe mëkati apo sëmundja e tretë e cila sot është përhapur tej mase është sensualiteti, kënaqësia trupore, pluralizmi seksual, mëkati apo sëmundja e kënaqësive të ndyra.  Këto tre sëmdundje mbizotërojnë sot në mbarë botën, janë pikërisht këto mëkata apo sëmundje shpirtërore që ndajnë çiftet dhe prishin familje të tëra, prishin shoqërinë, tronditin kombet dhe lëndojnë shpirtërisht njerëzimin duke sjellë si rezultat edhe luftëra botërore.  Sepse Lufta e I-ë dhe e II-të Botërore – edhe e III-a nëse bëhet – nuk kanë motive të tjera (kush thotë të kundërtën gënjen) përveç se interesa, interesa materialiste ose hakmarrje, përsëri pra mëkati apo sëmundja shpirtërore është shkaku.

Këto pra janë pësimet e njerëzimit.  Si do t’i mposhtim mëkatat dhe sëmundjet tona shpirtërore?  Me çfarë mjete?  Përgjigjen n’a i jep Java e Madhe dhe e Shënjtë e Pësimeve Hyjnore.  Sado e çuditëshme që mund t’ju duket, pësimet tona për shkak të sëmundjeve tona shpirtërore mund të mposhten me anën e Pësimeve Hyjnore të Zotit tonë Jisu Krisht.
Një asket i madh dhe mësonjës i Kishës sonë, autori i mënçur dhe i urtë Shën Joani i Shkallës shkrojti një të vërtetë të cilën sot e pranojnë dhe e studiojnë edhe doktorët psikologë “dashuria me dashuri mundet (mposhtet)” (Libri i Shkallës Kapitulli 5:6, 13:2).  Nëse dëshiron pra që të mposhtësh një dashuri të pandershme dhe të turpshme atëhere mbill në zemrën tënde dashurinë e shënjtë, dëshirën e zjarrtë dhe të shënjtë për Dhëndrin Krisht, dhe jepi kështu vehtes krahë për të fluturuar lart.
Në këto ditë të shënjta pra pësimet e këqia ndeshen dhe mposhten nëpërmjet Pësimeve Hyjnore të cilat “porsi dritë shkëlqimi n’a lind dita e sotme” , dhe paraqiten përpara botës si drita shpëtonjëse, si drita në pafundshmërinë e zemrës njerëzore.  Le t’a analizojmë pakëz këtë pikë.

•    Mundohesh nga mëkati i argjendashjes?  Eja në Kishë gjatë Javës së Madhe dhe të Shënjtë dhe do të shohësh që Ai të cilin beson dhe adhuron nuk preku para me dorë, por ishte vërtet Anargjënd – i varfër fare dhe nuk zotëronte asnjë lloj pasurie.  Kur e pyetën “Ku banon?” u përgjigj: “Ejani të shihni” (Joan 1:38).  Dhe kur dikush i tha “Mësues do të vij pas teje kudo që të shkosh” Jisui i tha “Dhelprat kanë strofkë, dhe shpendët e qiellit fole, por i Biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet” (Matthe 8:20).
•    Mundohesh nga mëkati i lavdidashjes?  Afroju Zotit dhe do të shohësh që Ai, Mbreti i Qiejve, zbriti të gjitha shkallët e përulësisë duke arritur deri në shkallën e poshtme fare ku si shërbëtor veshi përparëse dhe lau këmbët e nxënësve të tij.
•    Mundohesh nga mëkati i sensualitetit? Je i dhënë pas qejfeve dhe epsheve trupore? Afroju të Kryqëzuarit dhe do të konstatosh që nuk provoi asnjë lloj kënaqësie të kësaj bote, por përkundrazi piu me hidhërim uthull dhe vrer për të ndrequr dhe për të shëruar sëmundjet njerëzore që shkaktojnë pësime dhe vuajtje.

Në çfarëdo lloj situate që të ndodhesh “Pësimet Hyjnore” do të hedhin dritë në jetën tënde.  Je i ri në moshë?  Afroju Kryqit dhe do të shohësh që Krishti në orën e tmerrëshme të vdekjes nuk e harroi Nënën e Tij, por u përkujdes deri në fund për të duke ia lënë amanet dishepullit të Tij Joan Ungjillorit “Ja Nëna jote” i tha mbi kryq (Joan 19:27).  Ke detyrim pra edhe ti ndaj prindërve të tu, të mos i braktisësh nëpër shtëpi pleqsh por të përkujdesesh për ta.  Je nxënës dhe lexon e studion libra?  Nuk ka libër më të dobishëm se libri i Pësimeve Hyjnore të Krishtit.  Je mësues dhe profesor?  Kij si shembull dhe model të Kryqëzuarin i cili është i pari i të gjithë mësuesve – Ravi – mësuesi më i ëmbël i botës (Mark9:5-11; Joan 1:38,50; 3:2,26,4:31;6:25;9:2;11;8).  Je qeveritar, ke autoritet apo fuqi në dorë?  Eja pranë të Kryqëzuarit dhe ai do të të mësojë që fuqia apo pushteti në dorën tënde nuk është tirani, por shërbim dhe funksion, do të të mësojë që je në shërbim të popullit (Matthe 20:25-28; 23:11; Mark 10:42-45; 9:35).

Dhe së fundi, je mëkatar?  Oh, atëherë duhet patjetër t’i afrohesh Shpëtimtarit tonë të Kryqëzuar.  Një piktor nga Viena e paraqiti në një nga pikturat e tij mëkatarin si një punonjës ngarkim-shkarkimi i cili me një barrë të rëndë mbi kurriz hendej andej-këndej, barra ishte e lidhur me litarë dhe askush nuk mund t’ia zgjidhte.  Vetëm kur u afrua sipër një kodre mbi të cilën ishte Kryqi u gjunjëzua përpara Kryqit dhe Ëngjëjt ia zgjidhën litarët dhe ai u lirua nga barra që kishte në kurriz.  Krishti pra shpëton çdo njeri nga pësimet.  Sot, ashtu siç thonë edhe doktorët psikologë, njerëzimi vuan nga një barrë që e ka emrin stres – stresi pra është rezultati i sëmundjeve shpirtërore të cilat sjellin pësime.  Je mëkatar pra?  Afrohu tek Pësimet Hyjnore dhe do të çlirohesh nga një barrë e rëndë dhe do të ndjesh lehtësi në shpirt.

Në shërbesat e Javës së Madhe shohim Perëndinë nga njëra anë dhe njeriun nga ana tjetër, shohim Pësimet Hyjnore dhe të nderuara nga njëra anë dhe nga ana tjetër shohim pësimet njerëzore, shohim pra thellësitë e errëta të armiqësisë njerëzore por shohim edhe lartësitë e ndriçuara të dashurisë Hyjnore drejt të cilave n’a lartëson Krishti me anën e Kryqit të Tij.  Dikur pyetën një asket analfabet nëse mund të lexonte, dhe ai u përgjigj duke treguar me gisht të Kryqëzuarin.  Ja libri im, iu tha, këtë libër – Kryqin e Zotit pra – studioj.  I Kryqëzuari është Shpëtimtari ynë dhe tek Ai duhet t’i kemi sytë e kthyera nëse duam të shpëtojmë nga pësimet dhe sëmundjet tona shpirtërore.

* * *
Një pasuri e tërë mësimesh të vlefshme n’a ofron Kisha me troparet e Saj të bukura.  Ju lutem t’i ndiqni – merrni librat pra dhe studiojini.
Po përfundoj me një vërejtje!  Më kujtohen vitet e mëparshme kur isha dhe vetë fëmijë – ne pleqtë i kujtojmë shpesh kohët e vjetra – sapo dëgjohej këmbana e Javës së Madhe të gjithë drejtoheshin për në Kishat, e gjithë familja në Kishë, askush nuk rrinte në shtëpi.  Ju drejtohem sot në mënyrë të veçantë juve të cilët iu vlerësoi Perëndia të bëheni prindër dhe ju pyes: Ku janë fëmijët tuaj? O nënë e babë, kini një përgjegjësi të madhe për fëmijët tuaj përpara Perëndisë! Fatkeqësisht jini vetëm ju në Kishë, fëmijët tuaj mungojnë!  Gjetkë shkoni së bashku si familje… shkoni familjarisht nëpër theatro, nëpër qendra zbavitjeje, nëpër ekskursione etj etj…  Ndërsa në Kishë?!  Të paktë janë fëmijët që shkojnë në Kishë.  Kush e ka fajin?  E kemi fajin edhe ne priftërinjtë klerikë, e kanë fajin edhe mësuesit, e ka fajin edhe radioja edhe televizori dhe plot të tjerë e të tjera kanë faj.  Por në mënyrë të veçantë dhe pikësëpari fajin e kini ju prindërit që nuk iu mësuat fëmijëve tuaj që vajtja në Kishë veçanërisht gjatë këtyre ditëve përbën një madhështi të papërshkrueshme.
Nuk ka nevojë Krishti për ne, por ne kemi nevojë për Krishtin.  Mjerr ata fëmijë që nuk iu shkel këmba në Kishë gjatë këtyre ditëve, sepse kur të rriten do të bëhen “të pjellë nepërkash” (Lluka 3:7).  Dhe të parët që do të plagosen prej tyre dhe do të derdhin lotë jini ju, prindërit.  Sepse një i ri pa Perëndi nuk është tjetër veçse një kandidat për kriminel.
Mos shkoni pra vetë në Kishë, por merrni edhe fëmijët.  Dhe të jini të sigurt që kur të vijë dita të largoheni nga kjo botë shumë gjëra do t’i kenë harruar fëmijët tuaj, por vetëm një gjë nuk do t’a harrojnë kurrë, që veçanërisht gjatë këtyre ditëve të Shënjta si nënë dhe babë i merrnit fëmijët dhe së bashku shkonit në Kishë ku dëgjonit himnin “Pësimet e Tua Hyjnore porsi dritë shkëlqimi lind dita e sotme…”.

+Episkop Avgustini
Fjala u mbajt në mbrëmjen e 15 Prillit, 1984
në Kishën e Shën Pandelimonit, Follorinë

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2009

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.