Nga Mësimet e Shën Kosmait
Nga Mësimet e Shën Kosmait
Kapitujt u shkëputën nga libri
“Kosmai i Etolisë” 1714-1779
(Sinaksari – Mësimet – Profecitë – Shërbesa)
+ Mitropolitit Follorinës Avgustin Kantioti
Libri u botua për të 22-tën herë në vitin 1999!
Botimi i parë doli në vitin 1950
“Të dashur vëllezërit e mij,
bijtë dhe bijat e mia!
Shpirt dhe Krisht n’a duhen vetëm.
Këto të dyja, sikur bota e tërë
të bjerë sipër jush
nuk mund t’jua marrë ashkush,
vetëm nëse i dorëzoni ju vetë
me dëshirën dhe vullnetin tuaj.”
Nga Mësimet e Shënjtit
Mësimi Nr.1
Mishërimi i Fjalës Perëndi
Perëndia dhe Zoti ynë Jisu Krisht, të dashur vëllezër, Dhespoti dhe Kryetari ynë i ëmbël, Ai që bëri Ëngjëjt dhe çdo krijesë të llogjikshme dhe me ndjesi, i nxitur prej dashurisë dhe mirësisë së Tij të paanë ndaj njeriut, ai që n’a fal të mira pambarim çdo ditë, çdo orë e minutë, dënjoi dhe u bë njeri i përsosur nëpërmjet Shpirtit të Shënjtë dhe nëpërmjet gjakrave të kulluara të Zonjës sonë të Përmbishënjtë Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjërës Mari, duke n’a shpëtuar kështu nga thonjtë e të ligut, me qëllim që të bëhemi bij dhe bija të Tij dhe trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij, dhe kështu të gëzohemi dhe ngazëllohemi në jetë të jetëve së bashku me Ëngjëjt në Parajsë për të mos u përvëluar në ferr së bashku me mëkatarët dhe djajtë.
Puna e Apostojve
Ashtu si pronari ka vreshta dhe toka, dhe ve punëtorë t’i punojnë, kështu edhe Zoti ynë ka vresht botën e tërë, dhe mori 12 Apostojtë, dhe pasi iu dha Hirin e Tij të shënjtë dhe bekimin, i dërgoi në të katër anët e dheut të mësojnë njerëzit si të jetojnë mirë, në paqe dhe dashuri që kështu të shkojnë në parajsë ku do të kenë gëzim të pambaruar; të mësojnë njerëzit të pendohen, të besojnë dhe të pagëzohen në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shënjtë, dhe të duan Perëndinë dhe të afërmin e tyre. Dhe i porositi që në cilindo vënd që shkojnë dhe njerëzit i pranojnë, t’a bekojnë atë vënd; dhe në çdo vënd që shkojnë dhe njerëzit nuk i pranojnë le të shkundin pluhurin nga këmbëmbathjet e tyre dhe të largohen. Kështu Apostojtë duke marë Hirin Shpirtit të Shënjtë, shërbëtorë të urtë dhe besnikë të Krishtit, rendën në të katër anët e dheut si vetëtima. Me atë Hir të Shpirtit të Shënjtë shëronin të verbërit dhe të shurdhët, leprozët dhe të demonizuarit, dhe më e rëndësishmja nga të gjitha në emër të Jisu Krishtit urdhëronin të vdekurit të ngjalleshin. Dhe në çdo vënd që shkonin Apostojtë dhe i pranonin njerëzit, i bënin ata të Krishterë, qerotonisnin priftërinj dhe kryepriftërinj, themelonin Kisha, dhe e bekonin atë vënd i cili shndërrohej në një parajsë të dheshme, gëzim dhe dëfrim, banesë e Ëngjëjve, banesë e Krishtit tonë. Dhe në çdo vënd që shkonin dhe nuk pranoheshin atje prej njerëzve, ashtu siç i porositi dhe Krishti, shkundin pluhurin e këmbëmbathjeve të tyre dhe pasi largoheshin prej andej mbetej në atë vënd mallkimi dhe jo bekimi, dhe ai vënd mbetej banesë e djallit dhe jo e Krishtit.
Prejardhja dhe misioni i Shën Kosmait
Duhet që një mësues të provojë auditorin të cilin ka qëllim që të mësojë, ashtu si dhe dëgjuesit është e arësyeshme të shohin se me çfarë mësuesi kanë të bëjnë. Edhe unë, të dashur vëllezërit e mij, që u vlerësova të qëndroj në këtë fron apostolik nga mëshirat dhe dhembshuria e Krishtit tonë, ju provova juve dhe mësova që me Hirin e Jisu Krishtit Perëndisë sonë nuk jeni paganë, nuk jeni të pandershëm, eretikë, ateistë dhe të pabesë, por jini të pagëzuar në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shënjtë, dhe jeni bij dhe bija të Krishtit. Unë, jo vetëm që nuk jam i vyer t’ju mësoj, por nuk jam i denjë as këmbët tuaja të puth. Sepse secili prej jush është më i nderuar se bota e tërë. Por duhet të dini që të tjera gjëra duan t’ju mësojnë disa të tjerë, dhe nëse doni të dini të gjithë të vërtetën po jua them unë. Vendlindja ime, atdheu i përkohshëm dhe i kotë, është Etolia. Ati, nëna, dhe i gjithë brezi ynë janë të Krishterë Orthodhoksë besëmirë. Jam edhe unë pra, të dashur vëllezër, njeri mëkatar, jam më i ligu i të gjithëve, por gjithnjë jam shërbëtor i Zotit tonë Jisu Krisht, shërbëtor i Perëndisë së Kryqëzuar. Jo se jam shërbëtor i denjë i Krishtit, por Krishti më pranon dhe më duron për shkak të dhembshurisë dhe mëshirave të Tij. Krishtin pra besoj, Krishin adhuroj dhe lavdëroj dhe Krishtit i lutem. Krishtit i lutem të më pastrojë nga çdo mëkatë shpirtërore dhe trupore. Krishtit i lutem që të fitoj mbi tre armiqtë tanë që janë: bota, mishi, dhe djalli. Krishtit i lutem të më vlerësojë dhe mua mëkatarin të derdh edhe unë gjakun tim për dashurinë e Tij, ashtu siç e derdhi dhe Ai gjakun e Tij të Çmuar për dashurinë ndaj meje. Do të doja shumë të kisha mundësi të ngjitem lart në qiell dhe prej andej të thërras me zë të fortë, t’i them tërë botës se vetëm Jisu Krishti është Biri dhe Fjala e Perëndisë, vetëm Jisu Krishti është Perëndia e vërtetë dhe jeta e të gjithëve. Por meqënëse nuk kam mundësi të bëj këtë gjë të madhe po bëj këtë të voglën, udhëtoj nga një vënd në tjetrin, dhe mësoj vëllezërit e mij me aq sa kam mundësi, dhe nuk i mësoj duke qënë mësues por i mësoj si vëlla, sepse mësonjës është një dhe i vetmi, Krishti ynë.
Thirrja së lartazi
Dua të dashur vëllezër t’ju them shkakun që më nxit të predikoj Fjalën e Zotit. U largova nga vëndlindja ime para 50 vjetësh, vizitova shumë vënde dhe kështjella, qytete dhe fshatra, qëndrova shumë kohë në Kostandinopojë, por më tepër qëndrova në Malin e Shënjtë – 17 vjet me rradhë – dhe atje qava për mëkatat e mia. Midis shumë dhuratave të tjera që më fali Perëndia, më vlerësoi dhe mësova shkrim e këndim në Greqishten e vjetër, u bëra dhe kallogjer.
Duke studiuar Ungjillin e Shënjtë, brenda tij gjeta fjalë të çmuara, fjalë të cilat janë margaritarë, fjalë të cilat janë diamante, thesare, pasuri e tërë, gëzim, ngazëllim, jetë e përjetëshme. Midis të tjerave gjeta dhe këto fjalë që thotë Krishti: çdo i Krishterë, burrë apo grua, të përkujdeset për shpëtimin e vehtes por edhe për shpëtimin e vëllezërve, që të mos shkojnë në ferr. Pikërisht këto fjalë të ëmbla të Krishtit, “përkujdesuni për shpëtimin e vëllezërve tuaj”, më hanin përbrenda në zemër ashtu siç ha krimbi drurin . U këshillova me etërit e mij shpirtërorë, patrikë dhe kryepriftërinj, iu shfaqa mendimet e mia, dhe i pyeta nëse do të ishte e pëlqyer nga Perëndia të bëj këtë punë, të dal pra dhe të përkujdesem për shpëtimin e vëllezërve të mij, dhe të gjithë më thanë që duhet t’a bëj sepse të tilla punë janë kurdoherë të mira, të shënjta dhe të bekuara. Bile më shtyu më tepër edhe Tërëshënjtëria e Tij Patriku i Kostandinopojës Sofroni – i paçim uratën – dhe pasi mora bekimet e tij të shënjta lashë prokopinë time, të mirën time, lashë mënjanë interesin tim personal, dhe dola të udhëtoj nga njëri vënd në tjetrin dhe të mësoj vëllezërit e mij.
Predikues anargjënd
Kur fillova të mësoj, më shkoi ndërmënd të kërkoj aspra, sepse isha argjendashës dhe e desha shumë floririn, jo si ju që e përbuzni atë, a nuk e përçmoni ju floririn? Duke studiuar përsëri Ungjillin e Shënjtë, gjeta dhe fjalë të tjera që thotë Krishti: falas ua dhashë Hirin tim, falas t’a jepni dhe ju ndër vëllezërit tuaj; falas pra të mësoni, falas të këshilloni, falas të rrëfeni, dhe nëse kërkoni ndonjëherë shpërblim për mësimin që jepni, qoftë shumë apo pak, qoftë edhe një aspër, për mua jini të vdekur shpirtërisht dhe do t’ju dërgoj në ferr.
Kur i dëgjova për herë të parë, të dashur vëllezër, këto fjalë të ëmbla të Krishtit, m’u dukën tepër të rënda, por më pas m’u dukën më të ëmbla se mjalta dhe dylli, dhe e lavdërova dhe e lavdëroj Perëndinë që më ruajti nga pasioni i argjendashjes, dhe me Hirin e Zotit tonë Jisu Krisht, me Hirin e Perëndisë së Kryqëzuar, nuk kam as trajstë, as shtëpi, as raso tjetër përveç kësaj që kam veshur; dhe akoma më tepër i lutem Zotit që deri në mbarim të jetës sime të mos kem as trajstë dhe asnjë gjë prej këto, sepse momentin që do të prek me dorë qoftë dhe një aspër i humba menjëherë vëllezërit e mij, dhe nuk mundem të mbaj dy kunguj nën një sqetull, ose Perëndinë pra, ose djallin.
(*) Sa shumë vëmendje duhet t’iu kushtojnë këtyre fjalëve të Shën Kosmait kallogjerët e shkolluar, ata që kanë mundësi të mësojnë të tjerët! E ëmbël sigurisht është jeta në majë të malit Thavor ku mund të shijosh magjepsjet shpirtërore të jetës monahale. Por poshtë, në rrëzë të malit, oh çfarë pamje e vajtueshme e shoqërisë njerëzore, çfarë gjëndje e mjerë e shoqërisë së sotshme (Matthe 17:1-21). Kësaj shoqërie njerëzore që vuan nga kaq shumë sëmundje dhe nga më të ndryshmet duhet t’i ofrojnë ndihmën shpirtërore monahët e shkolluar. Nuk them që të ngrihen të tërë dhe të braktisin manastiret për hir të punës shoqërore. Por ata të paktët, ata më të zgjedhurit, duhet të ecin midis shoqërisë si predikues të Fjalës së Zotit dhe etër shpirtërorë për të ndihmuar kështu në punën sociale të Kishës Militante mbi dhe’. Fatkeqësisht, pas Shën Kosmait, Mali i Shënjtë nuk n’a dha ndonjë predikues tjetër të flaktë si ai. Të shpresojmë se të tillë predikues do të dalin nga Shkolla e Athoniadhës? Por ku janë profesorët si Evgjen Bulgari? Shën Kosmai ishte nxënës i këtij profesori të madh të Orthodhoksisë. Kështjellat e Orthodhoksisë, manastiret pra, presupozohet që kanë brenda tyre personalitete të shquara të Besimit Orthodhoks.
+Avgustini i Follorinës
Trinia e Shënjtë
Predikimi i ëmbël i Orthodhoksisë
Duhet të dashur të Krishterë, që të fillojmë mësimin me Perëndinë, ashtu siç n’a udhëzojnë Ungjilli i Shënjtë dhe Shkrimet e Shënjta, dhe kur të mbarojmë të falenderojmë Perëndinë, dhe këto i them jo se jam unë i denjë të ze në gojë emrin e Perëndisë, por Perëndia më pranon për hir të dhembshurisë dhe mëshirave të Tij.
Le të lemë mënjanë pra fjalët boshe të fajtorëve, të eretikëve, të ateistëve dhe të pabesëve, dhe le të përqëndrohemi në ato që shkrojti Shpirti i Shënjtë nëpërmjet Profetëve dhe Apostojve të shënjtë, nëpërmjet Etërve të Shënjtë të Kishës sonë; nuk mund t’ themi të tëra brenda një dite, sepse nuk është e mundur për shkak të mungesës së kohës, por do të themi ato më të nevojshmet, dhe të tjerat le t’i kërkojnë dhe le t’i gjejnë gjithë ata që janë mësim-dashës. Të dashur vëllezër, Perëndia ynë i shumë-mëshirshëm është vetëm një, dhe ai që thotë se ka shumë Perëndi është djall. Perëndia pra është Trinia e Shënjtë, Ati Biri dhe Shpirti i Shënjtë, një natyrë, një lavdi, një mbretëri, një Perëndi. Është i pakuptueshëm Zoti, nuk mund t’a interpretojmë dot, është i plotfuqishëm, është i tëri dritë, i tëri gëzim, është i gjithë-mëshirshëm, është dashuri. Nuk kemi ndonjë shëmbull ekzakt me të cilin mund t’a përngjasojmë Trininë e Shënjtë, sepse s’ka tjetër si Trinia e Shënjtë në botë. Por n’a ndihmojnë disa shëmbuj që n’a sjellin Etërit e Shënjtë të Kishës. Midis shembujve të tjerë flasin për diellin. Siç e dimë, dielli është një, një është dhe Perëndia. Ashtu si dielli ndriçon botën kështu dhe Trinia e Shënjtë, Perëndia pra, ndriçon mëndjen. Dielli është një dhe njëkohësishtë është dhe tre: ka rrezet të cilat vijnë si vija, si penjë të artë mbi supet tona, ka dritën që lëshon e cila shtrihet mbi gjithë botën. Me diellin pra mund t’a përngjasim Atin e pafillim, me rrezet e diellit mund t’a përngjasim Birin e bashkë-pafillim, dhe me dritën që lëshon dielli mund t’a përngjasim Shpirtin e bashkëqënëshëm me Atin dhe me Birin. Ka dhe mënyra të tjera që mund të kuptoni Trininë e Shënjtë. Cilat janë këto mënyra të tjera? Të rrëfeheni me gjithë shpirt e zemër, të kungoheni me Misteret e Kulluara, me frikë Perëndie dhe besë, dhe hiri i Shpirtit të Shënjtë do t’ju ndriçojë t’a kuptoni Shën Triadhën më mirë.
Kjo pra është Trinia e Përmbishënjtë që besojmë ne të Krishterët Orthodhoksë besëmirë, kjo është Triadha e Përmbishënjtë që ne lavdërojmë, adhurojmë dhe i falemi, Trinia është Perëndia e vërtetë, dhe jashtë Trinisë së Shënjtë gjithë Perënditë e tjera janë djaj. Dhe jo vetëm ne i falemi Trinisë së Shënjtë, por edhe yjet e qiellit dhe rëra e detit; Profetët, Apostojtë, Martirët dhe Askëtinjtë derdhën gjakun e tyre për hir të dashurisë që kishin për Trininë e Shënjtë dhe fituan kështu parajsën dhe tani gëzohen dhe ngazëllohen në jetë të jetëve . Burra dhe gra, mohuan këtë botë, shkuan nëpër shkretëtira dhe askëtuan gjithë jetën e tyre dhe kështu shkuan në parajsë. Gjithashtu burra dhe gra jetuan në botë, me urtësi dhe virgjëri, me kreshmë dhe lëmoshë, me lutje dhe punë të mira dhe jetuan mirë edhe në këtë jetë dhe tani gëzohen në parajsë përgjithmonë.
(*) Me sa shumë besim flet për Trininë e Shënjtë Shën Kosmai! E konsideron mësimin përreth Trinisë së Shënjtë si të vërtetën bazë të besimit Orthodhoks. Nuk dëshiron asnjë lloj kontakti me eretikët që nuk pranojnë këtë të vërtetë. Perëndia e eretikëve, thotë, është… djalli!
Perëndia gjendet kudo
Nuk ka asnjë vënd në botë ku të mos gjendet Perëndia. Kur ne të Krishterët kemi qëllim të bëjmë një mëkatë atëhere të mendojmë që Perëndia është brenda në zemrat tona, është kudo i pranishëm dhe n’a sheh; të n’a vijë turp përpara se të kryejmë mëkatin nga Ëngjëjt dhe Shënjtorët, dhe aq më tepër nga ëngjëlli ruajtës i shpirtit tonë që n’a ka caktuar Perëndia. N’a vjen turp dhe nuk mëkatojmë përpara një fëmije të vogël, si mundet të mos n’a vijë turp nga Ëngjëjt dhe Shënjtorët?
Doni Perëndinë
Zoti ynë i tërëmirë dhe i gjithëmëshirshëm, të dashur vëllezër, quhet dhe dritë, dhe jetë, dhe ngjallje midis plot të tjerave. Por ermi i tij më kryesor është dashuri. Nëse duam të kalojmë mirë në këtë jetë dhe më pas të shkojmë në parajsë, duhet të kemi dy dashuri, dashuri për Perëndinë dhe dashuri për vëllezërit tanë. E natyrshme është të kemi këto dashuri, dhe e jashtë-natyrshme do të ishte nëse nuk i kemi. Ashtu si dallëndyshes i duhen dy krahë për të fluturuar lart, edhe ne n’a duhen këto dy dashuri, sepse pa to është e pamundur të shpëtojmë. Dhe mbi të gjitha dhe pikësëpari, duhet t’a duam Perëndinë sepse n’a fali tërë këtë tokë për të banuar përkohësisht, n’a fali me mijëra lule dhe pemë, burime, lumenj, dete, ajërin, ditën dhe natën, qiellin dhe diellin etj. Të gjitha këto i bëri për ne. Çfarë detyrimi i kemi? Asgjë. Të gjitha falas! N’a bëri njerëz dhe jo kafshë, n’a bëri të Krishterë Orthodhoksë dhe jo eretikë mëkatarë. Edhe pse mëkatojmë me mijëra herë në orë, përsëri n’a mëshiron si një Atë i dhembsur dhe n’a ruan nga vdekja dhe nga ferri duke pritur pendimin tonë, pret të mos bëjmë më të këqia por të bëjmë të mira, të rrëfehemi, të ndreqemi dhe kështu të n’a marrë në krahët e tij, të n’a verë në parajsë ku të gëzohemi përjetë.
Pa më thoni pra, këtë Dhespot dhe Perëndi të ëmbël nuk duhet t’a duam ne, dhe nëse është nevoja edhe njëmijë herë gjakun tonë të derdhim për të?! Një njeri të fton në shtëpinë e tij për të pirë një gotë verë, dhe ti për tërë jetën tënde a nuk e nderon atë njeri dhe të vjen turp nga ai nëse bën diçka të pahijshme? E pra, Perëndinë nuk duhet t’a nderosh dhe të të vijë turp prej Tij nëse mëkaton, Perëndinë që n’a fali tërë këto të mira dhe u kryqëzua për ty? Cili baba u kryqëzua ndonjëherë për fëmijët e tij? I ëmbli ynë Jisu Krishti u kryqëzua, derdhi gjakun e Tij të çmuar për ne dhe n’a shpërbleu nga duart e të ligut satana. Nuk duhet pra dhe ne t’a duam dhe nderojmë Krishtin tonë? Ne, jo vetëm që nuk e duam ashtu dhe aq sa duhet por edhe e shajmë çdo ditë me mëkatat dhe paudhësitë që bëjmë. Cilin duhet të duam vëllezërit e mij, djallin që n’a nxorri jashtë parajsës dhe n’a solli në këtë botë të mallkuar ku pësojmë gjithë këto të këqija? Dhe t’a dini që nëse do të kishte mundësi djalli në këtë moment të n’a vdiste të gjithëve dhe të n’a merrte me vehte në ferr ai do t’a bënte. E pra, po ju pyes vëllezërit e mij, cilin duhet të duam, djallin apo Perëndinë tonë, Krijuesin tonë? Le të kemi pra dashuri për Perëndinë tonë dhe të afërmin tonë dhe atëherë do të vijë Perëndia ndër ne për të n’a falur gëzim në shpirt dhe për të mbjellë në zemrat tona jetën e amëshuar, dhe kështu do të kalojmë një jetë të mirë edhe këtu por edhe do të arrijmë në parajsë për të dëfryer përjetë.
Doni të afërmin tuaj
Ne jo vetëm që dashuri nuk kemi, por brenda zemrës kemi urrejtje dhe armiqësi, urrejmë vëllezërit tanë; vjen satanai dhe n’a hidhëron duke spërkatur vdekje në shpirtin tonë dhe kështu edhe këtu në këtë jetë kalojmë keq, por edhe në ferr shkojmë dhe atje do të digjemi në jetë të jetëve.
Është e natyrshme të duam vëllezërit tanë, sepse jemi të së njëjtës natyrë, kemi të njëjtin Pagëzim, kemi të njëjtën besë, kungohemi me Misteret e Kulluara, të njëjtën parajsë shpresojmë të shijojmë. Fatbardh është ai njeri që u vlerësua dhe ka në zemrën e tij këto dy dashuri, dashurinë për Perëndinë dhe dashurinë për vëllezërit e tij. Sepse kush ka Perëndinë në zemrën e tij gjithmonë bën të mira dhe jo mëkata; dhe kush nuk ka në zemër Perëndinë ka djallin dhe gjithnjë bën të këqia dhe kryen mëkata. Me mijëra të mira sikur të bëjmë, të dashur vëllezërit e mij, kreshmë të mbajmë, lutje dhe lëmoshë të bëjmë, akoma dhe gjakun tonë t’a derdhim për Krishtin dhe këto dy dashuri të mos kemi në zemrën tonë por të kemi në zemër urrejtje dhe armiqësi, gjithë ato të mira që bëmë janë të djallit dhe drejt e në ferr n’a shpien. Po mirë, do të më thoni, bëmë tërë këto të mira dhe për një pikë urrejtje që kemi për vëllezërit tanë do të shkojmë në ferr? Po, vëllezër të dashur! Sepse ajo pak armiqësi është farmaqi i djallit. Nëse në njëqind kupa mjell hedhim pak maja, ajo maja ka aq fuqi sa fryhet dhe bëhet brumë; kështu është dhe urrejtja, gjithë ato të mira që bëmë i kthen në farmaq të djallit(*)
(*) Majaja ose brumi në Dhjatën e Re sillet edhe si shembull i mirë edhe si shembull i keq. Si shembull të mirë e sjell Zoti kur thotë “Mbretëri e Qiejve ngjan me brumë të cilin e mori një grua dhe e vuri në tri masa mielli dhe e mbuloi, derisa u mbrujt i gjithi” (Matthe 13:33). Si shembull të keq e sjell Zoti brumin kur i këshillon Apostojtë të kenë kujdes nga brumi i keq i farisenjve dhe saduqenjve, dmth i paralajmëron për mësimet e tyre të cilat nuk ishin tjetër veçse “hipokrizia” (Matthe 10:6. Lluk.12:1). Në kuptim negativ e përmend shembullin e brumit edhe Apostoll Pavli ne Letrën e I drejtuar Korinthianëve (5:6) kur thotë që pak brumë, dmth jeta jo e moralshme e vetëm një besimtari të Kishës, shkakton dëm në total, për të gjithë. Në prizmin e këtij kuptimi e sjell edhe Shën Kosmai shembullin e mësipërm kur thotë që urrejtja, si brumi, mund të prishë dhe shkatërrojë gjithë mirësinë e shpirtit, sepse nuk është brumë i Krishtit, por i djallit.
Këtu si ja kaloni të dashur të Krishterë? Kini dashuri në mes tuaj? Nëse doni të shpëtoni, vetëm një gjë të kërkoni në këtë botë, dashurinë. Mos ndoshta ndodhet midis jush ndonjë që ka dashuri në zemër për vëllezërit e tij? Le të ngrihet t’a shoh dhe t’a uroj, dhe të ve të gjithë të Krishterët t’a falin për mëkatat e tij, dhe do t’i jepet një falje e tillë që sikur edhe florinjtë e dynjasë të paguante nuk do t’a gjente dot.
-Unë o i shënjtë i Zotit kam dashuri edhe për Perëndinë edhe për vëllezërit e mij.
-Shumë mirë, paç uratën time bir. Si të quajnë?
-Kosta.
-Me çfarë pune merresh?
-Rruaj delet.
-Djathin kur e shet a e peshon?
-Po, e peshoj.
-Ti mor bir mësove të peshosh djathin, ndërsa unë peshoj dashurinë. Peshorja mos vallë ka turp nga ai që e mban?
-Jo.
-Atëherë më lejo të peshoj dashurinë tënde, dhe
nëse është ashtu siç duhet, atëherë do të të përuroj dhe do të ve të gjithë të Krishterët të të falin. Si t’a kuptoj unë që vërtet i do vëllezërit e tu? Unë them që zotin Kosta e dua si sytë e ballit, por ti nuk më beson; do të më provosh në fillim që të më besosh. Unë p.sh. kam bukë të ha, ndërsa ti nuk ke. Atëherë nëse të jap bukë unë që kam ty që s’ke, atëherë kjo tregon dashuri. Por nëse unë e ha tërë bukën që kam dhe ty të le të urritur, kjo çfarë tregon? Kjo tregon që dashuria ime për ty është e gënjeshtërt. Kam dy gota verë, ndërsa ti nuk ke asnjë. Nëse të jap ty njërën gotë me verë kjo tregon dashuri. Nëse nuk të jap atëherë dashuri nuk kam. Je i hidhëruar sepse të vdiq nëna ose baba, nëse vij dhe të ngushëlloj atëherë dashuria ime për ty është e vërtetë. Por nëse nuk vij të të ngushëlloj por ha e pi, dhe hedh valle atëherë dashuria ime për ty është e gënjeshtërt. E do atë fëmijën e varfër atje? Nëse e do atëhere shko dhe i bli një këmishë se është lakuriq i mjerri, dhe ai le të lutet për shpirtin tënd. Atëherë dashuria jote është e vërtetë dhe jo e gënjeshtërt. A nuk po flas drejt të dashur të Krishterë? Me dashuri të gënjeshtërt nuk mund të shkojmë dot në parajsë. Nëse ke dashuri të vërtetë atëherë shko tani dhe vish fëmijët e varfër që janë zbathur, dhe unë atëhere do të ve të gjithë të Krishterët të të falin. A do t’a bësh këtë gjë Kosta?
-Po, do t’a bëj.
-E pra të dashur të Krishterë, Kosta kuptoi që dashuria që kishte deri tani ishte e gënjeshtërt dhe do që t’a bëjë atë dashuri të vërtetë, ndaj dhe do të shkojë të mbathë fëmijët e varfër. Meqënëse Kosta e mësoi këtë gjë, ju lutem të thoni për z.Kosta tri herë këtë lutje: o Perëndi ndjeje dhe mëshiroje atë.
Krijesa Hyjnore
TË DHJETË USHTËRITË E ËNGJËJVE
Perëndia i tërëmirë dhe i gjithëmëshirshëm është dashuri, është dhe quhet Trini. I nxitur nga mëshirat e tij të shumta Zoti krijoi në fillim 10 ushtëri Ëngjëjsh. Ëngjëjt janë shpirte të zjarrta, të patrup, ashtu siç është dhe shpirti ynë. Çdo ushtëri është si yjet e qiellit. Kush e shtyu Perëndinë dhe i bëri Ëngjëjt? Dhembshuria dhe mëshirat e Tij. Duhet pra dhe ne të jemi të mëshirshëm, t’i bëjmë vëllezërit tanë të gëzohen, dhe atëherë t’i themi Atit Perëndisë: “Ati ynë që je në qiell…”. Por nëse jemi të pamëshirshëm, zemërashpër dhe i hidhërojmë vëllezërit tanë dhe mbjellim vdekje në zemrat tona, atëherë nuk duhet t’i themi Atë Perëndisë por djallit, sepse djalli do që ne t’i hidhërojmë vëllezërit tanë, dhe jo Perëndia.
Dhe kështu ushtëria e parë e Ëngjëjve u rrëzua nga Qielli për shkak të krenarisë së tyre e cila i shtyu të kërkonin lavdërime njësoj si Perëndia. Dhe nga ëngjëj të ndritshëm dhe të shkëlqyer u bënë ëngjëj të errësirës, dhe luftojnë njeriun, dhe përvëlohen në zjarrin e ferrit. Djalli i shtyn njerëzit të krenohen dhe të mburren, djalli i shtyn njerëzit të vrasin, të vjedhin; djalli është ai që hyn brenda njerëzve të vdekur dhe i bën të duken sikur janë të gjallë; djalli është ai që merr pamjen e Krishtit, pamjen e së Tërëshënjtës Hyjlindëse, pamjen e Shënjtorëve dhe rend poshtë e lart si i demonizuar duke thënë se bën çudira; djalli hyn në njerëzit dhe ata demonizohen kur del hëna dhe nxjerrin shkumbë nga goja; Lavdi Perëndisë që n’a dha tre armë të fuqishme me të cilat mund t’a luftojmë djallin. Nëse ndonjë prej jush këtu vuan nga demonizimi le të vijë të mësojë tre armët e fuqishme: rrëfimi, kreshma dhe lutja. Sa më shumë rrëfehet njeriu, dhe mban kreshmë dhe lutet aq më shumë digjet dhe përvëlohet dhe largohet djalli.
Pasi ra poshtë, njëra nga ushtëritë, prej lavdisë ëngjëllore, të nëntë ushtëritë e tjera u gjunjëzuan me përulësi përpara Trinisë së Shënjtë dhe iu falën Zotit Perëndi dhe u vendosën në vendin e tyre ku ngazëllohen përjetë. E pra të dashur vëllezër, duhet dhe ne të kemi shumë kujdes nga krenaria dhe lavdidashja. Sepse krenaria dhe lavdidashja e gremisën djallin prej lavdisë ëngjëllore dhe tani digjet në ferr përjetë. Ndërsa përulësia e të nëntë ushtërive të tjera ëngjëllore bëri që Ëngjëjt të dëfrejnë duke patur përpara tyre lavdinë e paanë të Trinisë së Shënjtë. Duhet t’a dimë fort mirë që Perëndia e urren njeriun krenar dhe lartëson të përulurin. Dhe jo vetëm Perëndia; edhe ne kur shohim një njeri të përulur n’a duket si ëngjëll dhe n’a vjen t’a hapim zemrën dhe t’a vemë atë njeri brenda zemrës. Dhe kur shohim një krenar dhe mburravec n’a duket si djalli dhe e kthejmë fytyrën nga ana tjetër se nuk e shohim dot. Le t’a largojmë pra krenarinë sepse është bija e madhe e djallit, dhe si e tillë n’a çon në ferr. Dhe le të kemi përulësi sepse ajo është ëngjëllore dhe është udha që të çon në Parajsë. Këtu si ju venë punët? Doni përulësinë apo krenarinë?
Ai që do përulësinë le të ngrihet dhe le të afrohet që t’a uroj.
–Unë, i shënjtë i Perëndisë, e dua shumë përulësinë.
–Atëherë hiqi rrobat që ke veshur dhe vish rroba lypsari dhe dil në pazar. Nuk e bën! Të vjen turp? Bëj këtë tjetrën. Priji gjysmat e mustaqeve dhe dil në pazar. As këtë nuk e bën? Nuk e them këtë vetëm për ty, por e them që të dëgjojnë të gjithë ata që thonë se kanë përulësi. E shihni mjekrën time? Është plot krenari, dhe Zoti e çrrënjostë nga zemra jonë krenarinë . Të Krishterit i duhen dy krahë që të fluturojë dhe të arrijë në Parajsë, përulësia dhe dashuria.
KRIJIMI I BOTËS
Pasi ra njëra prej ushtrive ëngjëllore dhe u bënë djaj, Perëndia i Tërëmirë urdhëroi dhe u bë kjo botë. Dhe që nga koha që bëri Perëndia botën kanë kaluar 7288 vjet. Kjo botë është si veza, dhe ashtu siç është e verdha e vezës në mes të vezës, kështu dhe toka u krijua nga Perëndia në mënyrë të tillë që të qëndrojë pa prekur ose pa u mbështetur në asnjë vend tjetër. Dhe ashtu sikundër e bardha e vezës rrethon të verdhën, kështu dhe ajri rrethon tokën. Dhe ashtu siç rrethon guacka të tërë vezën, kështu dhe qielli rrethon tokën. Dielli, hëna dhe yjet, janë të ngjitura në qiell. Toka është e rrumbullakët, dhe atje ku shkon dielli bëhet ditë, ndërsa nata është hija e tokës. Tani këtu është mbrëmje, por në një vend tjetër të tokës është mëngjes, dhe kështu ndodh edhe me pjesët e poshtme të tokës. Etërit e Shënjtë të Kishës porositën që për ditën e Ndritur të Pashkës të ngjyejmë vezët me bojë të kuqe; veza simbolizon tokën, ndërsa e kuqia është simbol i Gjakut të Çmuar të Krishtit i cili u Kryqëzua dhe derdhi Gjakun e Tij për të shënjtëruar gjithë botën. Duhet pra të gëzohemi dhe ngazëllohemi me mijëra herë që Krishti derdhi Gjakun e Tij dhe n’a shpëtoi nga kthetrat e djallit; por në të njëjtën kohë duhet të qajmë dhe të vajtojmë sepse mëkatat tona kryqëzuan Birin e Perëndisë, Krishtin tonë.
Udhëroi Perëndia dhe u bënë të shtatë ditët e javës; të parën bëri të Djelën dhe e mbajti për llogari të tij, ndërsa të gjashtë të tjerat n’a i dha ne për të bërë punërat e kota dhe të dheshme, dhe të Dielën n’a i caktoi për të shkuar në Kishë dhe për t’a lavdëruar Atë, dhe në Kishë të qëndrojmë me besë dhe frikë Perëndie, të dëgjojmë Ungjillin e Shënjtë dhe Shkrimet e tjera të Kishës. Çfarë n’a porositi Krishti të bëjmë? Të kemi parasysh mëkatat tona, vdekjen, ferrin dhe parajsën, shpirtin tonë i cili është më i çmuar edhe se bota e tërë, dhe hamë dhe të pijmë me masë dhe jo me pangopësi, po kështu edhe me rrobat, dhe pjesën e kohës që n’a mbetet t’a shpenzojmë duke u kujdesur për punërat e shpirtit, që kështu t’a bëjmë shpirtin nuse të Krishtit, dhe atëherë dhe vetëm atëhere mund të quhemi njerëz dhe ëngjëj. Nëse i përkushtohemi të ngrënit dhe të pirit, nëse i përkushtohemi mëkatit dhe stolisjes së trupit të ndyrë, të cilin nesër pasnesër do t’a hanë krimbat, në vënd që t’i përkushtohemi punërave të shpirtit të pavdekur, atëherë nuk duhet të quhemi njerëz, por kafshë. Bëheni pra trupin skllav të shpirtit dhe atëhere do të quheni njerëz.
Ditën e parë tha Perëndia të bëhet dritë dhe u bë dritë. Të hënë krijoi qiellin, dheun, ujin, ajrin etj. Të mërkurë krijoji barin dhe bimët. Të enjte krijoji diellin, hënën dhe yjet. Ditën e pestë krijoji detin, peshqit dhe kafshët. Ndërsa ditën e premte urdhëroi Perëdia dheun dhe nxorri të gjithë kafshët.
KRIJIMI I NJERIUT
Burri dhe gruaja nuk ekzistonin në botë. Mori Perëndia dhe’ dhe krijoi një burrë, si ne, dhe i fryu me frymën e Tij dhe i fali kështu shpirt të pavdekshëm. Dhe ashtu si ne që marrim miell dhe ujë dhe e bëjmë brumë dhe më pas e pjekim bukë, kështu e bëri dhe Perëndia njeriun. Duhet gjithmonë të kemi parasysh çfarë është trupi dhe çfarë është shpirti. Trupi është dheu, dhe nesër pasnesër do t’a hanë krimbat; duhet që t’a gëzojmë shpirtin me punëra të mira që kështu të shkojë shpirti në parajsë; ndërsa në qoftë se bën punëra të këqia do të digjet në ferrin e përjetëshëm. Ky trup që shihni, vëllezërit e mij, është veshja e shpirtit. Shpirti është vetë njeriu, jo trupi. Shpirti është ai që sheh, dëgjon, flet, ec, mëson shkenca, i jep jetë trupit dhe nuk e le të qelbet. Dhe nëse del shpirti nga trupi, atëherë trupi qelbet, mbushet plot me krimba. Trupi ka sytë por nuk sheh trupi por shpirti, trupi ka veshët por nuk dëgjon trupi por dëgjon shpirti, dhe kështu me rradhë gjithë ndjesitë e tjera të trupit. Të gjitha pra vihen në veprim nëpërmjet shpirtit.
-E qani të vdekurin?
-E qajmë.
-Siç duket ju vjen keq për të. Dhe sa ditë e mbani të vdekurin?
-Dy a tre orë.
-Kaq pak dashuri keni për të mjerrin? Të mos e varrosni që sot, por t’a mbani 24 orë, dhe të mblidheni të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël, dhe t’a shikoni mirë dhe me vëmendje, sepse mësuesi më i mirë është vdekja. Dhe të mos i qani të vdekurit, sepse dëmtoni edhe vehten tuaj edhe ata.
Pasi bëri Perëndia burrin, mori një brinjë prej tij dhe bëri gruan, dhe ia dha burrit që ai të mos jetë vetëm. Të barabartë e bëri gruan Perëndia me burrin, jo më të ulët se burri. Këtu si i kini gratë? I mbani më poshtë se vehten? Vëllezër, nëse doni të jini ju burrat më të mirë se gratë atëherë duhet të bëni punë më të mira se gratë, sepse nëse gratë bëjnë punë të mira dhe shkojnë në parajsë dhe ne burrat shkojmë në ferr, atëherë ç’përfituam? Jemi burra dhe bëjmë gjëra më të këqia se gratë. Thashë një fjalë për gratë që të hedhin përtokë vëthët dhe unazat e tepërta, dhe menjëherë më dëgjuan dhe e bënë këtë gjë . I shoh që rendin të rrëfehen. Iu thashë burrave që veçanërisht pasi mbushin pesëdhjet vjet në moshë të lenë mjekër, dhe shoh këtu burra nga gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë vjet që akoma rruhen. Nuk kini turp që e prisni mjekrën? Nuk dinte Perëndia kujt t’ia jepte mjekrën? Një burrë i kaluar në moshë që rruhet është si një grua e moshuar që stoliset dhe zbukurohet. Gruri pasi rritet dhe piqet për çfarë ka nevojë? Duhet korrur, apo jo! E pra, kështu dhe njeriu i rritur dhe i zbardhur si gruri, çfarë shaq? Vdekjen. A ka ndonjë prej jush këtu që dëshiron të lerë mjekër? Le të ngrihet dhe të më thotë dhe unë do t’i jap uratën time dhe do t’iu kërkoj të gjithë të krishterëve të luten për të.
-Unë, mësonjës.
-Në rregull, paç uratën time. Lutiuni Perëndisë për mua që t’i lutem edhe unë Perëndisë për ju, sa kohë që të jetoj. E bëni dot këtë gjë?
-E bëjmë o i shënjtë i Perëndisë.
-Ju lutem pra që t’i luteni Perëndisë për të gjithë ata që lenë mjekër duke thënë: O Perëndi fali dhe mëshiroi ata. Kërkoni ndjesë, dhe nëse ju fotis ndonjëherë Perëndia dhe lini mjekër, në të njëjtën kohë të lini dhe mëkatat. Dhe ju të rinjtë të nderoni dhe respektoni ata më të vjetërit që lenë mjekër. Dikë që është 30 vjet dhe ka lënë mjekër t’a vini më sipër se një 50, 60, apo 100 vjeçar që rruhet dhe nuk le mjekër, t’a nderoni pra edhe në Kishë edhe në trapezën tuaj. Nuk them që mjekra do t’ju shpjerë në Parajsë; punët e mira do t’ju çojnë në Parajsë. Veshja juaj të jetë me thjeshtësi dhe përulësi, po kështu edhe ushqimi edhe pija, dhe gjithë sjellja juaj të jetë prej të Krishteri, që kështu të jepni shembullin e mirë edhe ndër të tjerët.
Burri, të dashur vëllezër, lindi gruan nga brinja e tij dhe pa grua, dhe nuk pësoi gjë. Gruaja e mori atë brinjë nga burri dhe e kishte borxh. Lindën në këtë botë aq shumë gra sa yjet e qiellit, por asnjë prej tyre nuk u vlerësua të lajë borxhin e brinjës, përveç se Zonja Hyjlindëse e Përmbishënjtë, e cila u vlerësua me qashtërinë e saj dhe lindi të ëmblin Jisu Krisht me anën e Shpirtit të Shënjtë, pa burrë, duke qënë virgjëreshë, dhe nuk pësoi gjë por mbeti virgjëreshë, dhe kështu e lau borxhin e brinjës.
A dëgjoni të dashur vëllezër se çfarë mistere ngazëlluese ka Kisha jonë e Shënjtë? Por këto mistere Kisha i ka të mbuluara dhe duhen zgjidhur. Prandaj është e nevojshme të mësoni shkrim dhe këndim, që të dini se ku ecni. Ti burrë mos e përdor gruan si skllave sepse ajo është krijesë e Perëndisë, ashtu si dhe ti. Perëndia u kryqëzua sa për ty o burrë aq edhe për gruan. Atë i thua ti Perëndisë, Atë i thotë edhe ajo. Kini të njëjtin besim, të njëjtin pagëzim, dhe Perëndia nuk e ul më poshtë në sytë e Tij gruan. Prandaj dhe e krijoji duke marrë një pjesë nga mesi tënd, që të jetë burri kreu dhe gruaja trupi. Nuk e mori atë pjesë nga koka e burrit që të dalë gruaja mbi burrin. Njëkohësisht nuk mori atë pjesë as nga këmbët e burrit që t’a shkelte burri gruan me këmbë.
E quajti Perëndia burrin Adham, dhe gruan Eva. Krijoi dhe një parajsë në vendet e lindjes, gjithë gëzim dhe ngazëllim; as urri, as etje, as sëmundje as hidhërim nuk kishte atje. I stolisi që të dy me të shtatë dhuratat e Shpirtit të Shënjtë. I vuri në mes të parajsës që të dëfrejnë si ëngjëj. I thotë Perëndia Adhamit dhe Evës: Ja ku ju bëra që të dyve njerëz, më të ndritshëm se dielli. Ju vura në mes të parajsës që të gëzoni të gjithë të mirat e parajsës. Dhe që të dini mirë se kini Bërësin dhe Krijuesin tuaj, po ju jap një porosi – vetëm nga frutat e kësaj peme nuk do të hani – dhe t’a dini se nëse e shkelni këtë porosi dhe do të hani atëherë do të vdisni. Dhe kështu i la Perëndia në parajsë dhe ata gëzoheshin dhe dëfrenin si ëngjëj. Dhe i stolisi Perëndia me turpin, që t’i ruante nga mëkati, në mënyrë të veçantë gruan. Ndaj të Krishterët e mij, bija të Krishtit Jisu, të përpiqeni gjithmonë të jini të mbuluara me turpin, dhe kështu të dukeni si flori.
RËNIA E NJERIUT
Kështu, të dashur vëllezër, duke parë djalli lavdinë e madhe me të cilën i veshi Perëndia Adhamin dhe Evën, i pati cmirë dhe zili dhe çfarë bën? Si shpirt i ndyrë që është djalli, e dinte që më lehtë gënjehet gruaja se burri, dhe e vuri gruan në shënjestër që nëpërmjet saj të gënjehet dhe burri. Dhe bëhet gjarpër dhe shkon tek Eva dhe i thotë: çfarë ju tha Perëndia të bëni këtu në parajsë? I thotë Eva: n’a tha Perëndia të shijojmë nga të gjitha frutat e parajsës përveçse nga një pemë të mos prekim asnjë prej frutave të saj, sepse momentin që do t’a shkelim porosinë e tij do të vdesim. I përgjigjet djalli dhe i thotë: nuk do të vdisni, por kur të hani prej asaj peme do të bëheni të njëjtë me Perëndinë, prandaj Perëndia ju ndaloi që të mos bëheni të njëjtë me Të. Merre ti pra e para këtë frutë dhe thuaji dhe burrit tënd të hani që të dy që të bëheni që të dy perëndi. Mori pra gruaja e para frutin, e shtyu dhe burrin dhe hëngrën që të dy prej pemës së ndaluar. Dhe duke ngrënë që të dy frutin e ndaluar u zhveshën nga të shtatë dhuratat e Shpirtit të Shënjtë dhe u bënë që të dy të marrë dhe frikacakë. Një njeri, të dashur vëllezër, që ruan porositë e Zotit, bëhet i urtë dhe nuk ia ka frikën botës së tërë; dhe ai që nuk ruan porositë e Zotit bëhet i marrë nga mëndtë dhe i ka frikë edhe hijes së vet, le të jetë mbret dhe të sundojë gjithë botën. Kini kujdes ju gratë e mia të Krishtera, të përpiqeni gjithmonë të ruani porositë e Zotit dhe të mos bëni dëshirën e të ligut; dhe nëse rastis të bini në mëkatë si njerëz që jini, të mos i shtyni dhe burrat tuaj në mëkatë ashtu si Eva. Edhe ju burrat të mos dëgjoni këshillat e grave siç bëri Adhami.
Duke dashur Perëndia t’i falë dhe t’i lerë të jetojnë në parajsë, bëri sikur nuk dinte se çfarë kishte ndodhur dhe i thotë Perëndia Adhamit: Adham, Adham ku je? Pse nuk shfaqesh? Ku është ajo lavdi ëngjëllore që kishe më parë, dhe si katandise kështu si i marrë?
Përgjigjet Adhami dhe i thotë: Këtu jam o Zot. Dëgjova që po vije, ndaj u frikësova dhe jam fshehur. I thotë Perëndia: Pse u frikësove dhe u fsheve? Mos jam unë frikë për ty? Mos hëngre prej frutave të cilat t’i kisha ndaluar? U përgjigj Adhami me kryelartësi: gruaja që më dhe, ajo më shtyu dhe hëngrëm. I thotë Perëndia Adhamit: Unë t’a dhashë gruan për shoqëri, dhe jo të tallet ajo me ty. Unë të thashë të mos hash nga ai frut; duhej të më kishe dëgjuar mua dhe jo gruan. Megjithatë, në rregull, bëre gabim dhe hëngre, pse e ke kaq të vështirë të thuash: bëra faj Perëndia im, dhe mëkatova o Krijuesi im. Dhe unë do të të linja në parajsë. Ndërsa ti në vend që të veproje kështu i shtie fajin gruas. Dhe duke akuzuar gruan më akuzon Mua sepse Unë e bëra gruan.
A dëgjoni o vëllezër se sa keq është të akuzojmë të tjerët? E pra, në qoftë se duam të shpëtojmë le të akuzojmë fjalët dhe veprimet tona, dhe jo t’ia hedhim fajet tjetrit.
Më pas pyet Zoti Evan: Pse hëngre nga fruti i ndaluar, a nuk të thashë të mos hash? U përgjigj edhe ajo me kryelartësi: Po, Zot! Hëngra, por nuk e kam fajin unë por gjarpri që më shtyu.
Kur e pa Zoti që asnjëri prej tyre nuk pranoi fajin, i dëboi nga parajsa dhe e mallkoi Adhamin duke i thënë të punojë që këtej e tutje tokën dhe me djersën e tij të hajë bukë, dhe të qajë me dënesë që t’i vijë keq Perëndisë dhe t’a kthejë përsëri në parajsë. Prandaj vëllezërit e mij, të gëzoheni tepër kur e nxirrni bukën me djersën tuaj, sepse kjo është e bekuar; dhe nëse ke vullnetin e mirë jepi pak prej asaj buke edhe të varfërit që nuk ka. Sepse kështu do të fitosh parajsën. Në të njëjtën mënyrë, gjithë ju që rroni duke rrëmbyer dhe xhvatur të tjerët të qani me lotë të zeza sterrë dhe të vajtoni. Për Perëndinë jini të vdekur dhe do të shkoni në ferrin e përjetëshëm. Këtu si shkoni të dashur të Krishterë? Të gjithë ju rroni me djersën e ballit tuaj apo me padrejtësira? Nëse jini të Krishterë me djersën e ballit tuaj të rroni, sepse atë e bekon Perëndia, ndërsa të padrejtin e mallkon.
Më pas e mallkoi edhe gruan të jetë gjithnjë e mposhtur dhe vartëse nga burri, dhe të lindë fëmijët e saj me mundime dhe vështirësi, rënkime dhe lotë, të qajë pa ngushëllim që t’i vijë keq Perëndisë dhe t’a mëshirojë dhe kështu t’a kthejë përsëri në parajsë. Dhe e shihni dhe vetë fare qartë që kafshët kur pjellin nuk kanë dhimbjet e gruas që lind, sepse nuk kanë mallkimin që ka gruaja. E mallkoi pra Adhamin dhe Evan dhe i dëboi nga parajsa dhe rrojtën ata 930 vjet me lotë të zeza pisë dhe hidhërim, dhe lindën fëmijë, dhe fëmijët e tyre lindën fëmijë dhe kështu u shumua bota me njerëz; dhe të gjithë njerëzit jemi nga një babë dhe nga një nënë, ndaj dhe të gjithë njerëzit jemi vëllezër, vetëm përnga besimi ndryshojmë dhe nuk jemi një.
SHPËTIMI I NJERIUT
Vdiq pra Adhami dhe Eva dhe shkuan në ferr ku u dogjën dhe u përvëluan për 5 mijë e ca vjet për një mëkatë; po ne që bëjmë shumë mëkata – dhe bile unë më tepër se ju – çfarë do të pësojmë vallë? Perëndia është dashuri dhe i mëshirëplotë, por është edhe drejtësi në të njëjtën kohë. Ka një shkop të hekurt me të cilin i dha mësim të mirë Adhamit dhe Evës, dhe kështu do të n’a japë dhe neve mësim të mirë nëse nuk bëjmë punë të mira. Shkelën porosinë e Zotit Adhami dhe Eva dhe u mërguan larg parajsës. Dhe tani çfarë bëjmë ne o të Krishterët e mij? A kërkuat të mësoni se gjatë këtyre 5 mijë e ca vjetëve të gjithë njerëzit që vdisnin shkonin direkt në ferr? Iu dhimbs Perëndisë brezi i njeriut dhe erdhi vetë në tokë duke u bërë njeri i përsosur nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shënjtë dhe gjakut të kulluar të së Tërëshënjtës Hyjlindëse dhe gjithmonë Virgjërës Mari, dhe n’a shpëtoi nga kthetrat e djallit. A kërkuat të mësoni që ishte ditë e Djelë kur ndodhi Ungjillëzimi i Hyjlindëses; ishte ditë e Djelë kur lindi Krishti dhe n’a dhuroi Besimin e shënjtë, Pagëzimin dhe Misteret e Tij të kulluara; më pas u sha, u rrah, dhe u kryqëzua prej njerëzve; dhe pas ditës së tretë u ngjall së vdekurish, zbriti në ferr, nxorri prej andej Adhamin dhe Evën dhe gjithë brezin e njerëzve, dhe u bë gëzim i madh në qiell, në adh dhe kudo në botë; farmaq dhe shpatë në zemrat e Hebrenjve dhe të djallit; u ngjit lart në qiejt dhe ndënji në të djathtë të Atit, që të bashkë-mbretërojë me të përjetësisht dhe t’i falen ushtëritë e Ëngjëjve. Kërkuat të mësoni që sot a nesër presim ardhjen e dytë të Krishtit? Ju jini të zgjuar dhe kini dije, kuptoni vetë pra se kush është e mira për ju.
QËNDRA SHPIRTËRORE
Dhe tani çfarë ju duket e arësyeshme të bëjmë? Kam dy mendime: njëri mendim më thotë që mjaft ju thashë sot të krishterëve, nesër që në mëngjes të ngrihem e të iki. Ndërsa mendimi tjetër më thotë: Mos shko. Rri dhe sot, thuaju edhe ato që kanë mbetur dhe nesër shko. Juve si thoni, të qëndroj apo të shkoj?
-Të rrish edhe sot i shënjtë i Perëndisë.
-Në rregull o të bekuar të Perëndisë, po qëndroj edhe sot. Nuk më thoni, mirë është që të punojë dikush në vreshtë, apo të kullotë dhentë, dhe të mos hajë asnjë prej frutave të punëve të tij? Edhe mua që po mundohem këtu në këtë vresht është mirë të mos më jepni pak ngushëllim, njëfarë pagese? Çfarë lloj pagese kërkoj? Para? Ç’ti dua paratë? Unë, me hirin e Perëndisë, as trajstë nuk kam, as shtëpi ku të fut kokën, as raso tjetër përveç kësaj që kam veshur. Akoma dhe ky fron ku kam hipur të predikoj nuk është i imi, sepse juve m’a bëtë, dhe ky fron simbolizon varrin tim, dhe varri ka fuqi të madhe të mësojë mbretër dhe të fuqishëm, patrikë, kryepriftërinj dhe priftërinj, gra dhe burra, të rinj dhe të moshuar dhe botën e tërë. Dhe nëse do të bënja këto punë për të marë shpërblim me aspra do të isha i marrë dhe i çmëndur. Kush është pagesa ime pra? Të mblidheni pesë ose dhjetë prej jush, të uleni dhe të bisedoni për mësimet hyjnore, dhe t’i vini këto mësime në zemrën tuaj, që t’ju ndihmojnë për jetën e përjetëshme. Gjithë këto fjalë që ju thashë nuk janë të miat, por të Shpirtit të Shënjtë dhe të mara nga Shkrimi i Shënjtë. Këto janë të njëjtat fjalë që do t’ju theshte Zoti nëse do të zbriste tani në tokë. Nëse i bëni këto që ju them dhe i kini gjithmonë në mëndjen tuaj atëherë mundimi im nuk iku kot, por nëse nuk i bëni dhe nuk vini mënd atëherë do të largohem që këtej i pikëlluar tepër dhe me lotë në sy.
SHKOLLAT E KRISHTERA
-A kini shkollë këtu në vendin tuaj, ku të mësojnë fëmijët?
-Jo i shënjtë i Perëndisë, nuk kemi.
-Atëherë të mblidheni të tërë dhe të bëni një shkollë, të vini epitropë për t’a drejtuar atë, të vini mësues të mirë që të mësojnë fëmijët shkrim e këndim, të mësojnë si fëmijët e pasur ashtu edhe të varfërit. Sepse nga shkolla mësojmë çfarë është Perëndia, kush është Trinia e Shënjtë, Ëngjëjt, demonët, parajsa dhe ferri, virtyti dhe ligësia, mësojmë se çfarë është shpirti dhe çfarë është trupi, dhe plot gjëra të tjera. Pa shkollë ecim në errërirë; shkolla është shkak që të hapet një manastir . Nëse nuk do të kishte shkolla ku do t’i mësoja unë gjithë këto sa ju them?
Përmbledhje e të gjithë mësimit
Lexova dhe studiova për priftërinj, për fajtorë dhe mëkatarë, për eretikë dhe të pafe’, i studiova të gjitha këto në thellësi dhe vetëm një gjë kuptova, që të gjitha besimet e tjera janë të gënjeshtërta, vetëm besimi i të Krishterëve Orthodhoksë është i mirë dhe i shënjtë, pra të besojmë dhe të pagëzohemi në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shënjtë. Si përfundim, një gjë kam për t’ju thënë, të dëfreni dhe të gëzoheni pa masë që jini të Krishterë Orthodhoksë, dhe të qani për fajtorët dhe eretikët të cilët ecin në errësirë . Ne, të dashur të Krishterë, çfarë jemi, të drejtë apo fajtorë? Nëse jemi të drejtë atëherë duhet të jemi të trishlumur; por nëse jemi mëkatarë, tani është koha të pendohemi, të ndalojmë së bëri keq, dhe të fillojmë të bëjmë mirë, sepse përndryshe ferri n’a pret. Kur do të pendohemi pra? Jo nesër dhe pasnesër, por sot, sepse nesër nuk e dimë se çfarë n’a pret. Kini kujdes vëllezër, të mos jini kryelartë dhe kryeneçë, të mos vrisni, të mos shkelni kurorat e martesës, të mos bëni be’, të mos thoni gënjeshtra, të mos shpifni, të mos tradhëtoni, të mos zbukuroni trupin sepse krimbat e presin, por të zbukuroni dhe stolisni shpirtin tuaj, i cili është më i vlefshëm se e gjithë bota. Të luteni, të kreshmoni, të bëni lëmoshë, dhe vdekjen t’a kini gjithmonë parasysh, dhe të mendoni se do të ikni nga kjo botë e kotë dhe e gënjeshtërt për të shkuar në atë të përjetëshmen. Dëgjuat pra të dashur vëllezër? Ashtu si një arkond ka 10 shërbëtorë dhe kur njëri prej tyre bën faj dhe e zbon, kështu dhe Zoti kur ra ushtëria e parë e ëngjëjve dhe u bënë demonë, tha Perëndia të bëhej bota dhe u bë kjo botë, dhe n’a bëri ne njerëzit që të n’a verë në vënd të ëngjëjve që ranë dhe u bënë demonë. Ne, të dashur të Krishterë, nuk kemi atdhe’ këtu në këtë botë. Ndaj dhe Perëndia n’a bëri me kokën drejt, dhe brenda saj n’a vuri mëndjen, në pjesën e lartme pra, që të kemi synim gjithmonë Mbretërinë e Qiejve, atje ku është atdheu ynë i vërtetë. Guxoj përsëri dhe i lutem të ëmblit Jisu Krisht, të dërgojë prej qiellit Hirin e Tij të shënjtë në këtë vënd, dhe në të gjithë të Krishterët, burra dhe gra, të rinj dhe pleq, dhe të bekojë punët e duarve tuaja. Dhe le t’ju mëshirojë juve dhe le t’ju falë mëkatat tuaja, dhe le t’ju vlerësojë t’a kaloni këtë jetë të përkohshme dhe të kotë me paqe, dhe pas vdekjes le t’ju vlerësojë të shkoni në parajsë, në atdheun tonë të vërtetë, atje ku të gëzohemi përgjithmonë, dhe atje të lavdërojmë dhe t’i falemi Trinisë së Shënjtë në jetë të jetëve. Amin.
Ju lutem vëllezërit e mij, të thoni dhe për mua tri herë këtë lutje: më ndjeni dhe juve t’ju ndjejë Perëndia. Dhe ndjehuni me njëri-tjetrin.
MËSIMI 2
Paravolia e farë-mbjellësit
Doli mbjellësi të hedhë farën. Duke hedhur atë, disa ranë anash rrugës dhe u shkelën, të tjerat i hëngrën shpendët e qiellit. Disa prej farave ranë nëpër gurë dhe kur doli dielli u thanë; ndërsa të tjerat ranë midis gjëmbave dhe gjëmbat i mbytën; të tjera ranë në tokë të mirë dhe pjellore dhe u shumuan, disa u shtuan në tridhjetë, të tjera në gjashtëdhejtë dhe të tjera deri në njëqind. Dhe duke thënë këto thërriti: kush ka veshë le të dëgjojë. N’a shkruan Apostolli dhe Ungjillori i shënjtë Matthe: ishte një mbjellës dhe doli nga shtëpia dhe shkoi në tokat e tij të mbjellë farë. Duke hedhur farën për të mbjellë, disa prej tyre ranë anash rrugës, të tjerat ranë në gurë, të tjera ranë në driza dhe të tjerat në dhe’ të mirë. Farat që ranë në gurë nuk mbinë sepse dheu ishte i shkelur me këmbë, i fortë pra, dhe ja tek erdhën shpendët e qiellit dhe i hëngrën. Farat e tjera që ranë nëpër gurë mbinë, por atje kishte pak dhe’, ndaj kur doli dielli u thanë menjëherë sepse nuk kishin rrënjë. Kështu që edhe këto fara nuk sollën fruta. Farat që ranë nëpër driza mbijnë, por drizat dhe gjëmbat i mbytën. Ndërsa farat që ranë në dhe’ të mirë sollën pemë dhe fruta. P.sh. nëse mbolli një kile farë mblodhi prej tyre njëqind kile të tjera. Farat që ranë në dhe’ më pak të mirë sollën gjashtëdhjetë kile, dhe të tjera sollën tridhjetë kile.
Interpretimi i Paravolisë
Besoj se e kuptoni këtë paravoli. Por që t’a kuptoni akoma më mirë, po themi edhe këto pak fjalë të tjera, ndaj kini mëndjen dhe dëgjoni fjalët e Ungjillit të Shënjtë. Zoti ynë dhe Perëndi Jisu Krishti ka plot emra: quhet Perëndi, Biri i Perëndisë, Biri i Njeriut, Providencë/Urtësi, Jetë, Ngjallje dhe Mbjellës. Zoti pra doli nga shtëpia e tij, doli nga gjiri i Atit nëpërmjet mishërimit. Dënjoi pra Biri dhe Fjala e Perëndisë, dhe u mishërua në mitrën e Zonjës sonë Hyjlindëse dhe gjithmonë Virgjërës Mari duke qënë njëkohësisht Perëndi dhe Njeri i përsosur. Ishte brenda në barkune Hyjlindëses por në të njëjtën kohë gjendej kudo. Dhe në qoftë se një njeri mund të gjendet mëndërisht në të gjithë qytetin, apo në shtëpi duke e patur mëndjen brenda kokës, si atëhere të mos jetë një gjë e
tillë e mundur për Perëndinë e plotfuqishëm, që të jetë i pranishëm kudo duke qënë njëkohësisht në qiell? Kështu pra të dashur vëllezër doli Zoti nga banesa e Tij. Mori farë dhe e mbolli në arat e tij, dmth në zemrat e njerëzve. Kush është fara? Fara është Ungjilli i shënjtë. Farë është besimi ynë dhe pagëzimi në emrin e Atit e Birit e Shpirtit të Shënjtë, farë është dashuria jonë për Perëndinë dhe për vëllezërit tanë. Kush është udha?! Është njeriu kryelartë, i cili e ka zemrën e ashpër dhe të shkelur prej përkujdesjeve të jetës së dheshme; e dëgjon fjalën e Hyjshme por ajo nuk i futet në zemër, vijnë demonët dhe ia marrin Fjalën e Perëndisë dhe kështu mbetet shterpë pa asnjë lloj përfitimi shpirtëror. Gur është zemra e njeriut që kur dëgjon Fjalën e Perëndisë e pranon me gëzim, por për shkak të besimit të paktë tek Krishti, kur i vjen ngasja e tundimi e mohon fjalën e Perëndisë dhe shkon pas djallit me brirë. Gjëmbi është njeriu që pranon Fjalën e Perëndisë por kur vijnë pasionet e mbytin fjalën e Perëndisë dhe mbetet pa fruta, i shkretë e i thatë. Toka pjellore është njeriu i saktë; ai që solli fruta njëqind-fish është më i përsosuri, në mes është ai që soli gjashtëdhejtë-fish, dhe më poshtë është ai që solli tridhjetëfish. Mbase nuk e kuptuat plotësisht thelbin e paravolisë, ndaj për çdo pjesë të saj po sjell nga një shembull.
Shembuj për kuptimin e paravolisë
Manasia mbreti i Judhenjve
Në kohët e vjetra, ishte një mbret i Judhenjve që quhej Manasi , i cili torturonte njerëzit duke i munduar së tepërmi. Profetët dhe mësonjësit e këshillonin që të sillej zemërgjërësisht ndaj popullit, por ai nuk donte të dëgjonte Fjalën e Perëndisë dhe të pendohej. Duke parë Perëndia zemrën e tij të ligë ç’bëri?! Ngreh një mbret nga Lindja, i cili pasi e luftoi e zuri rrob dhe e futi në një kazan që t’a djegë. Dhe çfarë bën atje brenda bakrit Manasia? Solli ndërmend mëkatat e tij, qau me hidhërim, iu lut Zotit që t’a çlironte se nuk do të mëkatonte përsëri. Duke parë Perëndia pendimin e tij pranoi lotët e derdhura dhe dërgoi një Ëngjëll që t’a shpëtonte nga rreziku. Më pas shiti gjithë gjërat që kishte, ua dha të varfërve, dhe shkoi të askëtonte, dhe gjithë jetën e tij e kaloi me kreshmë, agripni dhe lutje. Nëse ndonjë prej jush të dashur vëllezër, është zemër-ashpër si Manasia, dhe i kujton mëkatat dhe qan me lotë të hidhur, le të jetë i sigurt që Perëndia do t’a pranojë pendimin e tij ashtu siç pranoi dhe pendimin e Manasisë.
Apostoll Petroja
Të themi dhe një shembull për gurin, kemi shumë shembuj, por vetëm një shembull, atë të Apostoll Petros do të përmëndim . Të Enjten e Madhe në
mbrëmje, duke ditur Zoti, si njohës i zemrës dhe Perëndi që njeh të ardhmen, duke ditur pra zemrën e Judhenjve dhe të Judhës, u ul së bashku me Apostojtë dhe iu foli për domethëniet e gjërave. Midis të tjerash iu tha dhe këto: t’a dini se njëri prej jush do të më shesë tek Hebrenjtë për tridhjetë argjënde, dhe do të tallen me mua Hebrenjtë dhe do të më pështyjnë dhe do të më rrahin dhe do të më kryqëzojnë. Por të mos hidhëroheni, sepse me vullnetin dhe dëshirën time po kryqëzohem, dhe duke u kryqëzuar do t’i ve kryq mëkatit dhe djallit, dhe do të jap jetën time për njerëzit, dhe ditën e tretë do të ngjallem dhe do t’ju gëzoj juve pa masë, edhe qiellin edhe dheun, dhe do t’a hidhëroj hadhin dhe Hebrenjtë dhe djallin. T’a dini edhe këtë gjë, që si nxënësit e mij që jini, kur të ndodhin të gjitha këto, do të më braktisni dhe do të largoheni prej meje.
Atëherë përgjigjet Petroja: o Zot, sikur të gjithë të të mohojnë, unë nuk kam për të të mohuar kurrë. I thotë Zoti: Petro mos u mburr. Jo, o Zot, jam gati të derdh gjakun tim për ty. I thotë Zoti: në rregull Petro, koha do t’a tregojë. I thotë Petroja: mos u bëftë kurrë që të të mohoj. Thotë Zoti: ti që thua se më do, sonte mbrëma do të më mohosh përpara se të këndojë këndesi dy herë ti do të më mohosh tri herë. Sepse më mirë e njihte zemrën e Petros Zoti sesa vetë Petroja. Përsëri i thotë Petroja: jo o Zot, sikur të gjithë të të mohojnë unë nuk do të të mohoj. I thotë Zoti: kalliri pasi e pjek dielli duket nëse është me rrënjë apo jo. Nëse është pa rrënjë do të thahet. Në të njëjtën mënyrë, çdo i Krishterë, kur i vjen ngasja për të mohuar Krishtin duket nëse është i Krishterë i vërtetë. Erdhi ora dhe Krishti u dorëzua tek Hebrenjtë. Menjëherë u larguan Apostojtë ashtu siç parëtha Krishti. E morën Krishtin Hebrenjtë dhe e çuan në pallatet e Anës dhe Kajafës, dhe filluan t’a gjykojnë. Shkoi dhe Petroja dhe qëndronte larg duke vëzhguar pësimet e Krishtit. I afrohet një Hebre Petros dhe i thotë: edhe ti njëri prej tyre a nuk je? U përgjigj Petroja: Jo, unë nuk e njoh atë njeri. A dëgjoni o vëllezër se çfarë bëri Petroja? Mohoi Krishtin dhe u bashkua me djallin. Në fillim erdhi të shohë se ç’do t’i bënin Krishtit, por më pas nuk gjente dot portën ku të ikte. Vjen edhe një tjetër dhe i thotë Petros: edhe ti a nuk je me Krishtin? Nuk di se çfarë më thua, përgjigjet Petroja. Dhe kur iu afrua portës që të largohej, e kapi edhe një i tretë dhe i thotë: a nuk je ti nxënësi i tij? I thotë Petroja: qofsha i mallkuar nëse e njoh unë atë njeri.
Dëgjuat të dashur vëllezër, ai që thoshte se ishte gati të derdhë edhe gjakun për Krishtin tani e mohon. Dhe pasi e mohoi për herë të tretë Krishtin, o për çudi, këndoi këndezi ashtu siç i tha Krishti se do të ndodhë. Dhe kur dëgjoi këndezin Petroja iu kujtuan fjalët e Krishtit dhe duke dalë përjashta qau me
lotë të zinj plot hidhërim, dhe gjatë gjithë jetës së tij kur dëgjonte këndezin të këndojë qante me dënesë duke sjellë ndëmënd mohimin .
U Kryqëzua Krishti, u ngjall të tretën ditë, iu shfaq miroforeve duke iu thënë: shkoni u bëni zë Apostojve dhe Petros që u ngjalla dhe i pres në Galile. Pse e zuri në gojë më vete Petron? Që t’a kuptojë Petroja se Zoti e pranoi pendimin e tij dhe e fali. Shkuan pra Apostojtë tek Krishti dhe morën Frymën e Shënjtë. Shkoi dhe Petroja, dhe qëndronte i pikëlluar. I thotë Zoti: Petro, a më do? Dhe i bëri të njëjtën pyetje për të ndrequr tre mohimet e Petros, dhe e solli përsëri në pozitën e tij të mëparëshme.
Më pas Petroja përshkoi lindjen dhe perëndimin duke kthyer me mijëra vetë në të Krishterë. E kapi një mbret i Romës dhe i kërkoi t’a mohonte Krishtin dhe t’iu falej idhujve. Por Petroja iu përgjigj: Nuk e mohoj Krishtin. Atëherë e kryqëzuan kokë-poshtë dhe kështu dha shpirtin e tij të shënjtëruar në duart e Krishtit dhe shkoi në parajsë.
Oshënarja Maria e Egjiptit
Të themi dhe pak fjalë për gjëmbat. Oshënarja Maria e Egjiptit (Shën Maria e Egjiptit gjithmonë sillet si shembull i lartë pendimi dhe festohet dy herë në vit, të dielën e I të Kreshmëve të Mëdha dhe më datën 1 Prill) që në moshën 12 vjeçare ra në duart e djallit; ditë e natë gjendej në mëkatë. E ndriçoi Perëndia dhe e braktisi botën duke shkuar të jetojë në shkretëtirë. Atje asketoi për 40 vjet me rradhë, dhe u pastrua dhe u bë ëngjëll. Duke dashur Zoti t’a prehë shpirtin e saj dërgoi tek ajo asketin Zosima tek i cili u rrëfye dhe u kungua me Misteret e Shënjta dhe të Kulluara dhe më pas e mori shpirtin e saj në parajsë ku gëzohet së bashku me ëngjëjt. Nëse dikush prej jus është në gjëndjen e Marias së Egjiptit le të pendohet tani dhe të qajë me dënesë sa është koha, dhe kështu le të jetë i sigurt që do të shpëtojë ashtu siç shpëtoi dhe oshënarja Maria e Egjiptit.
Shën e Premtja
Le të themi pak fjalë dhe për tokën pjellore. Shën e Premtja ishte 12 vjet vashë prej prindër të mirë. Mbeti jetime dhe e ndau gjithë pasurinë e saj në të varfërit dhe kështu me ato fitoi parajsën. Dhe me lotët që derdhte kujtonte gjithmonë mëkatat e saj. Veshët e saj si vëthë i kishte të hapura vetëm për të dëgjuar Shkrimin e Shënjtë. Varëse në qafë kishte kreshmët e shumta të cilat e bënin qafën e saj të ndritte si dielli. Si unaza nëpër gishta kishte pendimet që bëri. Si brez të artë kishte virgjërinë të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës së saj. Rrobë kishte turpin për vehten e saj dhe frika e Perëndisë e mbulonte nga koka në këmbët. Kështu u stolis dhe u zbukurua e Shënjta.
Nëse ndodhet këtu ndonj vajzë e cila do të stliset dhe zbukurohet, le të shohë me vëmendje se çfarë bëri Shën e Premtja dhe le të bëjë dhe ajo siç bëri Shënjtorja, nëse dëshiron të shpëtojë. Kështu pra të dashur vëllezër, Shën e Premtja mësoi shkrim e këndim dhe u bë një vashë tepër e zgjuar dhe e urtë. Dhe për pastërtinë e saj të shpirtit dhe të zemrës e vlerësoi Perëndia dhe bëri dhe plot çudira. Shëronte të verbërit, të shurdhët, ngjalli dhe të vdekur. Dy Hebrenj, bij të djallit, duke e parë Shënjtoren të bëjë çudira, e patën zili dhe e spiunuan tek mbreti Andon si të Krishterë. E kapi pra mbreti dhe i kërkoi të mohonte Krishtin dhe t’u falej idhujve dhe i premtoi që nëse do t’a bënte këtë gjë do t’a bënte mbretëreshë. I thotë e Shënjta: unë nuk jam e marrë si ty, që të mohoj Krishtin tim dhe t’i nënshtrohem djallit, t’a braktis jetën dhe t’i nënshtrohem vdekjes. Uroj që dhe ti një ditë të braktisësh errësirën dhe të vish në dritë. A mbani vesh o vëllezër, një vashëz t’i flasë mbretit me kaq guxim? Ai që ka Krishtin në zemër nuk ia ka frikën askujt në botë. Nëse duam dhe ne të mos ua kemi frikën as njerëzve as demonëve le të kemi Perëndinë në zemrën tonë. I thotë mbretit Shënjtores: po të jap 3 ditë afat, nëse nuk më bindesh do të udhëroj vdekjen tënde. Atëherë i përgjigjet shënjtorja: o mbret, atë që kërkon të bësh për 3 ditë bëje tani, sepse unë nuk kam për t’a mohuar kurrë Krishtin tim. Atëherë mbreti dha udhër dhe ndezën një zjarr të madh, sipër tij vunë një kazan të madh me pisë i cili zjente. Duke parë e Shënjta kazanin të zjejë gëzohej, sepse do të largohej nga kjo botë e kotë dhe do të hynte në atë të përjetëshmen. Dha udhër mbreti t’a futin të Shënjtën në kazan që të digjej. Shënjtorja bëri kryqin dhe hyri brenda. Priti dy-tre orë mbreti dhe kur pa që Shënjtorja nuk po digjej i thotë: Shën e Premte, pse nuk digjesh? I thotë e Shënjta: sepse Krishti im e freskoi kazanin dhe nuk digjem. I thotë mbreti: spërkatmë dhe mua të shoh nëse djeg apo jo? Mori e Shënjta me të dyja duart dhe ia hedh në fytyrë mbretit, dhe oooo çudi e madhe! U verbua mbreti dhe iu përvëlua fytyra. Thërriste mbreti: I madh qënkërka Perëndia e të Krishterëve, dhe atij i besoj dhe unë. Dil o Shën e Premte të më pagëzosh. Doli e Shënjta dhe e pagëzoi së bashku me të gjithë mbretërinë e tij. Më vonë ia preu kokën Shënjtores një mbret tjetër dhe kështu shkoi në parajsë të gëzohet përgjithmonë. Kjo shënjtor i zbatoi të gjitha porositë e Zotit, një për një.
Një çift Shënjtorësh (Androniku dhe Athanasia)
Të themi edhe pak fjalë për atë që solli fruta gjashtëdhejtë. Më 9 Tetor Kisha jonë e lavdishme feston kujtimin e Shën Andronikut dhe bashkëshortes së tij Athanasisë. Perëndia e shënjtë iu kishte dhuruar dy fëmijë meshkuj, dhe një ditë vdiqën që të dy fëmijët. Tek ishte Athanasia duke vajtuar fëmijët e saj i shfaqet Ëngjëlli i Zotit dhe i thotë: Athanasia, pse qan?! Fëmijët e tu prehen në parajsë dhe do të jesh së bashku me ta në Ardhjen e Dytë, ndaj mos u dëshpëro. Dhe kështu e ngushëllonte. I thotë Athanasia Andronikut: imzot, o burri im, me mijë burra dhe gra rruajtën virgjërinë gjatë jetës së tyre. Ne të dy u martuam dhe shijuam kënaqësitë trupore. A nuk shkojmë në manastir dhe të bëhemi murg dhe murgeshë që të shijojmë kënaqësitë shpirtërore dhe kështu të fitojmë parajsën?! U përgjigj Androniku i bekuar dhe i thotë: le të bëhet o motra ime dëshira e Perëndisë . Dhe që nga ai çast jetuan si motër e vëlla. Ua ndanë pasurinë të varfërve, dhe shkuan secili në manastir dhe u bënë kallogjer dhe kallogre. Jetuan me kreshmë dhe lutje dhe shkuan në parajsë. Këta të dy pra sollën fruta gjashtëdhejtë, sepse bënë në fillim truporet dhe më pas shpirtëroret. Sigurisht që janë më poshtë se Shën e Premtja. Nëse ndodhet ndonjë prej jush këtu që do të sjellë fruta gjashtëdhjetë, le të përpiqet si Shën Androniku me Shën Athanasinë dhe të shpëtojë.
Ioani me shumë fëmijë
Dhe përsëri ju them, nëse nuk mund të sillni fruta gjashtëdhjetë, ndiqni shembullin e atij që solli fruta tridhjetë. Në lindje ishte një prift i martuar që quhej Ioan. Kishte 20 fëmijë. Një ditë shkon Dhespoti në shtëpinë e tij dhe kur sheh fëmijët e pyet të kujt ishin. Janë fëmijët e mij, i thotë prifti – m’i fali Perëndia. I thotë Dhespoti: Sa vjet ke martuar? Tetëmbëdhejtë vjet, i përgjigjet prifti. Popo, tetëmbëdhjetë vjet martuar dhe ke 20 fëmijë! Ti duhet të zhvishesh nga priftëria, i thotë Dhespoti. I thotë prifti: të rrëfehem atëherë, dhe nëse e sheh të arësyeshme u bëftë e Perëndisë. Dhe filloi prifti: unë, Dhespoti im, mësova Greqisht të shkruaj dhe të lexoj, në moshën 18 vjeçare u bëra anagost, në moshën 25 vjeçare u bëra dhjak, dhe në moshën 30 vjeçare u bëra prift pa dhënë asnjë aspër për të marrë hirin e priftërisë. Sipas ligjeve të shënjta të Perëndisë u martuam. U rrëfyem që të dy me priftëreshën, shkuam në Kishë, u kurorëzuam, më pas u kunguam me Misteret e Shënjta dhe pas tre ditësh u bashkuam të dy me priftëreshën. Pasi mbeti me barrë u ndamë derisa lindi. Pasi bëri 40 ditë fëmija u bashkuam përsëri dhe përsëri u ndamë, dhe kështu i bëmë të 20 fëmijët, shënjtëri. I thotë Dhespoti: qofsh i falur dhe i bekuar. Të bësh edhe pesëdhjetë, edhe njëqind fëmijë. Dhe kështu i bekuari at Ioani u mësoi shkrim e këndim fëmijëve të tyre, i brumosi fëmijët me mësimet e Zotit duke kaluar kështu edhe jetën e këtushme mirë edhe duke vajtur më pas në parajsë. Ky pra solli fruta tridhjetë. Dëshiron edhe ti vëlla të sjellësh fruta tridhjetë? Ndiq shembullin e papa Ioanit sa je këtu, tani, dhe sa ke kohë dhe mundësi .
Ky pra ishte shpjegimi i paravolisë. Rruga (toka jo pjellore) janë Hebrenjtë, gurët janë të pabesët dhe fajtorët. Ndërsa dheu pjellor janë të Krishterët Orthodhoksë besëmirë të ciët shpëtojnë. Por si shpëtojnë? Secili prej atyre që bëri të mira shkon në parajsë, dhe gjithë ata që bënë të këqia shkojnë në ferr.
Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër P. Filip
Gusht, 2008
Shën Kosmai i Etolisë
I përkushtohet Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë,
ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë Orthodhokse të Krishtit,
Mitropolitit Follorinës, Prespës dhe Ordheas,
vetë autorit të flaktë të këtij predikimi
(dhe shumë veprave të tjerave)
at AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim të gjithë ne bekimet dhe uratat e tua Hirësi!
Me dashuri më Krishtin,
Përkthyesi.
Add A Comment
You must be logged in to post a comment.