Αυγουστίνος Καντιώτης



Kasiania dhe gruaja mëkatare

date Απρ 13th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Nga botimet “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”

“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Dielë dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumpete”
(Apokalipsi 1:10)

E Marta e Madhe – në mbrëmje

Kasiania dhe gruaja mëkatare

“O Zot, gruaja që ra në shumë mëkata…” (Tropar i Të Martës së Madhe)

TROPARI I KASIANISË

O Zot gruaja që ra në shumë mëkata duke marrë vesh Hyjninë tënde mori urdhër myrrëprurëseje, e duke vajtur të bie myrra para varrimit tënd duke thënë: e mjera unë, se te mua ka natë, dhe dashuri mëkati të errët e të pahënë.
Priti burimet e lotëve të mia, ti që shpie nër retë ujin e detit; epi psherëtime zemrës sime ti që ep qiejt me mëshirën tënde të patreguar.
Do t’i puth dhe pastaj do t’i fshij me flokët e kresë sime këmbët e tua të kulluara, trokëllimën e të cilave kur e dëgjoi Eva në Parajsë në mbrëmje
të oshëtijë në veshët e saj nga frika u fsheh.
Shumicat e mëkatave dhe avushën e dënimeve të mia kush do t’a gjurmësojë o shpirt-shpërblenjës Shpëtimtari im?
Mos më shpërhidh tutje mua shërbëtoren tënde ti që ke mëshirë të pamatur.

Sonte, të dashurit e mij, në të gjitha Kishat tona Orthodhokse vihet re një trafik i madh njerëzish.  Rendin të gjithë në Kishë.  I tërheq tropari i Kasianisë.  Por nëse i pyet se ç’do të thonë fjalët e këtij tropari nuk janë në gjendje të përgjigjen.  Për të mos ndodhur edhe me ne e njëjta gjë do të analizojmë dy gjëra, e para kush është Kasiania, dhe e dyta kush është gruaja mëkatare për të cilën bën fjalë tropari.

Kasiania u lind dhe jetoi në Bizant gjatë shekullit të 9-të pas Krishtit.  Perandor në atë kohë ishte Theofili, djalosh i ri dhe me fronin e Perandoreshës bosh.  Nëna e tij Efrosini për të gjetur një nuse të përshtatshme për birin e saj iu dha urdhër të gjithë administruesve të të gjitha krahinave të Perandorisë Bizantine të dërgonin në Kostandinopojë – kryeqytetin Perandorak – vasha të cilat dalloheshin për bukurinë e tyre.  Urdhëri u plotësua menjëherë dhe nga të gjitha anët e Bizantit erdhën vasha të reja si zambakë në lulen e rinisë të cilave iu dha urdhër të rreshtoheshin në oborrin mbretëror.  Theofili do të zgjidhte një prej tyre duke i dhuruar një mollë të artë.

Kur erdhi çasti, Theofili u step përpara vashës me emrin Kasiani e cila shkëlqente nga bukuria e saj.  Kur po bëhej gati t’i jepte mollën i tha “Prej gruas buruan gjithë të këqiat” – duke e patur fjalën për Evën.  Kasiania shumë mirë mund t’a mbyllte gojën dhe të heshtte.  Heshtja është me të vërtetë një stoli e veçantë e gruas – ajo grua që hesht imponon madhështi, ndërsa gruaja llafazane dhe gojëmadhe bëhet e pështirë dhe kall neveri.  Por Kasiania e konsideroi fjalën e Theofilit si ofendim ndaj gjinisë femërore.  Në vënd që të heshtte u përgjigj:  por prej gruas erdhën dhe gjithë të mirat” – duke e patur fjalën për Hyjlindësen e  Tërëshënjtë Mari.

Dy opinione.  Njëri thotë që gruaja sjell gjithë të këqiat, ndërsa tjetri thotë që gruaja sjell dhe gjithë të mirat.  Me cilin prej tyre bie dakord do të më pyesni.  Që të dyja këto opinione përmbajnë brenda tyre të vërtetën, që të dyja këto opinione theksojnë vlerën e madhe që ka gruaja në botë.  Me të vërtetë që një grua e ligë e shtyn burrin e saj derri në ferr, ndërsa një grua e urtë dhe e mirë mund t’a ngrehë burrin deri lart në qiell.  Simbol i njërës kategori është Eva, dhe simboli i katigorisë tjetër është e Tërëshënjta Hyjlindëse.  Rrjedhimisht të dyja këto sugjerime apo teori qëndrojnë të vërteta.

Por Theofili nuk ia dha mollën e artë Kasianisë.  Për ç’arësye?  Ekziston një fenomen i çuditëshëm psikologjik.  Burrat duan që gratë të jenë të bukura por jo të zgjuara.  Kjo gjë ka shpjegimin e vet – egoizmi burrëror nuk toleron dot që bashkëshortja të jetë më e zgjuar.

Theofili pra e pa shumë mirë që qëndronte përpara një gruaje shumë të bukur por në të njëjtën kohë edhe më e zgjuar se ai.  Kështu e la pas Kasianinë dhe ia dhuroi mollën e artë një vashe tjetër me emrin Theodhora e cila vinte nga Paflogonia – ishte dhe ajo shumë e bukur dhe e thjeshtë, u bë më vonë Perandoreshë dhe u vlerësua t’i shërbejë Kishës duke mbrojtur ikonat e shënjta dhe në fund shënjtëroi, u bë shënjtore e Kishës sonë.  Po Kasiania ç’u bë më tej?  Kasiania humbi një fron, një kurorë mbretërore por fitoi diçka tjetër akoma më të lartë – dhuntinë e poezisë, një dhunti e cila e zbukuronte tej mase dhe me të cilën mbeti përgjithmonë në histori.

Kasiania më tej u largua nga të dheshmet, ndërtoi një manastir, jetoi atje në virgjëri deri në fund, dhe shkruajti vargje të ndryshme – himne të cilat gjenden kudo në librat liturgjikë të Kishës.  Por prej të gjithave që shkrojti, kryevepra e saj është himni që psallet sonte mbrëma “O Zot, gruaja që ra në shumë mëkata…” (Tropar i Të Martës së Madhe).

* * *

Por kush është ajo gruaja mëkatare të cilës i referohet tropari i sotshëm?  Mos ndoshta eshtë vetë poetja e këtij tropari?  Jo.  Atëherë kush është?  Hapni Ungjillin pas Llukait dhe lexoni rreshtat e fundit të kapitullit të 7-të (Lluk.7:36-50).  Atje do të shihni se cila është kjo grua.

N’a thotë Ungjilli pra që një farise me emrin Simon i cili mburrej për vehten e tij, ftoi për të ngrënë Krishtin.  Dhe ndërsa po hanin, papritur tek dera u shfaq me frikë dhe druajtje një grua mëkatare e njohur në mbarë shoqërinë e vëndit.  Ishte një grua mëkatare e cila shiste trupin e saj për kënaqësi trupore dhe fitime në para.  U habitën të gjithë, mbante në dorë një vazo prej alabastre me vaj erërash.  Qëndroi mbrapa duke qarë, i lau këmbët e Jisuit me lotë dhe për t’i fshirë në vënd të peshqirit përdori flokët e saj, i puthte këmbët e Krishtit dhe i lyente me miro.

Kur i pa të gjitha këto fariseu Simon mendoi: nëse ky njeri ishte me të vërtetë profet atëherë do t’a dinte se sa mëkatare dhe e mjerrë është kjo grua që po e prek.
–Simon, kam diçka për të të thënë.
–Fol mësonjës!
-Dy njerëz i kishin borxh dikujt.  Njëri i kishte borxh 500 dinarë dhe tjetri 50 dinarë.  (Dinari ishte monedha e periudhës romake dhe kishte vlerë të madhe).  Duke mos patur t’a shlyejnë borxhin ai zoti i mirë ua fali borxhin që të dyve.  Pa më thuaj Simon cili prej këtyre të dyve do t’a dojë më tepër atë zot?
I përgjigjet fariseu, pa e kuptuar fare kuptimin e atyre fjalëve që i tha Krishti:  do t’a dojë më tepër ai që i kishte borxh më tepër.
-Drejt u përgjigje, – i thotë Krishti.  E pra, ti që e konsideron vehten pak mëkatar ke borxh të paktë, ndërsa kjo që është mëkatare e madhe ka borxh të madh.  Ndaj dhe mirënjohja e saj është më e madhe se e jotja.  Ç’më shikon i habitur?  Hyra në shtëpinë tënde dhe as ujë nuk më vure për të larë këmbët, ndërsa ajo i lau këmbët e mija me lotët e saj.  Hyra në shtëpinë tënde dhe nuk më përqafove, ndërsa ajo që kur erdhi nuk pushoi së puthuri këmbët e saj.  Nuk m’i leve kryet me vaj, ndërsa ajo akoma dhe këmbët m’i leu me vaj erërash.  Ndaj po të them që mëkatat e saj janë të falura sepse më deshi shumë.  Ndërsa atyre që iu falen pak mëkata pak dashuri kanë.
Dhe duke u kthyer Krishti për nga gruaja i thotë “të falura qofshin mëkatat e tua” – po të falen mëkatat o grua (Lluka 7:48).

Për këtë grua pra bën fjalë shërbesa e sotshme.  Dhe nëse vini re troparet i referohen asaj si “lavirja”.  Nëse guxojmë sot ne predikuesit e Fjalës së Zotit të themi në Kishë fjalën “lavire” konsiderohemi që themi fjalë turpe.  Oh çfarë hipokrizie!  Aktin e kurvërisë e kryejnë por fjala i bezdis dhe nuk e thonë.  U bënë sot ledhatues, “lavires” i thonë “mikeshë” apo “shoqe”.  E ndërroi fjalorin shoqëria e sotshme.  Por Ungjilli nuk e ndërron fjalorin kurrë, por të bardhës i thotë e bardhë dhe të zesës e zesë.
Kësaj lavireje i referohet pra tropari që psallet sonte mbrëma, “O Zot, gruaja që ra në shumë mëkata…”   Përshkruan pra gjallërisht gjendjen e saj mëkatare por në të njëjtën kohë edhe pendimin e saj dhe kthimin tek Krishti, dhe n’a bën thirrje të ndjekim edhe ne shëmbullin e saj.

* * *

Që nga koha e Kasianisë të dashur, kanë kaluar 11 shekuj.  E megjithatë kurvëria nuk mungoi asnjëherë.  Sot në mënyrë të veçantë këto lloj grash, prostituta pra janë shumuar tepër.  Po bëhet shumë e rrallë gruaja besimtare dhe me cipë e namus.
T’i akuzojmë këto gra të cilat për një copë bukë shesin trupin e tyre?  Jo vëllezër të dashur.  Dita e sotshme buçet “Mëshirë!”.  Sigurisht që kanë faj këto lloj grash, por më tepër ka faj mjedisi i sotshëm shoqëror – shoqëria e sotshme që e sheh si diçka të mirë mbjelljen e këtyre gjëmbave të kurvërisë dhe tradhtisë bashkëshortore sipër grumbujve të bajgave.  Brezat e kaluar, shoqëritë e mëparshme nuk e toleronin kurrë një gjë të tillë.  Sot, ligjet e reja që po dalin jo vetëm që e tolerojnë por edhe e lejojnë.  Kanë faj pra ligjet.  Ka faj edhe fukarallëku.  Ka faj edhe mosdhembshuria.  Kanë faj shtypi, gazetat dhe revistat.  Kanë faj reklamat e sotshme.  Dhe mbi të gjitha faj të madh kanë radioja dhe televizori.  U bënë burrat e sotshëm myslymanë, nuk iu mjafton një grua por duan edhe dy edhe tre edhe katër edhe pesë edhe gjashtë gra…

Mjaft o shoqëri, trego mëshirë ndaj këtyre shpirteve të cilat rënkojnë brenda shtëpive publike ashtu siç thonë fjalët e troparit “O Zot, gruaja që ra në shumë mëkata…”  Një prej këtyre grave e cila derdh lotë pendese është shumë më e lartë se ata që nuk nxorrën kurrë asnjë lot, sepse ajo që derdh lot pendimi siguron arritjen në Parajsë.  E tha vetë Krishti “Me të vërtetë po ju them juve, se tagrambledhësit dhe të përdalat shkojnë më përpara se ju në mbretërinë e Perëndisë” (Matthe 21:31).  Shpesh herë në baltë fshihen diamantë!

Qani pra dhe kini dhembshuri për to sikur të jenë motrat dhe bijat tuaja.  Bëni sot një lutje tek Zoti për to.  Lexoni fragmentin e sotshëm të Ungjillit.  Dhe lutjuni Zotit që të n’a japë lotë të gjithëve, edhe atyre por edhe ne, të n’a hyjë tropari në zemër dhe të themi “Shumicat e mëkatave dhe pafundshmërinë e dënimeve të mia kush do t’a gjurmësojë o shpirt-shpërblenjës Shpëtimtari im?”.

+Episkop Avgustini
Fjala u mbajt në mbrëmjen e 17 Prillit, 1984
në Kishën e Shën Pandelimonit, Follorinë

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2009

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIS.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.